Emisioni “Në Shënjestër” në News24 i është rikthyer mbrëmjen e sotme helmimit të katër turistëve rusë në ‘Gloria Palace’, ngjarje kjo e ndodhur mbrëmjen e 15 tetorit 2021 në zonën e Golemit në Kavajë.

Ngjarja është trajtuar edhe në një emision të veçantë, por që këtë mbrëmje janë sjellë dokumente të reja, për t’i dhënë fund një dileme se çfarë përfaqësonte Sergey Burenkov?!

Siç e shikoni edhe nëpërmjet dokumentit që disponohet ekskluzivisht nga emisioni ‘Në shënjestër’, rezulton që shtetasi rus Sergey Vasiljeviç Burenkov, në vitin 2015 ka shërbyer si kolonel policie brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Federatës Ruse ose ndryshe Komandant i Forcave OMON në zonën e Irkuyskut.

Ndërkohë që në këtë dokument tjetër që disponohet po nga emisioni ‘Në shënjestër’, konstatohet edhe shkaku i vdekjes së shtetasit rus Sergey Burenkov.
Që sipas ekspertizës mjeko-ligjore, nga këqyrja e jashtme nuk u konstatuan dëmtime trupore.

Ndërkohë që në këqyrjen e brendshme të trupit ekzaminimet histopatologjike dhe ato toksikologjike kanë konstatuar një prani të monoksidit të karbonit në gjak në nivelin 76 përqind.

Hiperemi e trurit me edemë pericelulare, edemë dhe kongjestion I mushkërive, piketime hemorragjike e cipave seroze, kist në mëlçi, ishemi akute e miokardit.
Stazë vazale multiorganore.

Ndryshimet organore të konstatuara janë edhe shenjë e helmimit nga monoksidi i karbonit.
Shkaku i vdekjes së shtetasit Sergey Burenkov ka qenë ndalimi i qendrave respiratore trunore si pasojë e helmimit me monoksid karboni, me mekanizmin e anoksemisë qelizore.

Po çfarë është OMON?
Sipas kërkimeve që ka bërë stafi i emisionit ‘Në shënjestër’ OMON, ishte një njësi speciale militare e krijuar e cila funksiononte për qëllime te veçanta.
Dhe që shërbente si një njësi speciale brenda brenda Gardës Kombëtare të Rusisë.

OMON më parë ka funksionuar brenda strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme Sovjetike dhe më pas ruse.
Dhe që trashgonte të njëjtin funksion si njësia e forcave speciale e milicisë Sovjetike e cila në vitin 1988, ka luajtur një rol të madh në disa konflikte të armatosura gjatë dhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.

Po sipas këtyre informacioneve OMON është shumë më i madh dhe më i njohur se edhe vetë SOBR, një tjetër degë speciale e policisë së Gardës Kombëtare të Rusisë.
Në kontekstet e ditës së sotme, OMON shërben si një grup policie kundër trazirave, ose si një forcë paraushtarake e ngjashme me xhandarmërinë.
Njësitë OMON ekzistojnë gjithashtu në Bjellorusi, Kazakistan, Taxhikistan dhe shtete të tjera post-sovjetike.

Megjithatë, disa njësi post-sovjetike kanë ndryshuar emra dhe akronime.
Më 5 prill 2016 OMON u bë pjesë e Gardës Kombëtare të sapokrijuar të Rusisë, duke i dhënë fund viteve të saj si pjesë e Ministrisë së Brendshme.
Interesant është fakti se OMON ishte aktive në Luftën e Parë Çeçene në vitet 1994-1996. Në të cilën OMON u përdor veçanërisht në operacionet famëkeqe të “pastrimit” të quajtura (zachistka).

OMON mori pjesë edhe në Luftën e Dytë Çeçene. Ku forcat e OMON-it pësuan humbje të rënda në konflikt. OMON u akuzua shpesh për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut gjatë rrjedhës së konfliktit, duke përfshirë rrëmbimin, torturimin, përdhunimin dhe vrasjen e civilëve.

Ky ishte informacioni më i fundit që emisioni Në Shënjestër disponon për vdekjen e katër turistëve rusë në një hotel në Golem më 15 tetor 2021.
Ku humbën jetën Sergey Burenkov 60 vjeç, gruaja e tij Natalia 58 vjeç, vajza e tyre Ekaterina 31 vjeç dhe bashkëjetuesi i saj Nikita Belousov, 37 vjeç.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb