TIRANË

Largimi i Ilir Dajës nuk ishte një rrufe në qiell të hapur por ishte një divorc i paralajmëruar në kohë, thjeshtë emri i madh që përfaqëson Daja dhe deklaratat në distancë të presidentit Demi dhe drejtorit Rama, bënë që ky vendim të zgjatej në kohë, sigurisht në mes ishte dhe një kontratë për ende për tu zgjidhur.

Me Dajën që ka vendosur të largohet nga “demat”, në shtëpinë e kuqe ka nisur puna për të gjetur zëvendësuesin ideal. Sigurisht që stoli i kuq është nga më prestigjiozët në elitë dhe të shumë janë ata që dëshirojnë të ulen por drejtuesit e klubit kanë vendosur të gjejnë një zgjidhje brenda familjes, të paktën deri në fund të sezonit.

Burime të sigurta për “Sport News” bëjnë me dije se stoli do ti besohet Dritan Mehmetit, trajneri që aktualisht drejton 21-vjeçarët e Partizanit. Mehmeti e njeh shumë mirë ambientin në shtëpinë e kuqe pasi për një kohë të gjatë ka punuar si zëvendës trajner, dhe në çdo rast, nuk e ka refuzuar kurrë të marrë drejtimin e ekipit, sa herë i është kërkuar nga drejtuesit e klubit.

Mehmeti pritet të zgjedhë edhe bashkëpunëtorët e tij, por gjithçka do të bëhet zyrtare vetëm pasi të jetë mbyllur çështja Daja, të jetë zgjidhur përfundimisht kontrata me trajnerin që i drejtoi deri në javën e 15-të.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb