Rriten protestat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas vdekjes së afro-amerikanit George Floyd, krim për të cilin është arrestuar një agjent i bardhë.

Shtetrrethim në kryeqytetin Washington dhe 40 qytete të tjera, një i vdekur në Kentucky, dy të tjerë në Iowa dhe 50 agjentë të plagosur në Uashington. Garda Kombëtare e mobilizuar në 15 shtete. Të premten në mbrëmje Trump u fut në bunkerin e Shtëpisë së Bardhë.

Mes të arrestuarve në Manhattan është edhe Chiara de Blasio, vajza e kryetarit të bashkisë së New York.

Protestuesit jashtë Shtëpisë së Bardhë
Më pak se dy orë pasi hyri në fuqi shtetrrethimi, mijëra njerëz u mblodhën para Shtëpisë së Bardhë dhe policia, pas afro tre orësh, përfundoi boshatisjen e zonës. Gjatë fazës më të nxehtë të protestës, dritat që zakonisht ndriçojnë pjesën e jashtme të Shtëpisë së Bardhë u fikën.

Gaz lotsjellës dhe zjarre, 50 agjentë të plagosur
Por demonstruesit, duke sfiduar shtetrrethimin, vazhduan të patrullojnë zonën, duke bërtitur me duar të ngritura agjentëve “mos qëlloni” dhe “ju jeni kërcënimi”. Ndërsa përparuan, ata u zmbrapsën me gaz lotsjellës ose, siç raportuan disa pjesëmarrës në CNN, me plumba gome. Disa demonstrues ndezën disa zjarre dhe dëmtuan disa ndërtesa. Ka pasur përleshje të dhunshme në të cilat janë lënduar 50 agjentë të Shërbimit Sekret.

Mijëra protestues pushtojnë New York-un
Një protestë e re masive edhe në New York, ku mijëra njerëz dolën në rrugë, veçanërisht në Manhattan dhe Brooklyn. U regjistruan disa momente tensioni dhe një makinë u dogj pranë Sheshit Union.

Vajza e Bill de Blasio mes të arrestuarve
Chiara de Blasio, vajza 25-vjeçare e kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut, u arrestua të shtunën natën në një protestë në Manhattan, shkroi New York Post, duke cituar zyrtarët e policisë. Vajza përfundoi në pranga pasi policia shpalli të paligjshëm një grumbullim midis Rrugës 12 dhe Broadway, ku kishin shpërthyer trazirat dhe makinat e forcave të sigurisë u dogjën.

Të shtëna në Iowa, dy të vrarë dhe një agjent të plagosur
Dhunë dhe gjak gjithashtu në Iowa, ku dy njerëz u vranë dhe një agjent u plagos nga të shtënat në Davenport, Iowa, gjatë demonstratave.
Shefi lokal i policisë. Paul Sikorski sqaroi se tre oficerë ranë në pritë ndërsa ishin në patrullë dhe se disa të shtëna me armë goditën makinën e tyre dhe njëri prej tyre u plagos. Policia më pas arrestoi disa persona që po iknin në një makinë. Sikorski shtoi se policia iu përgjigj dhjetëra incidenteve në qytet në të cilat u qëllua me armë zjarri. Kryetari Mike Mateson ka njoftuar një shtetrrethim nga e hëna në mbrëmje dhe do t’i kërkojë Guvernatorit Kim Reynolds të mobilizojë Gardën Kombëtare.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb