Policia e Shtetit ka vendosur të flasë zyrtarisht për ngjarjen në Kavajë ku një e mitur u përdhunua nga disa djem. Nisur nga debatet e shtumta të ditëve të fundit dhe akuzat e opozitës se policia tentoi të fshihte ngjarjen, ka ardhur dhe sqarimi që nga momenti i parë i marrjes së denoncimit nga nëna dhe vajza. Sipas policisë denoncimi është bërë më 29 janar. kujtojmë se Berisha e publikoi rastin më 2 shkurt.

“BalkanWeb” publikoi sot vendimin e gjykatës së Durrësit sipas të cilit mësohet se Institucionet shtetërore fshehën abuzimin seksual dhe nuk morën asnjë masë për mbrojtjen e të miturës. Në dokumentin zyrtar thuhet se shkolla ra në dijeni të skandalit që me 26 janar, e megjithatë mësuesja kujdestare, drejtoresha e institucionit dhe psikologia, u mjafuan vetëm me informimin e nënës së vajzës dhe takimin me të, por nuk bënë denoncim në polici, sikurse kanë detyrimin ligjor.

SQARIMI I POLICISË SË SHTETIT
Nisur nga keqinterpretimi dhe keqpërdorimi për përfitime të ndryshme, që iu bë dhe vijon t’i bëhet ngjarjes së ndodhur në Kavajë, sqarojmë opinionin publik se:
Më datë 29.01.2019, rreth orës 11.45 minuta është paraqitur ne Komisariatin e Policisë Kavajë një shtetase e mitur, e shoqëruar nga nëna e saj. Pas marrjes së garancisë absolute nga ana Policisë se do t’i ruhej anonimati vajzës, e ëma së bashku me vajzën pranuan të bënin kallëzim në lidhje me çfarë kishte ndodhur.

Për shkak të moshës së mitur u vu në dijeni Prokurorja e gatshme e seksionit për të mitur, pranë Prokurorisë Durrës, e cila me marrjen dijeni për ketë fakt, ka mbërritur menjëherë në Komisariatin e Policisë Kavajë dhe ka asistuar në të gjitha veprimet procedurale të kryera.

Gjithashtu, gjatë procedurës, të miturës iu sigurua mbështetja e një avokati mbrojtës dhe e një psikologeje, në zbatim të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur.
Pas marrjes së kallëzimit, nga ana e Prokurores së gatshme u lanë detyra me shkrim, lidhur me veprimet që do të kryheshin nga ana e punonjësve të policisë në vijimësi.

Në zbatim të detyrave të lëna dhe me qëllim dokumentimin ligjor të veprës penale, u janë marrë deklarime personave që mund të kishin dijeni për ngjarjen; mësueses kujdestare, psikologes së shkollës dhe drejtoreshës së shkollës, si dhe u kryen një sërë veprimesh procedurale të tjera.

U bë identifikimi i të gjithë shtetasve te dyshuar për këtë ngjarje dhe më datë 30.01.2019, rreth orës 08.40, (për arsye se në bazë të paragrafit 3, të nenit 77, të Ligjit Nr. 37/2017 “Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur”, ndalohet marrja më pyetje e të miturit gjatë natës, nga ora 22.00 deri në 08.00) është bërë intervistimi i tyre, si persona nën hetim për veprën penale te “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, parashikuar nga neni 100, i Kodit penal, duke u pyetur në prani të prindit, psikologut dhe avokatit mbrojtës.
Gjithashtu me shtetasit e shoqëruar u kryen dhe veprime me metoda speciale të hetimit ku materiali u dërgua për vlerësim pranë prokurorisë.

E dëmtuara u dërgua për ekspertim mjeko-ligjor pranë Mjekësisë Ligjore Tirane, e shoqëruar nga shërbimi i policisë.
Në vijim të komunikimit me Prokuroren e çështjes, materialet e përpiluara u referuan pranë Prokurorisë Durrës, në seksionin për të mitur, në ngarkim të 8 të miturve si të dyshuar për veprën penale “Marrëdhënie seksuale apo homoseksuale me të mitur” parashikuar nga neni 100 i Kodit Penal.

Më datë 01.02.2019, rreth orës 17.30, në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Kavajë, kanë mbërritur urdhri i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës parë Durrës, për ekzekutimin e vendimit gjyqësor te Gjykatës Rrethit Gjyqësor Durrës, nr.26/1, date 01.02.2019, së bashku me shkurtimin e vendimit te gjykatës, ku për këta shtetas ishte marrë masa e sigurisë “Arrest me burg’.

Nga ana e strukturave policore është organizuar puna për ekzekutimin e vendimit gjyqësor të Gjykatës Rrethit Gjyqësor Durrës, nr.26/1, date 01.02.2019, dhe më datë 02.02.2019, në orën 07:00 të mëngjesit, filluan veprimet për gjetjen e tyre. Si rezultat i masave të marra u bë e mundur shoqërimi dhe arrestimi i shtatë prej tyre, ndërsa njëri prej tyre u shpall në kërkim.
Me kërkesën e të dëmtuarës dhe të nënës së saj dhe duke marrë në konsideratë interesin më të lartë të fëmijës, si dhe në zbatim të dispozitave të Ligjit Nr. 37/2017 “Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur”, e konkretisht: Neni 10 “Parimi i interesit më të lartë të fëmijës”.

Organet kompetente në çdo vendim dhe veprimtari të ndërmarrë në zbatim të këtij Kodi, duhet të vlerësojnë me përparësi interesin më të lartë të të miturit.
Nenit 21- “Mbrojtja e jetës private të të miturit”, Paragrafëve 2 dhe 4, ku përcaktohet se;
Nuk publikohet asnjë informacion që mund të çojë në identifikimin e të miturit në konflikt me ligjin, të të miturit viktimë ose dëshmitar i një vepre penale.

Ndalohet identifikimi ose publikimi në çfarëdolloj forme i të dhënave personale të të miturit, me përjashtim të rasteve të parashikuara në legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.
Policia e Shtetit, nuk ka bërë njoftim mbi rrethanat e detajet e ngjarjes, por në raportin ditor të ngjarjeve të datës 02.02.2019, ka pasqyruar shumë shkurt pa të dhëna e detaje ekzekutimin e masave të sigurisë dhënë nga Gjykata.

Policia e Shtetit shpreh keqardhje për keqpërdorimin politik dhe mediatik të këtij rasti dhe keqinformimin e opinionit publik duke fajësuar Policinë se ka fshehur ngjarjen.
E vërteta është se Policia e Shtetit ka vepruar me përgjegjësi dhe përgjegjshmëri të lartë në respekt të plotë të ligjit dhe të së drejtës së palës së prekur nga një ngjarje e rëndë dhe e shëmtuar.
Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë personave të përfshirë në keqinformim dhe manipulim publik të përmbahen dhe të distancohen nga falsifikimi i të vërtetave që janë lehtësisht të dokumentueshme.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb