Emisioni “Në Shënjestër” nga Klodiana Lala në News 24, ka zbardhur dosjen hetimore në ngarkim të ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi i arrestuar pak ditë më parë me urdhër të SPAK për akuzat e korrupsionit dhe  pastrimit të parave.

Pjesë nga dokumentari:

Sipas SPAK është e vërtetuar se Evis Berberi së fundmi në rolin e drejtuesit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, dhe më herët në atë të Drejtorit të Eficencës së Energjisë; miku i tij biznesmeni Valter Begaj dhe Ervis Lami administrator i shoqërisë ‘Daam’ sh.p.k., si dhe punonjës i shoqërisë ‘Net Group’, kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin më qëllim përfitimin e të ardhurave të paligjshme. Konkretisht sipas SPAK, Evis Berberi, duke qenë në pozicione të tilla drejtuese, ka marrë nga shoqëria ‘Net Group’, që është përfituesja e prokurimeve publike gjatë kohës që ai ishte në krye të autoritetit kontraktor, përfitime të parregullta monetare të fituara në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet shoqërisë “DAAM’ sh.p.k., të kontrolluar prej tij.

“Marrja e këtyre përfitimeve është realizuar pas fitimit të procedurave të prokurimit nga ana e shoqërisë  ‘Net Group’ sh.p.k., në zotërim të shtetasit nën hetim Valter Begaj, prokurime publike të zhvilluara me titullar të autoritetit kontraktor, shtetasin Evis Berberi. Shtetas të cilit më pas i kanë kaluar vlera monetare nëpërmjet transaksioneve në drejtim të shoqërisë në zotërim indirekt po të tij, të njohur si ‘DAAM’ sh.p.k”, thuhet në dosje.

Po sipas këtyre hetimeve del se Evis Berberi ka vazhduar ta mbajë këtë marrëdhënie klienteliste me kompaninë që kishte themeluar po vetë dhe e kishte shitur me sa duket thjesht për të hequr dyshimin e një konflikti interesi me detyrën, edhe gjatë kohës që ishte drejtues në Autoritetin Rrugor Shqiptar.

“Nga hetimi ka rezultuar se gjatë kohës kur shtetasi Evis Berberi ka qenë nën cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, Agjencia për Eficencën e Energjisë, ka zhvilluar tre procedura prokurimi në vlerën totale 137 400 000 lekë pa Tvsh, me operator fitues shoqërinë e shtetasit Valter Begaj, ‘Net Group’ sh.p.k. Kurse gjatë kohës kur shtetasi Evis Berberi ka qenë nën cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, Autoriteti Rrugor Shqiptar, janë zhvilluar tre procedura prokurimi në vlerën totale 101 811 343 lekë, pa Tvsh, me fitues bashkimin e operatorëve me pjesëmarrëse shoqërinë e shtetasit Valter Begaj ‘Net Group’ sh.p.k.,. Po ashtu, nga hetimi ka rezultuar se shoqëria ‘Daam’ sh.p.k., në zotërim indirekt të shtetasit Evis Berberi, ka përfituar të ardhura nëpërmjet transaksioneve nga shoqëria e shtetasit Valter Begaj ‘Net Group’ sh.p.k., në vlerën 223,480,476 lekë, me tvsh”, thuhet në dosje. Një tjetër aferë e rëndë që tregon se si paratë e taksavepaguesve në vend të shkojnë për shërbime, shkojnë në xhepat e miqve të pushtetarëve dhe të atyre vetë.

Kjo jo vetëm nëpërmjet makinacioneve të tilla, por edhe një skemë korrupsioni gati të hapur, siç ishte edhe kjo ishte përfshirë kreu i ARRSH-së dhe miqtë e tij, të cilët dorovisnin njëri-tjetrin me paratë publike.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb