Frrok Çeku, vëllai i 79-vjeçarit Fran Çeku, që mbeti i vrarë me të birin e nipin, rrëfeu momentin kur ai i kishte gjetur familjarët e tij pa jetë në mes të rrugës. Nipi i tij Arbeni, i cili ishte kthyer pak ditë më parë nga Italia, për të vizituar prindërit, kishte debatuar rreth një orë para ngjarjes me vëllezërit Kora në lokalin e fshatit. Por askush nuk e kishte menduar se ofendimet e ndërsjella mes tyre do të përfundonin në një tragjedi të tillë. Madje familjet Kora e Çeku kishin hyrje-dalje me njëra-tjetrën. Ja rrëfimi për “Gazeta Panorama” i Frrok Çekut, vëllait të viktimës.

Frok, ku ndodheshit ju në momentin kur breshëria e armës la të vrarë vëllain tuaj, nipin dhe djalin 18-vjeçar të mbesës suaj?
Unë ndodhesha në shtëpi në momentet e krimit së bashku me pjesëtarë të tjerë të familjes sime. ishte ora rreth 23:30-23:45, nuk jam shumë i sigurt. Ishte koha kur po shkonim për të fjetur. Papritur dëgjuam breshëri automatike nga një distancë shumë e afërt. Kuptova se diçka po ndodhte, pasi dallohet kur të shtënat janë në ajër dhe kur qëllohet drejtpërdrejt ndonjë person, ndoshta ishte edhe ndjesi.

Si vepruat? Çfarë bëtë në ato momente?
Dola menjëherë nga banesa për të shkuar drejt vendit ku u dëgjuan të shtënat, rreth 20-30 metra larg shtëpisë tonë. Kur arrita tek vendi çfarë të shikoja, të gjithë ishin shtrirë përtokë. U afrova edhe më afër dhe pashë që Frani, Arbeni dhe Enea, nipi ynë, ishin vrarë. Asnjëri prej tyre nuk merrte frymë. pak metra më tutje ndodhej e shtrirë edhe Lucja, bashkëshortja e tim vëllai (Franit), e cila ishte ende gjallë.

Ju, mundët të dallonit autorët që qëlluan mbi familjen tuaj?
Pavarësisht se dola me një frymë nga shtëpia dhe mbërrita shumë shpejt në vendin e ngjarjes, nuk mund ta shikoja asnjë prej autorëve. Ata duhet të jenë larguar me shpejtësi dhe kanë humbur gjurmët nëpër arat e fshatit. As nuk i ndoqa, por u përpoqa të jepja ndihmën e parë të afërmve të mijë, tre prej të cilëve kishin ndërruar jetë. Pak çaste më vonë dolën edhe komshinjtë tanë Policia ka identifikuar si autorë të ngjarjes burrat e familjes Kora, të cilët janë shpallur në kërkim.

Çfarë konflikti kishte familja Ceku me familjen Kora që degjeneroi deri në përdorimin e armëve?
Absolutisht asnjë lloj konflikti. Dy familjet janë autoktone dhe për shkak të njohjeve të vjetra mes njëra-¬tjetrës kishin hyrje-dalje. Shkak është bërë një konflikt banal rreth një orë para ngjarjes mes nipit tim Arbenit dhe vëllezërve Kora, në ambientet e lokalit të fshatit. Ata ishin përplasur me njëri¬-tjetrin për shkak të një shoku të Arbenit.

Na tregoni më shumë rreth zanafillës së konfliktit…
Po sikurse ju thash, familjet nuk kishin asnjë konflikt të hapur me njëra-tjetrën. Por rreth një muaj më parë vëllezërit Kora kishin rrahur një shokun e Arbenit. Dhe Arbeni kur i kishte hasur në lokal u kishte kërkuar llogari dhe shpjegime përse ishin sjellë me shokun e tij keq. Aty është ndezur debati dhe fatkeqësisht për ne përfundoi me tre të vdekur dhe një të plagosur rëndë. Autorët kishin zënë pritë pak metra larg banesës sonë dhe në momentin që Frani, Arbeni, Enea dhe Lucja po ktheheshin për në shtëpi i qëlluan në befasi.

Po ku kishin qenë të afërmit tuaj që po ktheheshin në orët e vona të mbrëmjes në shtëpi?
Ishin tek vajza e tyre, nëna e Enesa, e cila jeton rreth 50-60 metra larg shtëpisë tonë. Enea siç na treguan ishte ndodhur rastësisht, pasi nuk ndodhej në shtëpi dhe i’u ishte bashkuar në rrugë. Fati i tij i keq, që u ndodh në vendin dhe momentin e gabuar.

Çfarë u ka thënë policia dhe çfarë prisni prej saj?
Policia na ka marrë në pyetje nëse kishim dijeni mbi ndonjë konflikt të mundshëm që mund të kishim si familje, por mësoi shumë shpejt për autorët dhe i ka shpallur në kërkim. Kemi mësuar se të gjithë burrat e familjes Kora janë larguar në drejtim të paditur dhe nuk jemi të qartë nëse kanë bashkëpunuar të gjithë, apo një pjesë janë larguar nga frika e policisë. Ne kërkojmë që të zbardhet sa më shpejt të jetë e mundur ngjarja dhe të vihen para drejtësisë autorët e këtij krimi të rëndë, i cili nuk na ka tronditur vetëm ne si familjarë, por mbarë opinionin publik. Përndryshe do të kërkojmë ta vëmë drejtësinë në vend.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: