Nga: KIÇO BLUSHI *
Edhe ne që jetojmë në Tiranë nuk e njohim, apo më saktë: pak e njohim jo vetëm periferinë, por edhe qendrën. Madje ndodh që, teksa del … për të pirë një kafe, papritur të bef një lokal luksoz, a një pallat shumëkatësh, të cilin nuk e ke pikasur më parë, edhe pse në atë rrugë kalon përditë. Nuk mjaftoka të jetosh në Tiranë për ta njohur kryeqytetin. Është e vështirë, shpesh edhe e gabuar të orientohesh nëpër kryqëzime, ku semaforët dhe vijat e bardha, si askund tjetër, po i respektove, mund të të vënë përballë situatave të sikletshme, pse jo edhe kërcënonjëse e të rrezikshme. Ashtu si në përditshmëri: kush nuk i respekton ligjet (semaforët) mund të kapë kollaj suksesin.
Rrugët tona kudo, edhe nëpër autostrada, nuk i kanë shpëtuar dot sundimit të gropave, pluhurit, plehrave dhe baltës. Nuk ka asnjë aks të përfunduar. Rrugët e Shqipërisë, këto tenderngrënëse gjigante, nuk kanë pikë respekti jo vetëm për kalimtarët, por as për ligjet, për rregullat e qarkullimit, për sinjalistikën, madje as për lulet artificiale të të vrarëve të shumtë buzë tyre. Nëse bri një udhe kalon një lumë a përrua, do të të ndjekë pas një dekor fantazmagorik qesesh plastike, kanoçesh dhe shishesh të mbetura nëpër ferra e rrëkera. Nuk ka pasqyrë më të qashtër që tregon anarkinë se rrugët. Trotuaret janë kafshuar jo nga qentë, por nga babëzia e njerëzve, duke u bërë viktimat më të shëmtuara të ekonomisë së tregut, të një ekonomie më shumë të allishverishit, dmth., informale se normale, e cila shet-e-blen më tepër jashtë, nëpër rrugë e nën dorë, me lista, shpesh edhe mall me mall, si në primitivitet, se brenda dyqaneve.
Në rrugët tona të masakruara nga allishverishi kanë humbur jetën, – vrarë dhe aksidentuar, – më shumë njerëz se në Luftën e Dytë Botërore. Të kandaharizuara, rrugët e qyteteve e sidomos ato të katundeve janë fytyra më e përpiktë e shoqërisë. Ato nuk kanë nevojë për ciceron, as për përkthyes, as të dish shqip që të kuptosh, sa hyn në kufi, se cili është niveli i shoqërisë dhe i mirëqenies. Rrugët të ndihmojnë të kuptosh pa ndihmën e mediave dhe të analistëve televizivë se si jemi sjellë ne me pronën publike, se si e kemi ndërtuar bashkëjetesën me komunitetin dhe shtetin. Rrugët e deklarojnë hapur e pa drojë rrokopujën e tahmasë, sundimin e mendësisë sonë mbarëkombëtare, që me pak fjalë mund të përmblidhet kështu: “bjeritibiem e letëdalëkutëdalë”, mendësi që zyrtarët e lartë përpiqen ta fshehin para të huajve.
Mjafton të ngjitesh për një kafe në “Dajt” që të kuptosh sa më sipër. Por edhe dy autostradat e reja, njëra që të çon në Durrës e tjetra në Elbasan, le më po të shkosh në Pogradec, të bindin që në Shqipëri gjallon ekonomia e kërnackave dhe e benzinatave pa fund në çdo cep rruge, e ndërtimeve pa lejë buzë xhadeve, autostradave dhe mbi tokat e bukës, produkt konkret i një sistemi politik deledash, tejet origjinal: as kapitalizëm, as socializëm. Ose: edhe kapitalizëm, edhe socializëm. Një sistem pa urbanistikë, pa arkitekturë, pa vizion, pa perspektivë, ku edhe qeni nuk e gjen dot shtëpinë e të zotit po e humbi. Kur e pyetën një turist miqtë e tij se ç’vend kish vizituar, iu përgjigj: “Në një vend ku të gjitha tabelat të çonin në një drejtim: në LAVAXHO.
Në të vërtetë kjo fjalë e huaj “lavazh” mjafton për të kuptuar trendin e zhvillimit tonë ekonomik.
***
E megjithatë, rrugët ndryshojnë përditë, si njerëzit. Edhe fasadat, edhe rekuizita, edhe veshjet, edhe komunikimi, edhe moda. Pallatet dhe banorët janë tjetërsuar e përzierë me një ritëm të paparashikueshëm. Qeni ende e njeh të zonë, por njeriu njeriun, përditë e më pak. Marrëdhëniet zgjedhës-i zgjedhur, qytetar-zyrtar, blerës-shitës, prind-fëmijë, ish-pronar i ligjshëm-pronar i ri, mjek-pacient, keqbërës-polic, i pandehur-gjykatës, punëdhënës-punonjës, etj. janë ndryshuar e tjetërsuar në themel. Nuk ka kod sjelljeje të përcaktuar e të bashkëpranuar në këto raporte të vështira. Terapinë e shokut e kanë pësuar më së pari rrugët, jo vetëm ato ku ecim, po edhe rrugët e bashkëjetesës brenda një shoqërie, një gjuhe e një kombësie. Aq më pak e njohim rininë e sotme.
Tani mund të ndodhë që një vajzë nga zonat më të thella (aty ku deri dje thuhej se të merrnin “gjak në vetull për një çikë nder!”), ndodh të bëhet e famshme duke ekspozuar nëpër televizione dhe rrjete sociale fundshpinën (dmth., prapanicën) dhe prindërit e saj të ndjehen të lumtur për suksesin e bijës së tyre… Tani mund të jetosh prej vitesh në të njëjtin pallat dhe komshiut nuk ia di as emrin. Çasti në rrugë mund të të vërë përballë të papriturash, ndaj të cilave as vetë nuk e di se si do të duhet të sillesh. Sot edhe prindi më i përkushtuar pak e njeh pjellën e vet. Fëmijëve të sotëm u është mohuar rruga sa janë të vegjël, por kur rriten, rruga, si “institucion” është më e fuqishme dhe ndikonjëse se familja dhe shkolla. Rruga ka marrë pushtet aq të madh, sa as policia e Nju Jorkut nuk mund ta bëjë dot zap. Tash është dukuri mëse e zakonshme që etërit të habiten e të mos e besojnë dot kur, rastësisht, marrin vesh që fëmijët e tyre janë përdorues droge. Le më pastaj kur, të gjorët, “papritur e pakujtuar” dëgjojnë nga televizori se “engjëjt” e tyre kanë rënë në burg, të akuzuar për vrasje, trafiqe, prostitucion apo vjedhje…
Tritoli, vjedhjet e bankave, vrasjet dhe aksidentet nëpër rrugë janë bërë mëse të rëndomta. Gati-gati nuk bëjnë më përshtypje, sa kohë ndodhin jashtë e larg derës sonë. Nën këtë trysni mendja dhe preokupimi i qytetarit të ndershëm është përqendruar e kufizuar brenda metrave katrorë të apartamentit të vet: si e si të sigurohet një dhomë gjumi apo një banjo sa më moderne; ndërsa fshatari nuk shikon më larg se gardhi i vet, aty ku gëlojnë pulat, delet, lopa e ndonjë mullar… Por a mjafton vetëm kaq?
Brenda gardhit të një katundari, si në veri edhe në jug, sheh patjetër një veturë, por jo një minitraktor. Buzë rrugëve gëlojnë katunde me shtëpi të reja, disakatëshe, kryesisht të papërfunduara, me tjegulla të kuqe, të cilat kanë “ngrënë” jo vetëm kursimet e djersën e emigracionit, por edhe tokat e bukës, të shitura për të pasur një veturë para shtëpisë… Askush nuk kujdeset për kanalet e kullimit, të vaditjes, për hidrovoret e kolektorët; ato janë të askujt, dmth. të shtetit. Por shteti nuk ekziston. Vetëm kur përmbyten, apo kur erozioni u shemb shtëpinë e katandinë, fatkeqët dorëzohen e kërkojnë ndihmën e solidaritetin jo të komunitetit, por të shtetit. Sa kohë që nuk u ka rënë çatia dhe halli mbi kokë, ata patën kujtuar se guaska e individualizmit është më e fortë dhe më e sigurtë, ndonëse më e dobët, se ajo e një kërmilli.
Tani kemi dy Shqipëri. Një reale, tjetra virtuale. Një që përpiqet të mbijetojë, me çdo kusht e çmim; tjetra që na shikon nga ekranet, që na drejton, na mëson dhe na “edukon” si të sillemi, si të votojmë dhe si të gjykojmë. Akoma më pak i njohim krerët që na drejtojnë. Vetëm kur këta ikin/bien nga pushteti, i biem kokës me grusht e psherëtijmë dëshpërueshëm: si u patëm besuar këtyre dinsëzëve? Po edhe Shqipërinë urbane, e sidomos atë rurale askush nuk e parashikon dot se ku po shkon e ç’rrugë ka marrë. Fakt është që jo vetëm mjedisi, por edhe shoqëria ka pësuar tjetërsime rrënjësore, ca për më mirë e më shumë për më keq, në mendësi, në moral, në marrëdhënie, në strukturë. Krahasuar me vendet e ish-Lindjes, po edhe më fqinjët e kufirit tokësor, nuk mund të mohohet se ritmi i zhvillimit tek ne është ku e ku më befasonjës, ndonëse sa kaotik, po aq edhe spontan e dinamik. Vetëm se në këto vite, djallëzisht rrugët e politikës, ndryshe nga rrugët e qyteteve dhe fshatrave, nuk dihet ku do të na çojnë.
Kjo, sepse tek ne nuk janë krijuar dy krahë politikë: të djathtë e të majtë, por dy kampe ndërluftuese, të cilat vështirë se do ta mbyllin me paqe luftën mes vedi as në këtë shekull. Këta janë ish-pronarët e ligjshëm dhe pronarët e rinj. Beteja mes pronës së pambrojtur publike dhe pronës private (e pronarëve të rinj partiakë), si çdo luftë pushtuese dhe e pabarabartë, është shkaku parësor e qenësor i rrënimit, jo vetëm të rrugëve urbane apo rurale ku ecim, po edhe i rrugëve të komunikimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.
***
Nëse në vitet e para të pasdiktaturës të gjithë besonim se do të ishte politika, zgjedhjet e lira dhe liria e fjalës, “shkopi magjik” dhe udha që do të sillte sakaq mirëqenien e ne do të jetonim me standardet evropiane, në rrugëtimin disaditor për në Elbasan, Pogradec e Korçë, të gjithë sa takova, të njohur e të panjohur nuk bënin ato pyetjet rutinë që bëhen edhe nëpër dasma e morte për aktualitetin e politikës: Si do të dalin zgjedhjet? Ose: A është e drejtë që qeveria të zihet me presidentin për një emërim ambasadori…? Ose: A ka dhënë vërtet dorëheqje Saliu, apo është ai që e drejton realisht PD-në?…etj.. etj.
Kësaj here meraku dhe bisedat lidheshin me rrugët. Si psh: Kur do të mbarojë vallë autostrada e Elbasanit? Po në rrugën Qafë Thanë-Pogradec përse nuk po punohet? Mos vallë e kanë lënë të presin shiritin edhe këta, në prag të zgjedhjeve? Përse shëtitoren nga stadiumi i Korçës deri te varrezat e francezëve e kanë bërë njëkalimëshe? Që të mos hyjnë në Korçë udhëtarët nga Kapshtica? Po a nuk do ta bëjë kjo rrugë “qorre” Korçën si Maliqin dhe Ersekën të izoluar? Përse u bë gjithë ai investim në sheshin para Teatrit e Bibliotekës, ajo kullë-ngrehinë stolisur me xhama banjoje, ato dredhore e zigzage trotuaresh e rrugicash, si fela bakllavaje, kur gjithë ai shpenzim mund të ishte derdhur në një drejtim më ekonomik?
Nuk kanë rëndësi përgjigjet, as debatet, as përfundimet, por fakti që ka ndryshuar në themel optika e qytetarëve. Shumica e kanë kuptuar se nuk mjafton të bësh të bukur apartamentin ose oborrin brenda gardhit, por lipsen edhe rrugët jashtë shtëpisë, sidomos ato që lidhin fshatin me qytetin. E pra, votuesit tani ia dinë vlerën votës së tyre, ndaj të zhgënjyer e të pakënaqur nga rrugët që ka ndjekur politika gjithë këto vite, të thonë në intimitet se ka rrezik të përdoret nga zgjedhësit për të zgjedhurit, si i vetmi dhe i pari ndëshkim demokratik që bën zgjedhësi.
E po ndodhi kështu, kjo do të thotë se qytetarët, të zhgënjyer në këtë një çerek shekulli, mesa duket e kanë mësuar tashmë se vetëm rrugët do t’i ndihmojnë të ecin përpara, të bashkëjetojnë në harmoni, të shesin prodhimet e të afrohen me njëri-tjetrin dhe standardet e Evropës. Pa rrugë reale nuk ka se si të hapen vende të reja pune dhe as të lidhen banorët me tokën, me fshatin dhe qytetin e tyre. Se, tekefundit, janë rrugët e jo propaganda, premtimet demagogjike të partive e krerëve që mund të sjellin ndryshimin e shumëpritur. Vetëm po të vijnë turistë do të punojnë mbroth restorantet dhe hotelet, si i vetmi burim i sigurtë të ardhurash për “Parisin e vogël”, si e ka quajtur veten Korça, ku aktualisht nuk ka asnjë perspektivë për prodhim industrial, por vetëm për shërbime. Vetëm kur rrugët do të lidhin dhe afrojnë qytetin me fshatrat e Devollit e Kolonjës do të sjellin begati e jo si tash kur shpërthimet e shpërpjestimet demografike mëkojnë kaosin dhe rrëmujën dhe kur produktet bujqësore, mollët, patatet e qepët, po edhe qumështi dhe djathërat bio të baxhove të leverdis më mirë t’i derdhësh në përrua, se sa të dalësh në pazar e t’i shesësh… Peisazhi gjithandej ka ndryshuar, se kanë ndryshuar fasadat, muret e shtëpive janë lyer, dritaret e dyqaneve nuk janë më me hekura, si në fillim të viteve ’90-të, por më shumë kanë ndryshuar njerëzit e thjeshtë, ata që kanë vendosur të mos ikin në emigracion dhe që punës vazhdojnë t’i thonë punë dhe djersës djersë.
Fatkeqësisht këtë ndryshim rrënjësor në mendësinë e qytetarit të zakontë dhe anonim nuk e kuptojnë dot krerët e politikës. Kur i dëgjon se si zihen e grihen edhe për një emërim ambasadori, e kupton se ata jetojnë në një tjetër botë. Ata vazhdojnë të na qeverisin jo me veprime dhe reforma, po më shumë me propagandë, duke vazhduar të na dhënë shembullin e modelin se si mund të fitosh po të mos merresh vesh dhe se si mund të bëhet politikë vetëm duke ligjëruar nëpër ekrane dhe takime me popullin se si duhet “të zihet kosi” dhe “nga se bëhet rakia”.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: