Ai nuk ka qenë thjesht një kualifikim, por pas “Partizanit” më 1961-in, më shumë në “pole position”, në Kupën e Kampioneve, tani është “Dinamo” e Tiranës. Përtej rrjetës, do të jenë italianët e “Virtusit”, një kundërshtar potent, që nga vështirësia, është gati e pamundur të matesh me ta. Kanë eksperiencë në të tilla takime, lojtarë cilësorë, trajtime, sponsorizime, kushte. Por si lindi dhe si u ndërtua formacioni më spektakolar në volejbollin shqiptar të djemve, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar? Çfarë ishte ajo 6-she që befasoi, jo vetëm realitetin kombëtar, por edhe atë jashtë kufijve të Shqipërisë komuniste?

Biseda më Ylli Shehun ishte vërtet emocionuese. Prej vitit 1990-të, i larguar nga Shqipëria, dhe i vendosur pranë Këlnit në Gjermani, ku jeton bashkë me familjen, u befasua fillimisht. Por shumë shpejt, biseda nisi e ndalej aq më shumë kur i tregova motivin, çfarë kujtonte nga ajo “Dinamo”, takimet me “Virtus”, e Italisë, ato më pas, si kapiteni i asaj skuadre të madhe. I kam njohur nga afër, dhe kujtoj kur rreshtimi i “Dinamo”-s niste me Shehun kapiten autoritar, shutër, shtatlartë 1.91 m., fizik i admirueshëm, korrekt, edukatë profesioniste edhe sot 84 vjeçar, i pa ndryshuar.

Z. Ylli, çfarë kujtoni në sfidat ndaj ekipit Italian, “Virtus”?

Italianët erdhën në Tiranë, pa ditur çfarë ishte Shqipëria, niveli i volejbollit tonë, që shërbeu si favor për ne, dhe e menduan të lehtë fitoren. Kujtoj tifozerinë dhe në korridor pas takimit, kur midis tyre dikush i bërtiste: “Ju thashë, të mos i nënvleftësonit”. Ishte një rezultat që befasoi edhe gazetarët italianë që shoqëronin skuadrën.

Ndeshja e parë, fitore taktike?

Aplikuam shërbimin valëvitës, sulm dhe lojë të shpejtë, me topa të ulët, ndaj bllokut shtatlartë me shuterëve të fuqishëm të tyre. Në atë kohë, në Tiranë ndodhej Zhen Gou Hëng, një trajner kinez, i cili jepte eksperiencën e tij. Por në Itali, ai nuk erdhi!

Shkojmë te ndeshja e kthimit, si e kujtoni atmosferën para atij takimi?

Ajo u zhvillua në mbrëmje, në një pallat sporti me publik e tifo të madhe, ndërsa ne na kishin kapur emocionet. Humbëm, por u kualifikuam. Duhet të bënim detyrimisht 17 pikë plus, por pas të 18-tës që na siguroi kalimin, pati rënie në lojë. Por nga frika se ato të protokollit, ishin gjyqtar italianë, trajneri Vangjel Koja mori pushim, foli ashpër. Ne reaguam dhe bëmë në total, 29 pikë.

Humbisni por kualifikoheni?

Loja jonë varionte, në kombinimet, alterimet e mia që isha në formë, me Asllan Rusin në pozicionet 2, 4, bashkë me Enis Terihatin, Lulollin, Sharofin, Ali Bushatin, Kiço Lenën dhe organizimin e lojës, e kishin në dorë Tan Panteqi e Kreshnik Tartari. Pas ndeshjes u përqafuam, se për festime të mëdha, edhe pse ishim kualifikuar, nuk bëhej fjalë. Diheshin festimet tona, gjithçka nën presion, jo të lirë.

Është thënë se në Bolonjë, ju shpallin “Qytetarë Nderi”?

Në banketin e organizuar në mbrëmje, vjen Kryetari Bashkisë së Bolonjës, që lexoi një dekret, me të cilin ai na shpallte “Qytetarë Nderi”. Ai ishte anëtar i Partisë Komuniste dhe e bënte për të na nderuar ne, me që vinim nga një vend komunist. Na dhanë edhe medaljen.

 Ekzistonte frika për largime, pra nëse dikush nga ekipi mund të qëndronte në Itali, duke kërkuar azil politik?

Përgjegjës i ekipit, ishte Vaskë Afezolli, njeri shumë korrekt. Kur po shëtisnim në qytet, i shihte djemtë, kishte frikë e shpesh më thoshte, se mos ikte ndonjëri. Aq sa tërhoqi vëmendjen e shoqëruesit tonë, i cili më pyeti, çfarë ka pse shqetësohet përgjegjësi juaj? Kudo kur shkonim jashtë vendit i këshilloja shokët të ishim të rezervuar, të kujdesshëm. Qëndronim në grup e të shkëputur, nuk guxonim të komunikonim me të huaj, kishim porosi, “mos i fol askujt”, na thoshin!

Në çfarë itinerari u kthyet në Shqipëri?

Shkuam në Ravena, ku qëndruam 3-4 ditë, flinim dhe trajtoheshim në anijen “Skënderbeu”, bënim stërvitje në qytet, me skuadrën vendase. Por siç na thanë papritur, ishte prishur kontrata dhe malli po rikthehej në anije, dhe ajo do vonohej. Pas kësaj, me tren na dërguan në Trieste, dhe me anijen “Dajti”, pas një ndalese në Rijeka, mbërritëm në Portin e Durrësit. Ka qenë një det i qetë, si liqen dhe kapiteni një korçar, shok i Vaskës, na krijoi mundësinë të stërviteshim në hambarin e boshatisur të saj.

Flasim pak për ndeshjen e zhvilluar nw Hagën e padrejtësisë e të “kaubojsave”?

Kujtoj setin e dytë, kur gjyqtari nuk na lejoi të bënim pikën e 14-të. Pastaj haptazi në të tretin duke na frenuar te pika pestë, pa na lejuar të 6, e të 7, që na jepnin kualifikimin. Pati nervozizëm nga ne, Ali Keta, përgjegjësi i ekipit, unë reagova ashpër ndaj tij. Ndërkohë, para takimit, shoqëruesi e pyet Xhelën, mos doni të shihni ndonjë film? Po iu përgjigjëm ne, mundësisht me kaubojsa. E di çfarë na tha ai? Para jush, këtu ishin ato të CSKA-së, skuadër e madhe, lojtarë të vegjël. Kur i pyeta se çfarë donin të shihni, më kërkuan filma pornografikë!.

Po fryn tjetër “erë”, për volejbollin shqiptar…?!

Ishin takime, rezultate, përfaqësime që jepnin shenjat se një cikël i ri ka nisur, me shpresë për një ndryshim rrënjësor e tjetër mentalitet në volejbollin tonë. E reflektuar te Dinamo, një grup harmonik, në ndeshje, stërvitje, bashkë kudo. Nga të gjithë, me Vasil Bingën dhe Tan Panteqin, kam patur më shumë miqësi. Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb