Nga: NATASHA LAKO *
Lindja dhe Perëndimi i vitit 2015. Kështu mund të mendosh sa të marrësh në duar në aeroportin e Stambollit, dy gazeta të ditës, francezen “Le Monde” dhe turken “Deili Njuz” (Daily News), që botohet në gjuhën angleze.
Dy kunguj nën sqetull do të thoni ju. Në një botë që shtrihet mes diferencës së orëve, kulturave dhe origjinalitetit të vet politik, paçka se gjithnjë e më shumë lidhet nga mallra të përbashkëta.
Dhe, në një botë që prej vitit 1990 e këndej po pëson batica dhe zbatica gjeopolitike për ditë, që nga Ukraina, në Ballkan, i vetmi që ka një indipendecë të vetën, duket sikur është lajmi.
Sepse nuk ka gazetë që çuditërisht dhe prapë se prapë të mos quhet edhe atdhe, pavarësisht nga megapronarët, madje edhe të përbotshëm.
Kallauzët kulturorë
Isha vërtet me fat. I pari që më bie në sy në gazetën “Le Monde” është emri i balerinit të famshëm Preljocaj. Ajo që e bën Preljocajn për mua të rëndësishëm është jo vetëm fama botërore e këtij artisti të dëgjuar francez me prejardhje shqiptare, por shprehja e tij artistike, tejkalimin i vetë kufijve të kohës dhe zgjerimi që i bën njeriu hapësirës së tij të pamundshme me anë të lëvizjes dhe surealizmit të saj. Të paktën kështu thotë gazeta. Marr vesh se trupa e Preljocaj po shfaq në teatrin e Parisit baletin e tij ‘Lëvizje të zbrazëta’. Ky është një balet i lëvizjes, pa narracion dhe pa emocionin, në gjetjen e pikave të reja të kontaktit me anë të gërshetimit me lëvizjet marciale.
Unë që nuk e kam parë baletin, si e ëma e Zeqos majë thanës, shtoj: Domosdo se këto artet marciale janë shumë të sofistikuara andej nga Lindja e largme. Dhe menjëherë Preljocaj ma bashkon botën në një, ashtu si më ka bashkuar me baletin e tij Borëbardha dikur, përrallën e famshme europiane me kostumet plot motive të xhubletës shqiptare, sipas të famshmit Gouatie, bashkëpunëtor i Preljocaj për kostumet. Por frymëzuesit e Preljocajt janë të shumtë, siç thotë gazeta dhe jo unë. Që nga përfaqësuesit e ekspresionizmit gjerman deri te tradita e studios të Merce Cunningham, krijimtaria e Xhon Cage me moton e tij të veçantë estetike të “Botës së boshatisur” a të zbrazët, e frymëzuar edhe kjo vetë nga vepra “Mosbindja civile” e autorit amerikan Toro (Thoreau).
E kujt i nevojiten gjithë këto emra?
E që të mos më rrëmbejë edhe më vala e interpretimeve, i kthehem një lajmi tjetër nga bota e artit.
Marr vesh se skulptori grek Takis, jo për koincidencë me njeriun e ditës, Cipras dhe më i madh në moshë se udhëheqësi i Syrizës ka hapur në Tokio ekspozitën e tij “Fusha magnetike”, që si merret vesh edhe nga titulli, ka futur në përdorim në skulpturën e vet edhe shkencën. A mor Takis, mor Takis, po pse nuk vjen në Tiranë para se të shkosh në Tokio, t’u tregosh japonezëve gërshetimin e traditave të Cikladave (qiklopeve) me elementët e sotëm të metalit, ja bëj unë dhe vazhdoj të shfletoj gazetën. Ato fjalët e famshme të mosbindjes civile më mbeten në mendje.
Dhe përsëri lexoj në “Lë Monde” për një artiste dhe aktiviste të mosbindjes civile, bashkëthemeluese e lëvizjes së famshme “Wall Ocupy”, e cila gjendet a gjendej në arrest të lirë në Kubë, e akuzuar për thirrje të hapura për shprehjen e lirë dhe mundjen e frikës.
Kinematografia zë vend në “Le Monde” përveç me përshkrimin e gjatë për ndarjen e çmimeve Oskar, edhe me një analizë mbi dukuritë e sotme tematike të filmit, i cili sot ka tendencë të fortë të zbulojë dhe të zbërthejë sipas gazetës franceze të keqen, që nga komedia e zezë e deri te filmat aksion.
Gazeta turke nga lajmet për kulturën i jep rëndësi festivalit të filmit në Ankara.
Po në të njëjtën ditë, si gazeta “Le Monde”, si gazeta “Daily News” kanë nga një artikull për turizmin.
D.N jep informacion për Marmaranë e famshme si qendër turistike, promovon biznesin e vet të suksesit turistik dhe përfitimit që i sjell turizmi gjithnjë në rritje ekonomisë turke. Duket si një artikull që mund ta gjesh në çdo gazetë shqiptare. Mjafton që në vend të Marmarasë, të vesh fjala vjen Dhërmiun.
Në gazetën “Le Monde” termi komedi e zezë transferohet në termin turizmi i zi, të cilin domosdo e ka pagëzuar dikush patjetër. Është fjala për turizmin shqetësues-argëtues, një turizëm që mbështetet te nevoja që kanë njerëzit të përkujtojnë a të shohin deri vendet më ogurzeza, deri ato ku janë mbytur dhe janë vrarë njerëz, që nga Aushtvici deri te fatkeqësitë natyrore, trend që shtrihet në Shqipëri deri në hapjen e muzeut “Shtëpia me gjethe”, një vend real dhe torturues, ku jeta e njerëzve është përgjuar nga makineri që kanë zëvendësuar kuçedrat edhe në imagjinatën time.
Duket se kuratorët e muzeut në fjalë janë gjendur ngushtë, mes kryqëzimit të turizmit të zi dhe turizmit argëtues, kur kanë shkruar si parathënie me rastin e promovimit të tij ca fjalë që nuk më shqiten deri në aeroportin e Stambollit për surealizmin dhe alogjikën e tyre. Citoj. Gjethet kanë kuptimin e pyllit, kanë kuptimin e fshehtësirës’, madje edhe të bukuroshes së fjetur që… (përafërsisht) ne do ta zgjojmë nga gjumi për të zbuluar misteret e kësaj shtëpie. E po them,do ta dish deri ku vete mendja shqiptare. Ja. Por mendja dhe aksioni italian shkon edhe më larg. Mondatori berluskian i drejtuar nga vajza e ish-kryeministrit italian, kompani që zotëron 40% të botimit, ka shtrirë perandorinë e vet deri te një gjigant tjetër botues, ku Uberto Eko dhe Mishel Houllebecq janë bestsellerit e parë në vend. Paçka se miku i shtypit dhe lexuesit shqiptar Saviano, në shenjë mospajtimi me politikat që bashkojnë kulturën me shtetin ka marrë vendim prej kohësh të abandonojë këta lloj gjigantësh. Por ky është një lajm që më tepër i takon Fatos Lubonjës për ta komentuar.
Të kalojmë te bota femërore
Problemet e kulturës dhe problemet e botës femërore duket sikur këmbehen në invers në dy gazetat në fjalë. Pesha e problematikës së gjerë kulturore në gazetën franceze, ndoshta edhe në sajë të faqeve të saj më të shumta, zëvendësohet në gazetën turke me problematikën e gjendjes sociale të femrës, e cila me problemet e veta është mbizotëruese në jetën e gazetës turke.
Problemet e kulturës nuk arrijnë të zënë në “Daily News” atë vend që zë shqetësimi për viktimizimin e femrës. Aq i madh është ky shqetësim sa qeveria turke dhe ministria përkatëse për problemet e gruas ka marrë masa për pajisje elektronike të alarmeve për të mbrojtur qytetaren e Turqisë nga dhuna e burrave. Projekti i famshëm TAP duket njëmijë herë më potent se gjysma e popullsisë turke që lind dhe rrit fëmijë.
Por nuk mund të shpjegohen problemet e femrës, pa pasqyrën dhe tendencat mashkullore që burojnë prej traditës.
“Le Monde” ka një shkrim të plotë për mjekrën mashkullore, traditë që në vitet 70 të shekullit të XX, kthehet nga një shenjë e dikurshme dinjiteti dhe shpotije krenare, (unë do ta ilustroja me mustaqet e Dalisë, që kërkoi të përjetësojë edhe mustaqet e të parëve të tij,) deri te një shfaqje mosbindjeje dhe kundërshtimi ndaj një sistemi bindjeje dhe rregulli të vendosur, rregull që shfaqet deri te linja strikte formash dhe korrektësie të një bote ku tepricat janë të panevojshme. (Përsëri flitet për bindje dhe qoftëlarg mosbindje). Dashje pa dashje një shkrim i tillë i tipit estetiko-social-tradicional të shkakton asosacione për një disiplinë tjetër të tipit invers të përbetuar të pamjes së jashtme të përbashkët të një rregulli imponues nga ISIS.
Me të njëjtën delikatesë shprehjesh dhe asosacionesh që të lenë dritaret e traditës, gazeta liberale turke ka zgjedhur të analizojë shenja të traditës otomane të dhomës së gjumit, si e quan studiuesja autore. Dhe pa tjetër brenda saj ka gjithnjë delikatesë e përshkruar bukur prej krijuesit oriental të traditës së gjatë gojore, ose grafikës të botës së orientit, ku shpesh tregohen momente të pabesisë reciproke. Kështu, lexuesi ka mundësi të njohë edhe bëmat e Karagjozit, aq të infiltruar, krahas dhe në të kundërt të Qerosit edhe në përrallat shqiptare, e ku komentohet qëndrimi i tij liberal, si një nevojë për të qenë domosdo gazmor dhe i leshtë ndaj tradhtisë bashkëshortore. Dhe vetëm e vetëm për t’i dhënë një përgjigje sa më të lirë qëndrimit ndaj sharisë dhe fatves, që dënojnë gruan.
Gazetarët turq e thonë hapur se krimet ndaj femrës turke kanë lidhje me ketë kulturë jetese si dhe me përplasjet mes sistemit kanunor civil dhe organizimit total fetar të jetës, që imponon sharia ose sheriati, që duket se deri tani shqiptarët e kanë mbajtur të turbullt në kujtesë.
Dënimet shumë të lehta për dhunuesit e vajzave dhe grave nën motivin se ata janë sjellë mirë gjatë arrestimit të tyre, janë vënë në gazetën turke në epiqendër. Deri edhe evoluimi ndaj gjykimit të dënimit me vrasje me gurë, që pëson femra e orientit dhe që nuk ka mbërritur te shqiptarët, pos parabolave me Krishtin, kur ai kërkon të mbrojë një prostitutë para njerëzve të egërsuar.
Sipas gazetareve dhe gazetarëve që shkruajnë papushim në dt. 21 shkurt, Turqia po vuan nga ndëshkime të mëdha dhe dhunën edhe më të ringjallur të burrave ndaj grave, paçka se evokohen poezi të mrekullueshme të poetit Nazim Hikmet, në mbrojtje të dinjitetit të gruas me atë forcë humane dhe artistike si dhe fisnikëri që në Shqipëri gruas i ka kënduar një poet si Dritëro Agolli.
Ky shtet i madh me rritje të fuqishme ekonomike ka përqindje shumë të vogël të grave në punë. Jo vetëm si mundësi, por si mentalitet. Një grua që del jashtë shtëpie mund të përdhunohet kur të duash. Kështu konstatojnë gazetarët e përkushtuar për të drejtat e femrave.
Nga një lajm tjetër i gazetës turke marrim vesh gjithashtu se për vitin 2015 Turqia ka rritur buxhetin e Direktoratit Qëndror të fesë, të kryesuar nga një klerik tepër i respektuar i jetës turke, një masë që ndoshta ndikon ndaj presioneve të radikalizmit më të fortë.
Në të njëjtën kohë “Le Monde” njofton për vendimin e kompanisë më të madhe të shitjeve “Wal Mart” në rritjen e pagës për 500000 punonjës të saj, rritje që ndjek vendimet e të famshmes “Ikea”, si dhe shumë kompanive të tjera, sipas të famshmit model të dikurshëm të “General Motor”.
Nga bota e grave gazetës “Le Monde” i mjafton të ndalet te jeta e motrave të dy autorëve të masakrës në revistën “Carli”, të cilat tregojnë se dy vëllezërit e tyre me origjinë algjeriane janë rritur nëpër jetimoret franceze, për shkak se kanë mbetur që në moshë të vogël pa baba.
Pas këtij lajmi për jetën e gruas, “Le Monde” jep edhe një informacion më të ri.
Nënat janë ftuar të bëjnë stërvitje sportive në shkollat e fëmijëve të tyre, jo thjesht për një zgjidhje dhe nevoje praktike nga e cila mund të mësosh, por edhe për një lloj afrie të re me fëmijët e tyre.
Kuptohet vetëm nga këto informacione se çdo qytetërim ngre të parin si flamur fytyrën e gruas. Madje, e përdor pamjen e saj si armën e tij të parë. Thua se i ka nxjerrë ato në pararojë si flamuj.
Shtrati i sigurisë
Nuk është faj të ndodhesh në aeroportin “Ataturk” të Stambollit, që mban emrin e reformatori të madh të Turqisë, në një ditë me vonesa avionësh. Nuk është as ndonjë koincidencë hyjnore të përpiqesh të kuptosh diçka më mirë atë vendvendosje midis Lindjes dhe Perëndimit, që aq fort na e kanë mikluar edhe politikanët shqiptarë, thua se nuk ishin në Tiranë, por në këtë aeroport, ku edhe unë po gjendem krejt rastësisht.
Megjithatë, nuk ka terren më miqësor ku mund të gjenden shqiptarët dhe as afërsi më të madhe. Sepse Turqia e sotme po bën atë që kanë bërë shqiptarët e shekullit të XV për Europën. Po e mbrojnë nga kërcënimet e vazhdueshme. Ashtu si po përpiqet gjithë Perëndimi, duke filluar nga SHBA për Greqinë, si vend i strategjisë së mbrojtjes nga kërcënimet e sotme, ku përfshihet edhe Izraeli si pikë vendimtare.
Unë nuk e di se kush do të jetë heroi turk i së ardhmes, ndonjë strategjist i kohëve të reja, apo ai aktori që qëndroi tetë orë më këmbë në shesh në mbrojtje të shtetit sekular turk. As nuk e di se sa për qind do të marrë në zgjedhjet e afërta lokale Mari Lë Pen e Frontit Francës, që deri tani ka frymëzuar islamofobinë. Nuk e di se kë kanë për të shpallur turqit vetë tradhtar, di vetëm nëpërmjet “Le Monde” se ca përfaqësues të agrobiznesit francez quajnë një provokacion të madh hapjen e një stende të kompanisë së madhe gjermane “Lids”, mu në mes të pavionëve të panairit të madh të Versajës, që synon nxitjen e distribucionit të prodhimit të vogël bujqësor të bujqve francezë.
Po shënoj vetëm disa tituj ose komente themelore që dallohen në dy gazeta të ndryshme, sigurisht të perifrazuara.
“Daily News” – Konkluzioni i ditës. Vetëm zgjidhje politike në Libi.
“Le Monde” – Shkollat private të hebrejve në tension. Mali në prag marrëveshjeje dhe paqeje.
“Daily News” – Delikatesa e bisedimeve turko-kurde.
“Le Monde”. Opozitari rus Aleksej Navlni akuzohet jo direkt për organizimin e marshimit që është lajmëruar për një mars, por për hedhjen e trakteve si tentativë të violencës ndaj rendit publik.
“Daily News” – Ka apo jo marrëveshje apo mosmarrëveshje të vogla mes Erdogan dhe Dovuduglu, kryeministrit turk, thua se po komentohen marrëdhëniet Meta -Rama apo Tom Doshi. Dhe gazeta vazhdon. Këtë vit ka zgjedhje parlamentarësh dhe shumë deputetë të paprononcuar për kalimin e Turqisë në Republikë Presidenciale.
Përsëri prononcim tjetër në “Daily News”: Shqetësim për keqkuptimet, që le për perëndimorët islami, i cili ngandonjëherë edhe nga gazetarë prestigjiozë të gazetave botërore citohet si burim i mungesës së demokracisë ose të opsioneve.
Francezët, të paktën ata që sipas gazetës në fjalë, janë lexues të saj, nga ana tjetër, janë të shqetësuar për hapat e kryeministrit britanik Cameron, që në prag të festimeve të 800-vjetorit të Magma Kartës, është gati ta bëjë Britaninë e Madhe të heqë dorë nga konventa europiane e të drejtave të njeriut, të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore edhe me pasionin e Çurçillit. Ky veprim sipas “Le Monde” është hapi i parë Britexit prej Bashkimit Europian.
Të dyja gazetat i japin vend lajmit për bashkëpunimin e britanikëve dhe amerikanëve në sistemin e përgjimit të kompanisë Giralmo, një nga me të garantuarave dhe më profesionaleve të mbrojtjes së të dhënave deri bankare dhe të identitetit, problem që lidhet me sigurinë e vetë rendit demokratik, para kërcënimeve që po shtohen përditë, por që ngrehin edhe shqetësime për demokracinë vetë.
Dhe po aq rastësisht mund të thuhet se problemet turke janë më pranë atyre shqiptare, jo vetëm për arsye gjeografike, ose historike. Në qoftë se ne shpesh themi,(pa menduar për ndryshimet e mëdha që i duhet të bëjë e gjithë fytyra shtetërore dhe konstitucionale), se është mirë që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, turqit janë shumë pranë alternativës për t’u kthyer në një republikë presidenciale, ku suprimohet vetvetiu detyra e kryeministrit dhe nga ana tjetër dobësohet shpërndarja e pushteteve. Por më larg në horizont ka edhe model Morsi.
“Le Monde” më 21 shkurt flet për një tipar tjetër të shoqërive të sotme të zgjuara nga gjumi letargjik. Për lëvizjet e reja horizontale ose pa liderë, që shfaqen si lëvizje anarkie në internet dhe jo si lëvizje për të mbrojtur dhe gjallëruar institucione.
Të gjitha këtyre u shtohet lëvizja Syriza dhe Podimos, të cilat sipas analistëve u frymëzuan nga pranverërat arabe. Sheshi “Taksin”, në Stamboll, sheshi i “Martirëve” në Libi, sheshi “Maiden” në Ukrainë, sheshi… qëndrojnë tashmë si fantazma koshiente njerëzore ndoshta edhe dështimesh të mëdha. Oksidenti dhe Rusia, të dhënat gjeopolitike konfliktuale të Detit të Zi dhe vijat ndarëse mes Rusisë dhe Turqisë, Greqisë dhe Turqisë, duket sikur shtrihen deri mes francezëve dhe britanikëve të vërtetë, megjithëse jetojnë në të njëjtin union, që duhet shpëtuar patjetër.
Greqia përveç shtyrjes së afateve të pagesave, sipas gazetës “Le Monde”, ka kërkuar të mos përdoret termi sipas tyre i urryer dhe imponues, trojka.
Mund të quhet Anglia a Britania Perëndim dhe Turqia Lindje, të paktën për arsye gjeografike, por të dyja ruajnë brenda përbrenda trupit të tyre zvetënimin nga një bashkësi që nuk u shkon më për shtat, sa më shumë që është zgjeruar. Ndoshta edhe se këto dy vende bashkarisht jetojnë me thellësitë e madhështisë së pushteteve të mëdha perandorake dhe ndjesinë e madhe të mbrojtjes së sovranitetit, që përmbledh edhe kujtimet.
Nuk mund t’u privosh turqve krenarinë e organizimit të tyre perandorak dhe kujtesë otomane, ashtu si nuk mund t’i privosh Britanisë së Madhe kompromiset e mëdha, që krahas botës, kanë shpëtuar edhe madhështinë e saj. E po as dy njerëz nuk i kanë hallet njësoj. Që Shqipëria të jetojë në një botë globale, një mendje më thotë se për ekonominë duhet të mbështetet tek Italia, për mbrojtjen te përvoja turke, për kulturën në përvoja franceze, për politikën e jashtme te politika angleze, për turizmin te përvoja greke, për filmin te përvoja kroate dhe hungareze, për mënyrën e jetesës te përvoja e thjeshtë gjermane, për muzikën dhe drejtësinë tek Austria, për përvojat e marrëveshjeve te vendet skandinave, për agrokulturën tek Izraeli, për jetën parlamentare te SHBA-të, për arkitekturën pse jo nga ekstravagancat e Singaporit, për bankat hmm, te… Luksemburgu për ndërtimin e Xhamisë së madhe të Namasgjasë te përvoja saudite, që na ndihmon të mos punojë shumë imagjinata, por kujtesa fëminore e bandave të varura nëpër mure.
Për këtë mundësi kaq të madhe të përzierjeve eklektike të ngacmon imagjinatën një rrjedhë kaq e ndryshme njerëzore në një aeroport. Nuk ka grafikë më të bukur se sa kur sheh pranë e pranë një grua të gjatë elegante të mbështjellë me të zeza sipas traditës së saj shekullore dhe një burri me sari borë të bardhë, sigurisht falë kujdesit të gruas ose të shërbëtorëve. Kulturë tjetër e bukur, jashtëzakonisht larg.
Lajmet e zonës së kuqe.
Kështu, dalëngadalë edhe unë po u afrohem lajmeve të faqeve të para, të cilat janë më të rëndësishmet.
Për “Daily News” është lajmi i stërvitjes ushtarake në ujërat e Egjeut, ku merr pjesë një prej udhëheqësve më të lartë të ushtrisë dhe marinës turke.
Shkak i kësaj stërvitjeje ka qënë vizita në një ishull që e pretendojnë edhe grekët, edhe turqit, e një zyrtari të lartë grek. Dhe me tej. Ndonëse Greqia e arrin marrëveshjen me BE-në, është gati për exit. Exit të paktën nga Banka Botërore. Greqia gati në exit nga Bashkimi Europian. Shumë po e durojmë Greqinë. Thirrjen e SHBA-ve për të gjetur kompromiset e nevojshme. “Le Monde” – Çështja me Greqinë është duke marrë zgjidhje. “Daily News” – Çështja greke është ende buzë greminës. Sipas gazetës turke, qëndrimi i ministrit gjerman të Financave tregon se Greqia nuk e ka të gjatë në BE. Sipas gazetës franceze, ministri gjerman i Financave pati problem edhe me të vetët.
“Le Monde” lajmëron gjithashtu për daljen e numrit të ri të revistës tashmë edhe më të famshme “Carli”. Për të ringjallur shpirtin “Carli”. Fitimet e paparashikuara nga shitjet e mëparshme, donacionet e mëdha dhe të paimagjinueshme dhe kontributet e mëdha të kompanive si “Googel” i kanë vënë të mbijetuarit para përgjegjësive të tjera.
Në një qoshk të gazetës franceze njoftohet edhe për gjyqin e zhvilluar në Teksas për vrasësin e heroit të quajtur sipas filmit të Clint Eastwood, vetëm ‘Snajperi amerikan’.
Nuk po bëhem kureshtare të lexoj lajme të ditëve të tjera. Boll tani për tani.
Pasi nuk jam më në aeroportin miqësor të Stambollit, jo me mua, por me të gjithë botën.
Po i afrohem gazetarisë shqiptare, të mbushur me ‘por, por’, për çdo lajm dhe për çdo qëndrim. Ka të drejtë të flasë Doshi. Por, por çdo ditë. Liria e shtypit duhet sigurisht, por, por… Greqinë e kemi fqinj, po, por, por. Turqinë e kemi mike, por, por, por.
Ekziston edhe sheshi “Taksin”. Por, por, por. Jemi pjesë e kësaj bote. Por, por, por.
Po kthehem edhe unë nga një rrugë e largët.., Por, por. Në të vërtetë duhet të flisja për lajme të tjera edhe më të rëndësishme për ne. Por ja që nuk jetohet në një botë kaq të mbyllur.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: