Ka nisur ditën e sotme trajnimi i 400 infermierëve, të cilët do të marrin pjesë në vaksinimin masiv të popullatës. Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, e kanë konsideruar stafin e ri, një armatë që do të intensifikojë procesin e vaksinimit.

“Po bëhemi gati duke trajnuar 400 infermierë, mes të cilëve janë kryesisht aplikanëtët e rinj të portalit “Infermierë për Shqipërinë” dhe janë 100 infermierë të forcave të armatorsura. Ky trajnim do ti përgatisë ata për të kryer procesin e vaksinimit masiv në të gjithë vendin, duke ju shtuar mbi 1 mijë vaksinatorëve që ke kemi aktualisht në shërbim. Pra do të kemi 1500 vaksinatorë, ndihmës vaksinatorë, për vaksinimin në mënyrë kapilare, në të gjithë vendin’, tha Manastirliu.

Duke e konsideruar nje eksperiencë të jashtëzakonshme në jetën e tyre profesionale, Kryeministri Edi Rama ka falenderuar ekipin e vaksinatorëve, duke u shprehur se së shpejti do të kemi lajme të mira për një sasi të konsiderueshme vaksinash antiCOVID.

“Ne duam të jemi të super përgatitur që në sekondën e parë që ne do të disponojmë një sasi të konsiderueshme vaksinash dhe menjëherë, në të gjithë territorin, do të shtrijmë rrjetin e vaksinatorëve të fushatës ‘Shqipëria Buzëqesh’, që duhet të jenë më shumë se sa vaksinatorët që kemi aktualisht në qendra shëndetësore. Kjo është një eksperincë e jashtëzakonshme, e paharrueshme në jetën profesionale të një vajze apo djali që ka vendosur t’ia dedikojë jetën profesionale bluzës së bardhë” tha Kryeministri Rama.

Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se po vijon vaksinimi me kalendar të kombinuar për personelin shëndetësor dhe të moshuarit mbi 80 vjeç, ku janë kryer mbi 16 mijë vaksinime. Ndërsa Kryeministri Rama u shpreh se do të fillojë menjëherë vaksinimi i mësuesve në shkolla, sapo të vijnë dozat e para të vaksinës AstraZeneca si dhe u shpreh besimplotë për një lajm të mirë së afërmi, për sigurimin e një sasie të konsiderueshme vaksinash, për të nisur vaksinimin masiv në popullatë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb