Një tjetër kapitull do të nisë për Ko mbëtaren shqiptare dhe këtë herë me një brazilian në drejtim. Silvinjo nuk ka nisur ende nga puna në fushë me futbollistët, por duhet bërë e ditur që situata nuk është edhe aq favorizuese për të, duke nisur nga dëmtimet dhe mosaktivizimet e lojtarëve.

Edhe pse siç thuhet në FSHF, ai nuk e ka problem këtë pjesë, ndoshta për shkakun se nuk do që të ndikojë negativisht si një faktor psikologjik. “Panorama Sport” ka listuar 10 pengesa që ka aktualisht ekipi kombëtar.

1.PROBLEMI I PORTËS Si rrallëherë situata me portierët është shqetësuese. Etrit Berisha, i cili është edhe kapiteni i Kombëtares, është përjashtuar nga Torino dhe stërvitet veçmas, ndërkohë Tomas Strakosha ka disa probleme me dëmtimet dhe ka mbetur në rolin e portierit të dytë që prej kalimit te Brentfordi. Gentian Selmani u kthye nga Turqia te Laçi në Superiore, ndërkohë Elhan Kastrati po luan rregullisht në Serinë B me Çitadelën.

2.MBROJTJA ME 4, SAKRIFIKOHET NJËRI Edhe pse nuk ka nisur ende nga puna në fushë, Silvinjo ka krijuar në kokën e tij se çfarë skeme do të aplikojë. Flitet se braziliani do të luajë me një 4-3-3, ashtu siç ka luajtur edhe më parë. Megjithatë nëse përdoret kjo skemë loje, atëherë njëri prej qendërmbrojtësve do të sakrifikohet, ku janë emra si Gjimshiti, Ismajli dhe Kumbulla.

3.HYSAJ SËRISH MAJTAS Me formën e mirë që ka kaluar Ivan Balliu, Elseid Hysaj është detyruar që të kalojë në krahun e majtë të mbrojtjes. Shqipëria nuk po gjen ende lojtarin e duhur për këtë krah, pasi Lenjani është larg formës së dikurshme, Trashi ka kohë i shkëputur nga Kombëtarja, Hoxhallari nuk u grumbullua për një periudhë dhe alternativa më e mirë mbetet Hysaj.

4.MESFUSHA PLOT “HALLE” Dy mesfushorë tepër të rëndësishëm janë të dëmtuar. Keidi Bare i Espanjolit, i cili kreu operacionin në dhjetor dhe nuk dihet ende se kur do të kthehet në fushë dhe Klaus Gjasula i Darmshtadit, i cili nuk luan që prej muajit shtator. Asllani dhe Laçi nuk po marrin minuta me klubet e tyre dhe të vetmit që ngrohin disi janë Bajrami dhe Çekiçi dhe deri diku edhe Abrashi. Pritet çdo të ndodhë me Roshin.

5.MESFUSHORËT E STOLIT Ka disa emra, si Ylber Ramadani që luan në Skoci, Enis Çokaj i Panathinaikosit apo edhe Arbnor Muçolli, i cili aktivizohet në Kategorinë e Dytë daneze. Alternativat nuk mungojnë, por të marrësh përgjegjësitë e mesfushës së ekipit kombëtar, kërkon më shumë eksperiencë dhe një marsh më të lartë në lojë.

6.BROJA KA MBYLLUR SEZONIN Një prej lojtarëve më premtues të ekipit kombëtar ka mbyllur sezonin si pasojë e këputjes së ligamenteve. Sulmuesi i Çelsit po vijon me rikuperimin, por gjithsesi do të jetë një mungesë e rëndësishme për ndeshjen e parë. Shpresojmë të jetë gati për ndeshjet e qershorit.

7.SULMI Rei Manaj është pa ekip dhe i dëmtuar, kampionati i Ukrainës ku luan Taulant Seferi është shtyrë, Sokol Cikalleshi po aktivizohet në kampionatin e largët arab, Xhakomo Vrioni vjen pas pesë muajsh pushime dhe tani nis kampionatin. Të vetmit që premtojnë janë Myrto Uzuni dhe Ernest Muçi dhe duhet parë gjithashtu ecuria e Skukës.

8.SILVINJO ME GRUP TË CUNGUAR Silvinjo do ta nisë aventurën e tij me një grup jo të plotë lojtarësh, ku evidentohen disa mungesa të rëndësishme, edhe pse sipas atyre që thonë në FSHF trajneri nuk e ka problem këtë pjesë, kjo për shkakun se nuk kërkon që kjo të kthehet në një faktor psikologjik, që mund të ndikojë negativisht në ekip

9.KOHA E PAMJAFTUESHME Vetëm tri ditë stërvitje, sepse ekipi kombëtar do të grumbullohet më 20 mars, ndërsa më 24 do të luajë miqësoren e parë, me shumë mundësi me Uzbekistanin. Koha e pamjaftueshme është një tjetër pengesë për brazilianin, që logjikisht mund të vinte dhe të shfrytëzonte dy miqësoret e muajit nëntor, me Italinë dhe Armeninë, por FSHF-ja zgjodhi t’ia besojë Rejës.

10.E PARA TRANSFERTË ME POLONINË Kualifikueset e Shqipërisë do të nisin në mënyrën më të fortë, përballë favoritëve të grupit, që janë polakët, për më tepër në një ndeshje në transfertë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb