Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç dhe kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kanë nënshkruar një deklaratë në Suboticë të Vojvodinës për avancimin e marrëdhënieve dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet dy vendeve.

Para kësaj, dy liderët janë takuar në mënyrë simbolike mbi një urë në lumin Danub që i lidh dy vendet.
Në Dalj, një fshat në Kroaci që është i banuar kryesisht me serbë, ata vizituan shtëpinë e Milutin Milankoviqit (1879-1958), shkencëtar me famë botërore. Pas kësaj, dy zyrtarët vazhduan turneun e tyre në Tavankut të Poshtëm, afër Suboticës.

“Dëshirojmë të jetojmë në paqe, të ndërtojmë besueshmëri dhe të krijojmë atmosferë më të mirë”, ka thënë Vuçiq pas nënshkrimit të deklaratës, transmeton Koha.net.

Ndërkaq, presidentja kroate, Kitaroviç ka thënë se takimi nuk ka ardhur nga presioni ndërkombëtar.

“Më shumë ka qenë i motivuar nga dëshira jonë e përbashkët për të ndërmarr hapa konkretë në riafrimin e dy vendeve”, ka thënë ajo.

Deklarata flet për mosmarrëveshjet kufitare, për fatin e personave të zhdukur gjatë luftës së viteve të ’90-a, çështjet e suksesionit, bashkëpunimin ndërkufitar dhe të tjera.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb