Në Ballsh kanë nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës me skuadrën e Laçit, e cila luhet pas afro një javë e gjysmë. Mallakastriotët duket se e kanë përqendruar tërë vëmendjen te takimi i radhës në kampionat që sipas planifikimit të FSHF-së luhet në 11 dhjetor në “Adush Muça”.

Takimi duket mjaft interesant dhe ballshiotët pas shtatë ndeshjeve pa marrë asnjë fitore do të kërkojnë me patjetër 3 pikët në shtëpinë e tyre. Kujtojmë që pikërisht Bylisi mori në Laç fitoren e parë dhe të vetme në transfertë deri më tani, me rezultatin 0-1 në saj edhe të eurogolit të Trumçit. Bylisi ka një organikë të pasur me lojtarë cilësorë dhe kualitativ nga tregu vendës dhe të huaj.

Trajneri Arian Bellaj bashkë edhe me ndihmësit e tij Mihalidhis dhe Bregasi dje e kanë nisur javën me një stërvitje me ngarkesë, teksa skuadra është stërvitur në palestrën që ndodhet në qendrën e qytetit të Ballshit. Ndërsa pasditeve, mallakastriotët kanë zbritur në fushën e kompleksit “Bylis”, duke zhvilluar ushtrime me topin. Pritet që sot të caktohet edhe kundërshtari për një tjetër miqësore, ku trajneri Arian Bellai të shohë edhe më mirë të gjithë lojtarët dhe të mendojë edhe për 11-shen anti-Laç.

Nga ana tjetër në Ballsh janë duke punuar me llogari, nisur edhe nga fakti se luajnë me skuadra rivale për mbijetesën, ku presin Laçin, me pas dy transfertave me Egnatian dhe Erzenin dhe ndeshjen e fundit zyrtare të kampionatit ajo me Kukësin në 28 dhjetor në Ballsh.

Ballshiotët do të synojnë pikët maksimale në të katër takimet për të rregulluar ekuilibrat në kalendar, por edhe për të mos mbetur pas rivalëve të mbijetesës. Vetëm dy pikë në shtatë javët e fundit, janë shumë pak për Bylisin, nisur nga objektivat dhe investimi kolosal që është bërë këtë sezon në Ballsh.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: