Në fillim të viteve gjashtëdhjetë, Kina dhe pjesërisht Koreja e Veriut, zëvendësuan Bashkimin Sovjetik, si destinacioni kryesor i studentëve shqiptarë. Megjithatë, marrëdhënia e veçantë me Kinën, nuk e kufizoi regjimin për të dërguar studentë në Evropë, jo vetëm për shkak të afërsisë gjeografike, por edhe për shkak të cilësisë së arsimit perëndimor. Ndërsa marrëdhëniet me Kinën, u përkeqësuan në mesin e viteve shtatëdhjetë, autoritetet shqiptare shfrytëzuan të gjitha mundësitë e ofruara nga Perëndimi, për arsimin pasuniversitar dhe atë pasuniversitar. Ideologjikisht, Perëndimi u refuzua në të njëjtin nivel me vendet revizioniste (satelitët sovjetikë, plus Kinën), por duke ruajtur një nivel minimal komunikimi e sidomos, për atë që lidhej me studentët. Në fillim të viteve shtatëdhjetë, studentët shqiptarë në Perëndim, (Itali dhe Francë), përbënin një pjesë të vogël popullsisë studentore jashtë vendit. Nëse në vende si Kina apo Korea, studentët i nënshtroheshin një kontrolli të dyfishtë, si nga ambasadat ashtu edhe nga organizatat lokale të partisë në Perëndim, kontrolli duhej shpikur nga e para, duke qenë se ata jetonin në shoqëri dhe mjedise ideologjikisht armiqësore.

Pra, kontrolli ishte preokupimi më i rëndësishëm i ambasadave shqiptare për studentët. Ajo nuk shihej vetëm si formë tipike e përgjegjësisë ndaj bashkëqytetarëve, por më tepër si një sjellje e natyrshme e asaj që Kharkodin, në rastin e Bashkimit Sovjetik, cilëson si një kusht themelor për mbijetesën e pushtetit sovjetik. Kontrolli u përpoq të rikrijonte dhe ruante kushte të ngjashme ideologjike dhe shoqërore si në Shqipëri. Kjo ishte veçanërisht e rëndësishme për Perëndimin. Një raport për studentët nga Ambasada Shqiptare në Francë, drejtuar Komitetit Qendror të Partisë, i përshkruan studentët si që jetojnë në një mjedis ‘të rrethuar nga ideologjia reaksionare dhe borgjeze’. Mentaliteti i tipit ‘Kështjellë’, duhej të eksportohej edhe në mjedise të huaja, ideologjikisht armiqësore. Kështu studentët, u bënë subjekt i kontrollit dhe disiplinës, jo vetëm nga ambasadat e tyre, por edhe nga bashkëmoshatarët e tyre. Në fillim të viteve gjashtëdhjetë, Këshilli i Ministrave, kishte miratuar një rregullore për shtetasit shqiptarë që udhëtonin jashtë vendit.

Një rregullim i tillë normalisht, mbulonte të gjithë shtetasit shqiptarë, duke qenë se vizita në vendet e huaja, ishte para së gjithash një akt zyrtar dhe jo çështje private. Rregullorja kishte të bënte kryesisht me praktikat e kontrollit, duke thënë se asnjë shtetas shqiptar, nuk mund të udhëtonte dhe të jetonte vetëm në një vend të huaj. Ambasadat u kujdesën që studentët, të vendoseshin së bashku dhe madje të kërkonin nga administrata e  universiteteve, që të vendosin studentë apo pasuniversitarët, në të njëjtat konvikte. Në Itali, Francë apo Austri, studentët jetonin në afërsi të njëri-tjetrit dhe ndonjëherë edhe ‘të detyruar’ të bashkëjetonin, pavarësisht karaktereve të kundërta, apo mosmarrëveshjeve. Disa studentë, të cilët mbetën vetëm në një qytet të caktuar, u transferuan në kryeqytetin ku ndodhej ambasada. Në të tjera, studentët u detyruan të ndryshonin degën e tyre të studimit për arsyen e lartpërmendur. Një rregull i tillë ndiqej veçanërisht, për studentet femra, të cilat nuk mund të studionin në një universitet apo qytet ku nuk kishte studentë të tjerë shqiptarë. Ambasadat ishin veçanërisht të prirura, për të shmangur kontaktet e papërshtatshme midis studentëve meshkuj dhe femra, duke mos i lënë studentët femra dhe meshkuj, të jenë ‘vetëm’ në një qytet të caktuar.

Politikat e shkëmbimit të studentëve, qoftë midis vendeve të veçanta, qoftë në një nivel më mbi kombëtar, nuk kufizoheshin vetëm në formimin dhe krijimin e kapitalit njerëzor,  por edhe për botëkuptimin e shkëmbimeve kulturore. Në rastin e studentëve shqiptarë në Perëndim, kjo logjikë binte poshtë pasi, studentët, jetonin në një ambient të perceptuar si armiqësor, gjë që duhej të reflektohen dhe në marrëdhënien e ndërveprimin minimal të nevojshëm, me vendasit. Në raportet vjetore të vetëvlerësimit, të paraqitura nga studentët, vendasit e tjerë, quheshin zakonisht si të huaj. Pa dyshim që koncepti i të huajit, në këndvështrimin shqiptar, nuk ishte thjesht një qytetar, por ishte edhe përfaqësues i një logjikë përjashtimore, e cila mund të ndryshonte vetëm me nënshtrimin ideologjik të tjetrit. Studentët shqiptarë, me cilësitë më të mira, sipas të kuptuarit zyrtar, nuk mund të ndanin sjellje tipike konsumatore dhe të njëjtin stil jete, si bashkëmoshatarët e tyre të huaj. Kjo dilte në pah e theksohej gjithmonë në raportet që, për hir të vëzhgimit të ndërsjellë, dorëzoheshin gjithmonë nga dy studentë.

Këto raporte vlerësonin jo vetëm besnikërinë ndaj partisë, por theksonin mungesën e ndërveprimit të pahijshëm ose të rastit me elementët e huaj. Ky dallim ishte i nevojshëm, ose siç shprehet një student, “në mënyrë të tillë që të mos marrim asgjë nga mentaliteti dhe pikëpamjet e tyre politike”. Pavarësisht kësaj, studenti apo pasuniversitari, pritej të vepronte si agjent shtetëror, duke vepruar sipas rregullave ideologjike dhe morale të vendit të origjinës. Rrallëherë atyre iu kërkua të shpërndanin propagandë midis studentëve bashkëmoshatarë, por atyre u duhej të pyesnin, ose t’u jepeshin udhëzime, se si të vepronin, kur pyeteshin për politikat e vendit të tyre. Për një vend i cili mendonte se ishte fanari i vetëm i socializmit në botë, një logjikë e tillë ishte pak e çuditshme, pasi vullnetarisht, tërhiqej të propagandonte përmes studentëve shqiptarë  revolucionin socialist global. Megjithatë, regjimi arrinte të bënte një dallim mes propagandës ndërkombëtare dhe ndihmës që i jepte grupimeve apo partive të vogla marksiste-leniniste jashtë vendit, dhe Shqipërisë si shtet.

Në pamje të parë, studentët mund të ishin agjentët perfektë të propagandës zyrtare, si dhe lidhjeve që ata mund të mbanin me qytetarë apo grupe politike që ndanin të njëjtat pozicione politike, sikurse ato të PPSh-së, megjithatë, regjimi preferoi të ruante lidhje direkte me këto grupe, duke i përjashtuar studentët, pasi nuk dëshironte t’i përfshinte ata në debatet e brendshme të vendeve, ku studentët shqiptarë studionin. Për këtë arsye në Itali dhe Austri, ambasadat hartuan strategji me studentët, se si t’u përgjigjeshin pyetjeve të mundshme mbi politikën dhe shoqërinë shqiptare. Paralelisht me kontrollin e ndërsjellë, mes studentëve, Komiteti Qendror kërkoi nga ambasadat, që të riprodhonin strukturat organizative, si ato ku studentët dhe pasuniversitarët i përkisnin në atdhe në Shqipëri. Organizatat partiake, ishin të pranishme në çdo ambasadë, e për të replikuar format e organizimit socio-politik të të rinjve, në Shqipëri, jashtë shtetit, studentët u inkuadruan në seksione të BRPSH apo BPSH.

Organizatat rinore apo sindikale kishin disa fusha veprimi, ndër të cilat më kryesorja ishte politizimi i vazhdueshëm i anëtarëve përmes diskutimeve mbi situatën aktuale ndërkombëtare dhe zhvillimet në atdhe. Indoktrinimi politik individual, forma kryesore e vetëkontrollit, u zëvendësua nga organizata të lidhura me partinë, në fund të fundit përgjegjëse për aktivitetet kurrikulare dhe jashtëshkollore të studentëve. Organizatat rinore, si BRPSH ose BPSH, të organizuara nën mbikëqyrjen e ambasadave, u përpoqën të rikrijonin një mjedis thuajse monastik, që i përgjigjej logjikës së jetës në atdhe, më tepër mjedisit ku jetonin studentët. Shumica e materialeve për diskutim dhe analizat, më së shumti bëheshin nga celulat e partisë në ambasada, nën mbikëqyrjen e Komitetit Qendror. Ato përbëheshin kryesisht nga materialet e politikave partiake apo librat e fundit të shkruar nga Enver Hoxha. Organizata u përpoqën të ndërtonin një lente ideologjike, përmes të cilës studentët mund të lexonin mjedisin e jashtëm dhe të mbroheshin prej tij.

Me fjalë të tjera, ata siguruan një gjuhë standarde të përbashkët për të përballuar jetën e përditshme. Për shembull, studentët nuk inkurajoheshin të përfshiheshin në polemika me kolegët ose profesorët e tyre, por duhej të jepnin përgjigje standarde, kur pyeteshin ose provokoheshin nga studentët, profesorët dhe njerëz të tjerë. Organizata të tilla, veçanërisht në qytetet e largëta, ku nuk kishte përfaqësues diplomatikë, siguronin formën bazë dhe më me ndikim, të kontrollit në jetën e studentit. Ata u përpoqën të vepronin si mburoja të mbrojtjes ndaj një mjedisi, i cili ndonëse konsiderohej si dekadent dhe inferior, megjithatë ushtronte potencialisht tërheqje, thuajse malinje. Studentëve, as nuk u kërkua të kryenin ndonjë veprim, për të sfiduar ideologjikisht mjediset pritëse. Ata thjesht kishin për detyrë, të mbronin veten dhe vendin e tyre në publik, por edhe privatisht, nga çdo lloj provokimi që mund të ofronte mjedisi. Në disa raste, studentët sfiduan publikisht atë që ata e perceptuan si provokim. Në Francë, dy studentë iu replikuan një profesori, i cili lavdëroi Bakunin. përkundër Marksit, duke ia raportuar siç duhet, zyrtarëve të ambasadës. Në Itali, një student denoncoi publikisht një koleg, që kishte vendosur një artikull në revistë që denonconte Shqipërinë, në çantën e këtij të fundit, duke e përshkruar artikullin si një akt provokues ndaj Shqipërisë.

Ambasadat, vazhdimisht u kërkonin atyre të jepnin informacion mbi opinionet politike të profesorëve dhe studentëve vendas.  Përveç ambasadave, të cilat mbikëqyrnin procesin e kontrollit dhe ‘rregullat e ndërveprimit’ me ‘shoqërinë perëndimore’, studentët ishin subjekt i kontrollit edhe në atdhe. Të gjithë ata, kur u kthyen në Shqipëri për pushime, kryen të ashtuquajturën ‘punë fizike’, për një muaj, për të përfunduar atë që regjimi e quajti ‘trekëndëshi revolucionar’. Ai konsistonte në formimin e vazhdueshëm ushtarak, studimin e teksteve ideologjike (që supozohej se studentët i kishin bërë tashmë) dhe punë fizike. Ministria, me sugjerimin e Komitetit Qendror, parashikoi që një aktivitet i tillë të zhvillohej për kthimin e studentëve gjatë verës, si një formë spastrimi ideologjik dhe kthimi në normalitet. Zelli për kontroll filloi të zbehej, pasi numri i studentëve që studionin jashtë, vazhdoi të rritej dhe konformiteti me rregullat, nuk mund të zbatohej në të njëjtën mënyrë si më parë.

Nga fundi i viteve tetëdhjetë, formalizmi zëvendësoi kontrollin me organizatat studentore që pushuan së kryeri funksionet e tyre themelore politike dhe kontrolli i kolegëve dështoi, pasi rregullat nuk mund të zbatoheshin dhe ambasadat pushuan së kërkuari informacion nga studentët, për aktivitetet e tyre.

 STUDENTET SHQIPTARE NE PERËNDIM, (1970-1990)

                                          ‘Plaçkomania’

 Studentët, të diplomuarit apo specialistët konsideroheshin jo thjesht agjentë të shtetit, por më e rëndësishmja si bartës të parimeve dhe ideve socialiste, kudo që shkonin. Idetë dhe idealet e tilla, duhej të ishin një tipar karakterizues i të përditshmes së tyre jashtë shtetit. Lentet ideologjike të ofruara nga propaganda, ishin gjithashtu një kujtesë e vazhdueshme e jetës së tyre të përditshme. Të mos kishin kontakte të pahijshme, me bashkëmoshatarët e tyre të huaj, nënkuptonte një mënyrë jetese, që duhej t’i përgjigjej atij në atdhe dhe jo atij në vendet pritëse. Ideja që kishin zyrtarët shqiptarë për Perëndimin, ishte ajo e konsumizmit, dekadencës dhe trazirave të përhershme, morale e shoqërore. Ndërsa Partia parashikonte, epërsinë morale të studentëve shqiptarë jashtë vendit, ajo ishte gjithashtu e vetëdijshme, për tundimin që konsumatorizmi perëndimor mund të kishte mbi studentët.

Siç thekson studiuesi Vihavainen; “..njeriu (sovjetik) në një shoqëri komuniste, nuk do të ishte materialisht i pangopur”. Ambasadat u përpoqën të jepnin udhëzime për sjelljen, veçanërisht në lidhje me konsumin (veshje dhe mallra elektronike dhe të ngjashme).

Nëse nga njëra anë një udhëzues i përgjithshëm ishte se studentët, duhet të dukeshin sa më të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre, kjo duhet të ishte gjithashtu e pranueshme, për sa i përket kodeve morale dhe të veshjes të vendosura në atdhe. Xhinset, minifundet, veshjet ekstravagante, ishin pjesë e mënyrës së jetesës së borgjezisë, të lidhura pashmangshmërisht me imoralitetin e supozuar, të papajtueshëm me sjelljen dhe stilin tipik të jetesës, së shqiptarit socialist. Në përputhje dhe duke ndjekur modelet e vendosura nga përvoja sovjetike, apo edhe kineze, në jetën e përditshme revolucionare, veshja mori vëmendje të veçantë nga autoritetet komuniste.

Ndërsa mallrat e tjera të konsumit, mund të konsumoheshin në ambiente private, veshja përcaktonte thelbin e personit dhe pre dispozicionin e tij, ndaj një stili të caktuar jetese, përkatësisht atij borgjez. Raportet zyrtare, shpikën neologjizmin e ‘plaçkomanisë’, manisë së veshjeve, e cila nuk përfshinte thjesht eksesin konsumist, por ishte edhe një tregues i fortë i moralit socialist dhe thyerjes potenciale të tij.

Ambasadat dhe organizatat rinore, jepnin vazhdimisht këshilla mbi pamjen e studentëve, duke vendosur kufijtë se çfarë ishte e pranueshme dhe çfarë jo. Për më tepër, një kod i rreptë i veshjes, i cili etiketohej si i duhuri dhe dinjitoz, duhej të jepte dallimin mes studentëve shqiptarë, agjentëve të revolucionit dhe të tjerëve. Ambasadat u përpoqën të impononin vazhdimisht disiplinë, duke vajtuar për tendencat konsumatore, duke theksuar nevojën e studentëve, për të blerë libra. Ambasada shqiptare në Romë, kritikoi disa studentë se kishin kursyer para në ushqim, në kurriz të shëndetit, për të blerë një televizor, ndërsa të tjerë, kishin blerë magnetofonë. Në të tjera, studentët kundërshtuan ofertat për shtëpitë e ofruara nga ambasada, duke gjetur apartamente më pak të shtrenjta, për të kursyer para dhe për të blerë mallra, që nuk ishin të disponueshme, ose të vështira për t’u gjetur në atdhe. Veprime të tilla, u dënuan gjerësisht, në takime me studentët, por praktika u tolerua disi, edhe për shkak se artikuj të tillë, i nënshtroheshin tarifave të larta doganore në vendlindje, gjë që sillte dhe përfitim për shtetin.

Duke qenë se shteti shqiptar, nuk ishte as i aftë financiarisht dhe as i mësuar t’i përshtatte bursat me normat përkatëse të inflacionit (veçanërisht në Itali dhe Francë), ai mbështetej vazhdimisht, në bursat e ofruara nga vendet perëndimore, apo organizatat ndërkombëtare. Ndërkohë që bursat e ofruara nga shtete të veçanta, ishin pak a shumë të barabarta me ato të shtetit shqiptar, ato nga organizatat ndërkombëtare, si PNUD-i, konsideroheshin mjaft të larta. Në vitin 1982, Këshilli i Ministrave, pasi mori informacion të detajuar mbi modelet e përgjithshme të konsumit të studentëve, bëri me dije se ata që merrnin bursa nga organizatat ndërkombëtare, duhej t’u kthenin një pjesë të parave, ambasadave shqiptare. Nga ana tjetër, ajo i detyroi studentët të shpenzojnë (dhe të justifikojnë në përputhje me rrethanat), më shumë për libra, sesa për artikuj të tjerë. Dyfishimi i sasisë së shpenzimeve për libra, u konsiderua si një masë e mirë për të luftuar konsumerizmin, por edhe si një mënyrë, për të rimbushur bibliotekat në shtëpi, me literaturë shkencore, si dhe sigurimin e parave të gatshme për ambasadat, për të mbështetur numrin gjithnjë në rritje, të specialistëve që rrjedhin në Perëndimi.

Librat u bënë kështu elementi kryesor, me të cilin mund të kufizoheshin tendencat e tepërta konsumeriste, duke i riorientuar studentët drejt qëllimit, se përse dërgoheshin jashtë vendit, për të marrë njohuri dhe për të provuar veten si “më të mirë se të huajt (studentët)”. Shembuj të përshtatshëm me etikën socialiste, të u vlerësuan dhe u raportuan si praktikat më të mira. Konsumi i shkencës kundrejt konsumizmit, u bë pjesë integrale e kabllogrameve që ambasadat u dërgojnë në atdhe, ministrive dhe organeve të Partisë. Përfundimisht, beteja për “plaçkomaninë”, filloi të zbehet në fund të viteve tetëdhjetë, kur paralajmërimi u zëvendësua nga kritika e thjeshtë. Raportet në fund të viteve tetëdhjetë, pasqyronin një prirje të përgjithshme liberalizuese të regjimit komunist, ndaj aktiviteteve të studentëve në Perëndim.

Trupi, si zgjatim i shtetit

Në një shoqëri revolucionare asketesi ajo shqiptare, modelet e sjelljes duhej të përputheshin me dogmën zyrtare. Projekti i njeriut të ri shqiptar, ishte sigurisht i frymëzuar nga modeli sovjetik, i përzier me përvojën vendase. Porsi ai sovjetik,  trupi shqiptar, duhej të përshtatej me projektin revolucionar që regjim kishte ndërmarrë, për ndërtimin e socializmit. Për më tepër, duke qenë se i shërbente një projekti të përbashkët, të konsideruar si superior, si fizikisht dhe intelektualisht, ndaj atij perëndimor. Siç u përmend më parë, kontrolli i konsumizmit ishte një mënyrë, për të ruajtur pakorruptueshmërinë e trupit socialist në Perëndim. Raportet e ambasadave, përmendnin jo vetëm dukjen për sa i përket veshjes, por ato ishin aq të detajuara, sa të mbulonin edhe modelin e flokëve të studentëve. Flokët e gjata për meshkujt, ishin një simbol i dekadencës që mund t’i largonte të rinjtë, nga objektivi i vërtetë revolucionar. Minifundet dhe xhinset nga ana tjetër, ishin simbole çlirimi dhe kontestimi në vitet gjashtëdhjetë në Perëndim dhe si të tilla, ishin të ndaluara në Shqipëri.

Veshja e artikujve të tillë, për studentët që studiojnë në Paris, Romë apo Milano, do të ishte përkthyer si dorëzim ndaj idealeve perëndimore. Paraqitja kundrejt përmbajtjes, ishte një luftë e vazhdueshme mes studentëve dhe censuruesve të tyre, ambasadave dhe zyrtarëve të ministrive. Po kështu dhe kontaktet informale me të huajt, duhet të kufizoheshin në kuadrin e të pranueshmes, për standardin socialist. Ato toleroheshin deri në atë masë, sa nuk komprometonin as shtetin shqiptar, as vetë studentin. Ambasadat kërkuan sistematikisht informacion, mbi pozitën politike të profesorëve, studentëve dhe pronarëve të shtëpive ku jetonin studentët, duke përcaktuar se çfarë kontakti duhej të ishte i pranueshëm dhe çfarë duhej të konsiderohej si i papërshtatshëm. Një preokupim i vazhdueshëm i diplomatëve, ishte monitorimi apo parandalimi i lidhjeve romantike mes studentëve shqiptarë dhe vendasve, apo edhe mes vetë studentëve shqiptarë. Ndërsa nga njëra, anë dogma zyrtare vlerësonte dashurinë si shprehje lirie, kjo dashuri duhej të ishte një dashuri ‘politike’ dhe jo thjeshtë një shprehje e konsensusit midis dy individëve.

Shoqëria e re socialiste, nuk hoqi dorë nga disa nga parimet bazë të një mjedisi konservator, i cili ishte mjaft i fiksuar, pas jetës familjare dhe martesës. Përpos kësaj, regjimi komunist zhvilloi një qëndrim të thellë ksenofobik ndaj të huajve, veçanërisht pas prishjes me Bashkimin Sovjetik. Kjo preku jo vetëm sferën publike, por edhe atë private. Studentët shqiptarë, të cilët më parë ishin martuar me qytetarë të kampit komunist, u detyruan t’i mohonin gratë e huaja. Që nga kjo periudhë e fundit, martesa e shtetasve shqiptarë me të huaj, u bë krejt e pamundur. Në Perëndim, studentët këshilloheshin dhe qortoheshin vazhdimisht, për marrëdhëniet e papërshtatshme me të huajt, veçanërisht ato romantike. Në vitin 1975, burri i një studenteje shqiptare në Francë, denoncoi menjëherë tradhtinë e gruas së tij, me një student francez. Afera kishte konturet e një historie spiunazhi, pasi francezi, ishte punonjës i Ministrisë së Brendshme, pra një spiun i mundshëm. Burri, duke denoncuar menjëherë gruan e tij, fajësoi ndikimin e keq, që kishte jeta borgjeze mbi të.

Skandali u shtri edhe tek studentet e tjera, të cilat kishin pasur lidhje romantike me të huajt. E indinjuar nga ngjarja, Ministria propozoi jo vetëm të kthente fajtorët në shtëpi, por edhe të gjithë studentët që studionin në Francë dhe Itali, në atë kohë. Përfundimisht Komiteti Qendror, propozoi të ndëshkohej vetëm një person i grupit, pasi nuk donte të acaronte marrëdhëniet me Francën. Ndërsa vajzat studente i nënshtroheshin një kontrolli më të rreptë, meshkujt, gëzonin pak më shumë liri.

Në Bordo, një student u qortua për lidhje me një studente angleze, nga organizata lokale e rinisë shqiptare. Studenti bëri një autokritikë gjatë mbledhjes, duke braktisur menjëherë të dashurën. Ndërkohë që afera u konsiderua e përfunduar dhe e konsumuar në mbledhjet e organizatave rinore, ajo u rishfaq disa vite më vonë, kur një zyrtar i ambasadës, teksa ishte në një vizitë inspektimi në Universitetin e Strasburgut, zbuloi se anglezja, kishte ndjekur studentin atje. Afera u raportua menjëherë në Tiranë dhe u etiketua si ‘sjellje e degjeneruar e studentit…që vazhdoi lidhjen me një vajzë angleze’. Studenti u rikthye përfundimisht në Shqipëri, u qortua për papjekurinë e tij politike dhe u trajtua si shembull i keq për studentët e tjerë, që studionin në vendet perëndimore, në një takim të mëpasshëm me ta.

Rikthimi në vend shihej si një formë e mjaftueshme ndëshkimi, e cila më vonë do të ndikonte në mundësitë e tyre të karrierës. Megjithatë, jo të gjithë studentët iu nënshtruan presionit të shtetit ose të kolegëve, për të hequr dorë nga të dashurat e tyre, ose për të përshtatur sjelljen e tyre me direktivat politike, nga autoritetet e vendit të tyre. Një student shqiptar, në fillim të viteve tetëdhjetë në Milano, u qortua për rezultate të dobëta dhe u kërcënua se do të kthehej në Shqipëri. Studenti u thirr së bashku me babain e tij, në një takim me zyrtarë të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës, për të shpjeguar arsyet e performancës së tij të dobët. Ai fajësoi presionin dhe vështirësitë e lëndëve të ndryshme në universitet, ndërsa babai i tij, zbuloi një lidhje sentimentale që djali i tij, kishte me një kolege daneze. Studenti, teksa përballej me denoncimin e të atit, u përpoq të mbrohej, duke thënë se nuk e kishte menduar kurrë, se afera mund të dëmtonte në çdo rast shtetin. Nën presion për ta hequr dorë, studenti premtoi se do ta bënte në një moment të dytë. Afera u rishfaq vitin e ardhshëm, kur i njëjti person, u akuzua publikisht në takimin e përvitshëm me studentët në Tiranë, për vazhdimin e lidhjes. Përballë kritikave dhe një ndëshkimi të mundshëm, studenti përdori të njëjtin repertor socialist, të inkuizitorëve të tij nga Ministria, për të justifikuar sjelljen e tij.

Ndërkohë që studenti vazhdonte të takohej me vajzën, ai ishte kishte përmirësuar dukshëm rezultatet mësimore universitet dhe duke treguar se vajza dhe lidhja, nuk ishin bërë pengesë për diplomimin e tij. Ai pohoi se vajza daneze, vinte nga një familje mjaft normale, një imazh që duhet të kujtonte në mendjen e dëgjuesve dhe lexuesve, imazhin tipik të një familjeje tipike tradicionale shqiptare. Studenti, pavarësisht presioneve, vazhdoi ta shihte vajzën dhe synonte të martohej me të, me kusht që të vinte në Shqipëri. Episodi pasqyron më shumë paqartësinë e regjimit shqiptar, për t’u marrë me histori të ngjashme dhe strategjinë e tij, për zgjidhjen e tyre. Balanca gjinore në sjellje të tilla, favorizonte më shumë meshkujt se femrat. Nëse burrat shqiptarë, mund të shpengonin veten dhe të prishnin marrëdhëniet me gratë e huaja, studentet shqiptare, dënoheshin siç duhet dhe ktheheshin menjëherë në shtëpi.

Përfundime 

Marrëdhënia e Shqipërisë me Perëndimin, nga fundi i viteve gjashtëdhjetë e në vazhdim, në fushën arsimore dhe kulturore ishte ambivalente. Nga njëra anë, Perëndimi konsiderohej një armik ideologjik, ndërsa nga ana tjetër, ai siguronte një vend për një hapje dhe shkëmbim të kujdesshëm. Studentët japin shembullin më të mirë, të një marrëdhënieje të tillë. Prania e tyre në vende të zgjedhura perëndimore, do të rritej vazhdimisht me kalimin e kohës, pavarësisht nga qëndrimi ideologjik i ashpër i Tiranës. Shqipëria, u përpoq të përdorë dhe të shfrytëzojë çdo mundësi, për të vazhduar me zhvillimet shkencore, por edhe për të mbështetur kërkimin dhe menaxhimin industrial të industrive të saj. Sigurisht që këtë, e bëri në kushtet e veta, duke u përpjekur të kontrollonte dhe monitoronte vazhdimisht praninë dhe veprimtarinë e shqiptarëve, jashtë vendit. Jeta e studentit në Itali, Francë, Austri, Suedi apo Greqi, pasqyronte disi atë që po ndodhte në drejtim të kontrollit në vendin e tyre. Shteti kërkonte nga studentët, jo vetëm besnikërinë politike, por edhe riprodhimin sa më besnik të stilit të jetesës, që kishin në shtëpi.

Përsa u përket studentëve që shkonin jashtë vendit, në një kohë kur shumë pak u lejuan ta bënin këtë, procesi u konsiderua edhe si njohje talenti, por edhe privilegj. Ata duhej të studionin, pa humbur lidhjen, me parimet e marksizmit leninizmit në shtëpi.

Ndërsa në vitet e para, edukimi politik ishte një aktivitet politik, jashtë shtetit kryhej nga vetë studenti, në fund të viteve shtatëdhjetë, studentët u organizuan politikisht në grupe kolektive, që pasqyronin organizatat në atdhe. Organizata të tilla kishin për detyrë, të edukonin politikisht anëtarët e tyre dhe të kontrollonin e monitoronin aktivitetet e tyre të përditshme, të cilat duhet të pasqyronin shqetësimet ideologjike të regjimit. Me rritjen e numrit të studentëve, ato u bënë një instrument i rëndësishëm i shtetit, për të marrë informacion jo vetëm për kolegët e tyre, por edhe për të huajt e tjerë (kryesisht profesorë dhe studentë). Jeta e studentëve monitorohej nga organizatat e tyre dhe nga bashkëmoshatarët e tyre, për të forcuar kompaktësinë ideologjike dhe për të prodhuar një figurë shoqërore homogjene, të studentit shqiptar jashtë vendit.

Studentët nuk ishin thjesht individë të talentuar, por edhe agjentë shtetërorë që duhej të siguronin rezultate dhe t’i riprodhonin në shtëpi, në aktivitetet e tyre profesionale. Çuditërisht, Partia nuk u kërkoi kurrë shprehimisht, të vepronin si agjentë të saj ideologjikë jashtë vendit, por studentët do të përdornin ideologjinë, për t’iu përgjigjur çdo provokimi që mund të hasnin. Studentëve iu desh të përsërisnin edhe një sjellje të tillë konformiste, kur ishin në shtëpi dhe do të qortoheshin për importimin në Shqipëri, të veshjeve dhe mallrave të tjera të konsumueshme, që i përkisnin mënyrës së jetesës së borgjezisë.

Prania e tyre fizike, duhej të ishte gjithashtu një përfaqësim i përsosur dhe i pastër i njeriut të ri socialist, prandaj ndalimi i kontakteve apo lidhjeve romantike me të huajt, ishte rreptësisht e ndaluar. Nga fundi i viteve tetëdhjetë, kontrolli politik dhe personal mbi studentët kaloi në formalizëm, për shkak të një hapjeje dhe liberalizimit gradual të regjimit. Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb