Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar në ditën e 50-të të protestës së qytetarëve në Bulevard, duke deklaruar se kërkesa për largimin e kryeministrit Edi Rama është kthyer në çështjen kryesore të debatit publik në vend. Në një postim në rrjetet Këlliçi u shpreh se protesta vijon kundër korrupsionit, arrogancës së qeverisë, qeverisjes së keqe dhe shpërfilljes së qytetarëve.
“Sot është dita e 50 e protestës së pandërprerë të qytetarëve në Bulevard, kundër korrupsionit, arrogancës, qeverisjes së keqe, trajtimit të Shqipërisë si plaçkë dhe shpërfilljes së njerëzve”, deklaroi Këlliçi.
Sipas tij, kërkesa kryesore e protestës, largimi i Edi Ramës, mbetet pika e parë e agjendës politike në vend. “Kërkesa kryesore, largimi i Edi Ramës, mbetet pika e parë në agjendën e politikës në vend dhe në çdo ambient. I janë bashkuar shqiptarët kudo kësaj thirrjeje, por e sigurt është që askënd nuk e ka lënë indiferent”, tha ai.
Këlliçi pretendon se edhe qytetarët që nuk janë shfaqur publikisht në protestë, sipas tij, ndajnë të njëjtin qëndrim.
“Asgjë tjetër nuk diskutohet sot më shumë se sa largimi i Edi Ramës. Për ikjen e Edi Ramës flitet më shumë se për finalen e Botërorit”, u shpreh deputeti demokrat.
Ai kritikoi gjithashtu reagimin e kryeministrit ndaj protestës, duke deklaruar se sipas tij, pushteti është tronditur nga qëndresa qytetare.
“Se sa e fuqishme dhe tronditëse është kjo lëvizje që sot mbush 50 ditë, e konfirmon më së miri reagimi i Ramës. Karrigia e tij u lëkund”, deklaroi Këlliçi.
Në vijim, ai vlerësoi rolin e medias ndërkombëtare dhe reagimin e institucioneve europiane, duke thënë se protesta ka ndikuar në mënyrën se si shihet situata politike në Shqipëri.
“Edhe ndërkombëtarët, Brukseli ka pamjen e duhur sot mbi Tiranën. Prej qëndresës dhe pasqyrimit të madh mediatik, nga Reuters te CNN, ai nuk është më artisti me atlete të bardha, por gangsteri me charter”, u shpreh Këlliçi.
Ai thekson se Partia Demokratike ka zgjedhur të qëndrojë në krah të protestuesve dhe u bëri thirrje mbështetësve të saj që të vijojnë qëndresën në shesh.
“PD ka bërë zgjedhjen e duhur duke qëndruar në krah të tyre pa ekuivok. Çdo demokrat duhet të jetë krenar dhe duhet të vijojë qëndresën në shesh”, përfundon Belind Këlliçi.
Postimi i plotë:
50 ditë protestë, largimi i Edi Ramës është tema e çdo dite e çdo tryeze, e çdo ambienti. Sot është dita 50 e protestës së pandërprerë të qytetarëve në Bulevard, kundër korrupsionit, arrogancës, qeverisjes së keqe, trajtimit të Shqipërisë si plaçkë dhe shpërfilljes së njerëzve.
Kërkesa kryesore, largimi i Edi Ramës, mbetet pika e parë në agjendën e politikës në vend, dhe në çdo ambjent.
I janë bashkuar shqiptarët kudo kësaj thirrjeje. Por e sigurtë është që askënd nuk e ka lënë indiferent. Edhe ata të heshurit, në qoshet e tyre thonë njëzëri: duhet të ikë!
Asgjë tjetër nuk diskutohet sot më shumë se sa largimi i Edi Ramës, kudo në çdo hapësirë, dhe kjo është një arritje e protestës. Për ikjen e Edi Ramës flitet më shumë se për finalen e botërorit.
Se sa e fuqishme e tronditëse është lëvizja që sot mbush 50 ditë, e konfirmon më së miri reagimi i Ramës. Autokrati u shpërfaq me tiparet më të shëmtuara dhe thirri në ndihmë të gjithë qelbësirat që ishin bashkuar dikur për ta sjellë në pushtet dhe i vërsuli kundër protestës. Pse? Sepse karrigia e tij u lëkund.
Fundi i tij është dhe fundi i qelbësirave. Maskat ranë dhe kjo i shërbeu qytetarëve, publikut për të dalluar qartë të keqen në gjithë përmasat e saj. Dhe kjo është meritë e protestës. Por gjithashtu, edhe ndërkombëtarët, Brukseli ka pamjen e duhur sot mbi Tiranën.
Prej qëndresës dhe pasqyrimit të madh mediatik nga Reuters te CNN, ai nuk është më artisti me atlete të bardha, por gangsteri me charter.
PD ka bërë zgjedhjen e duhur duke qëndruar në krah të tyre pa ekuivok. Dhe për këtë çdo demokrat duhet të jetë krenar e duhet të vijojë qëndresën në shesh, përpos çdo provokimi apo insinuate të nxitur nga ata që detyrë të vetme kanë promovimin personal duke i bërë opozitë opozitës
