Dita e fundit e merkatos ishte shumë intensive, sidomos për skuadrat e Premier League. Edhe Tottenham bëri një goditje në momentin e fundit, duke afruar në ekipi Pedro Porron nga Sporting Lisbon.

Menjëherë pas prezantimit të tij në Londër me Spurs, mediat angleze i janë rikthyer historisë së vitit të kaluar, ku mbrojtësi spanjoll  u përfol se ishte në një lidhje me të dashurën e Joao Felix, i cili u huazua nga Atletico Madrid te Chelsea.

Dhe tashmë derbi mes Tottenham dhe Chelseas pritet të jetë akoma më shumë i ndezur, ku sulmuesi portugez do të përballet me mbrojtësin spanjoll. Në maj të vitit të kaluar, e dashura e Felix, Margarida Corceiro, u detyrua të mohonte thashethemet se ajo kishte tradhtuar partnerin.

Edhe vetë Porro u përpoq të sqaronte gjithçka, por videoja që u bë virale tregon se spanjolli, duke festuar pas një fitoreje të Sporting Lisbonës, shkoi te turma dhe i dha fanellën e tij Corceiro-s dhe më pas një përqafim. Në fund të këtij muaji Tottenham pret Chelsean dhe natyrisht vëmendja është edhe te dueli Felix-Porro.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb