Kompania farmaceutike “Astra Zeneca” do të nisë prodhimin e një vaksine potenciale që lufton koronavirusin. Konfirmimi erdhi nga vetë kreu i saj, Pascal Soriot, për median BBC. Testimet janë akoma në zhvillim, por Soriot nënvizon se firma duhet të nisë prodhimin e dozave që në këtë fazë në mënyrë që të përmbushë kërkesën, nëse provohet se vaksina është efektive.

Astra Zeneca thotë se do të jetë në gjendje të prodhojë deri në 2 miliardë doza. Por sigurisht ekziston dhe mundësia që e gjithë puna të shkojë dëm.

“Dëshirojmë që të jemi sa më të shpejtë që mundemi. Sigurisht, me këtë vendim vjen dhe një risk që është financiar, në rast se vaksina nuk funksionon. Në atë skenar, të gjitha materialet dhe vaksinat do të shkonin dëm”, thotë Soriot.

Ai shton se qëllimi i kompanisë farmaceutike nuk është që të nxjerrë përfitime financiare gjatë pandemisë. Filantropi Bill Gates është një nga financuesit kryesor të këtij projekti, i cili po zhvillohet nga shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit.

Ndërkohë, aktualisht janë në zhvillim qindra vaksina, disa prej të cilave në fazën e testeve klinike. Premtuese duken rezultatet e një iniciative në Kinë. Grupimi farmaceutik kombëtar i vendit komunist, “Sinofarm” zotëron dy lloje vaksinash jo-aktive në fazën e dytë të testeve klinike dhe ka rritur kapacitetin e prodhimit.

Kompania në fjalë thotë se mbi 2 mijë persona i kanë marrë vaksinat dhe të dhënat kanë provuar sigurinë dhe efikasitetin e tyre. Efektet anësore janë më të ulëta se produktet e tjera.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb