Presidenti i PL, Ilir Meta ka reaguar ndaj akuzave të prokurorëve të SPAK që lidhen me një ndërhyrje tij në sektorin e telekomunikacionit, duke i cilësuar ato si manipulime të prokurorëve me motive politike.

Në një reagim në rrjetet sociale, Meta mohon kategorikisht çdo ndikim për të favorizuar kompani apo biznesmenë, ndërsa thekson se pretendimet për ndërhyrje në favor të operatorit “Plus” janë të pavërteta dhe të mbështetura në interpretime të njëanshme të materialeve nga SPAK.

Reagimi i Metës
Siç u njohët dje, lidhur me manipulimin e bërë nga Prokurorët politikë, të gjoja ndërhyrjes time si Kryetar Kuvendi te kryetari i AKEP-it të asaj kohe, për të favorizuar gjoja një biznesmen që kishte “Plus”-in, veç sqarimit shterues të bërë dje nga Z. Tedi Blushi se kurrë nuk ka ekzistuar një ndërhyrje e tillë nga unë për të favorizuar ndonjë biznesmen apo kompani në fushën e telekomunikacionit, theksoj se kompania “Plus” kishte jo 1 (një), por 161 (njëqind e gjashtëdhjetë e një) aksionerë shqiptarë dhe nga Kosova, përfshirë edhe Post Telekomunikacioni i Kosovës.
Nga bisedat e përzgjedhura nga SPAK të personave të tjerë rezultoi se këta ankoheshin te deputetë, por edhe te Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri se AKEP po i falimentonte për interes të “Vodafone” dhe “AMC” që kishin monopol tregun.

Është detyrë ligjore e AKEP të mbrojë parimin e mosdiskriminimit në treg, si edhe aplikimin e asimetrisë sipas Konventave Ndërkombëtare për Telekomunikacionin.
Por prokurorët politikë zbatojnë verbërisht porosi politike nga i vetmi person që bën ligje dhe vendime me porosi për klientët e tij, që SPAK nuk mund t’i hetojë.

𝐏𝐚𝐤 𝐡𝐢𝐬𝐭𝐨𝐫𝐢, 𝐬𝐞 𝐜̧𝐟𝐚𝐫𝐞̈ 𝐤𝐚 𝐛𝐞̈𝐫𝐞̈ 𝐈𝐥𝐢𝐫 𝐌𝐞𝐭𝐚 𝐩𝐞̈𝐫 𝐦𝐛𝐫𝐨𝐣𝐭𝐣𝐞𝐧 𝐞 𝐢𝐧𝐭𝐞𝐫𝐞𝐬𝐢𝐭 𝐩𝐮𝐛𝐥𝐢𝐤 𝐝𝐡𝐞 𝐪𝐲𝐭𝐞𝐭𝐚𝐫 𝐧𝐞̈ 𝐟𝐮𝐬𝐡𝐞̈𝐧 𝐞 𝐭𝐞𝐥𝐞𝐤𝐨𝐦𝐮𝐧𝐢𝐤𝐚𝐜𝐢𝐨𝐧𝐢𝐭.

1️⃣. Kur Ilir Meta u bë Kryeministër në tetor 1999, Shqipëria kishte vetëm 10 mijë abonentë te “AMC”, që ishte e vetmja kompani publike e krijuar që në vitin 1995 me vendim të Qeverisë Meksi.
Në një kohë rekord ajo u privatizua në mënyrën më transparente me shifrën rekord atëherë, 85.6 milion USD, duke patur parasysh numrin e abonentëve, por edhe kursin e dollarit.

2️⃣. Menjëherë, që të mos i lihej pozitë monopol fituesit të “AMC”, u bë gara e hapur ndërkombëtare për dhënien e licensës së dytë.

Kaq transparente bëhej privatizimi atëherë sa çuditërisht dy gjigandët “Turkcell” dhe “Vodafone” dolën në barazim nga 25 milionë USD.

Pavarësisht nga presionet diplomatike dhe politike, që të mos përsëritej gara për të gjithë, por vetëm për “Vodafone” dhe “Turkcell”, Ilir Meta për të shmangur çdo marrëveshje midis dy gjigandëve, vendosi të përsërisë garën për të gjithë.

Kjo solli rezultatin e paimagjinuar atëherë dhe nga FMN, Banka Botërore etj, prej 38 milionë USD, kur kursi i këmbimit ishte 1 USD me 150 ALL.

Pra një copë letër ta shesësh 38 milionë USD para 25 vitesh.

Po të ishte Edi Rama do ja jepte falas “Vodafonit” ose “Turkcellit” për arsye “gjeopolitike” më keq se tuneli i Llogarasë.

Por më e rëndësishmja në këtë fushë dhe me rëndësi historike mbetet fakti se sapo u bë Kryeministër Ilir Meta, shfuqizoi marrëveshjen paraprake (letter of intent) të firmosur në korrik 1999 midis “New World Telekom” dhe Albtelekomit shqiptar, që parashikonte faljen e këtij aseti të çmuar publik, pa garë dhe asnjë qindarkë, një kompanie amerikane, se gjoja këtë e kërkonte Departamenti i Shtetit (dhe vetë Klintoni!).

Ilir Meta dhe pse i ri në detyrë, i bindur se kjo ishte një marrëveshje klienteliste dhe në dëm të shtetit shqiptar, e kundërshtoi deri në fund, pavarësisht nga presionet e forta diplomatike dhe politike.

Departamenti i Shtetit në atë kohë, i informuar për këtë përplasje parimore midis Kryeministrit shqiptar dhe ambasadës së SHBA në Tiranë, përmes një dokumenti (Non-Paper) u pozicionua në mënyrë të qartë pro qëndrimit të Kryeministrit Meta dhe kundër çdo favorizimi të çdo lloj kompanie amerikane, në çdo fushë, jashtë parimeve të konkurrencës së lirë dhe transparencës.

Ky qëndrim i Kryeministrit Meta veçse i forcoi marrdhëniet shqiptaro-amerikane, të cilat rinisën me vizitat e munguara në Tiranë, në nivelet më të larta (për arsye specifike) siç ishin ato të Nënsekretarit të Shtetit, Z. Thomas Pickering dhe sidomos të Sekretares së Shtetit, Znj. Madeleine Albright në 19 shkurt 2000.

Nuk po e zgjas më tej, se për këto çështje do të njiheni në një kapitull të posaçëm të librit tim të parë, ku nuk do të mungojë as qëndrimi i Departamentit të Drejtësisë në atë kohë për çështjen e “New World Telecom”.

Si mund t’i faleshin 200 milionë USD një kompanie të caktuar që i takonin popullit Shqiptar?

Si do të ndërtoja unë qindra kilometra autostrada dhe rrugë të reja, që në tetor 1999, kur gjeta vetëm 7 km autostradë, fiks nga Tirana te Qafa e Kasharit ose më saktë ku është “Benzi” sot?

Dhe për kuriozitet, shfuqizimi i marrëveshje me “New World Telekom” nuk e mërziti Klintonin fare.

Sa gjëra të turpshme bëhen në emër të amerikanëve, shpesh duke përdorur dhe amerikanë si Charles McGonigal.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb