Është pezulluar përkohësisht në 2 nga 5 tavolinat e numërimit të votave në “Shkollën e Kuqe”, në zonën e Kombinatit në Tiranë.

Gazetari Erjon Skëndaj, i pranishëm në këtë KZAZ numërimi, tregoi për “BalkanWeb” se numëruesit e Partisë Demokratike kanë kërkuar pushim, me arsyetimin se janë të lodhur. Ndërkohë, anëtarët e KQZ, numëruesit e PS dhe partive të tjera, kërkojnë që procesi të mos ndërpritet. Gazetari mori prononcimin e numëruesve të Partisë Demokratike, të cilët sqaruan se ndihen të lodhur dhe kanë nevojë për 2 orë pushim.

“Duam të bëjmë pushim, njerëzit janë të lodhur, duam dy orë pushim asgjë më tepër. Këta thonë vdisni këtu. Nuk pranojmë të ndërrohen numëruesit, sepse duan deri tek kutia e 10.

Ata janë të zhveshur nga ndjenjat humane. Punohet katër pesë orë, pushohet dy orë dhe kthehen prapë. Kjo aplikohet në të gjithë KZAZ. Këta sillen me një arrogancë. Sipas këtyre Kodi Zgjedhor e parashikon që pa u bërë nga 5 në 10 kuti nuk ndërrohesh, nga ana tjetër ka dhe një kod moral, kjo e fundit del mbi kodin ligjor”, u shpreh numëruesi.

Ndërkohë e pranishme në këtë qendër numërimi ishte edhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, e cila, është dhe kandidatja e PS për Kombinatin. Ajo tha se numëruesit e Partisë Socialiste dhe subjekteve të tjera kërkojnë numërimin, e sipas saj, numëruesit e PD si në minorancë në këtë mes, duhet të vijojnë procesin.

“Ne duam të numërojmë, duke qenë se të gjithë grupet janë në gjendje pune, s’ka arsye për të vonuar, të kërkosh të flesh që në 5 orët e para, i bie të mbarojmë pas 3 javësh. Ne duam të punojmë, PD do gjumë. Unë s’e kuptoj, këtu kemi parë një shfaqje, kutitë u morën zvarrë, s’e kuptoj pse nuk flasin me zë të ulët. Në minorancë PD duhet të ndjekë grupin i përbërë nga disa anëtarë. Kjo është një bllokim i procesit, nëse duan të flenë gjumë, i kuptoj. Nëse duan të pezullojnë procesin, prapë se kuptoj se kjo është gjë që do të bëhet. Ata bëjnë mbledhje partie tek cepi, ndërkohë që ne duam të bëjmë punët”, u shpreh Balluku.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb