Ndërsa pritet të mbajë fjalën në parlament për ndryshimet kushtetuese, kryeministri Edi Rama ka kujtuar sot përmes një postimi në facebook ish ministrin Luan Hajdaraga.

“LUAN HAJDARAGA ishte babaxhan. Njeri i ditur, burrë i paqtë me humor dhe i tavolinës, Lakja lehtësonte edhe situatat më të ndera në tryezë, kur brenda familjes sonë politike kishte sherre nga ato të mëdhatë fare, të kohës kur ambiciet e protagonizmat individuale, kishin shpërthyer si breshër mbi kokën e Partisë Socialiste.”-shkruan Rama ndëra sjell në vëmendje biseda të zhvilluara me të.

Postimi i plotë:
LUAN HAJDARAGA ishte babaxhan. Njeri i ditur, burrë i paqtë me humor dhe i tavolinës, Lakja lehtësonte edhe situatat më të ndera në tryezë, kur brenda familjes sonë politike kishte sherre nga ato të mëdhatë fare, të kohës kur ambiciet e protagonizmat individuale, kishin shpërthyer si breshër mbi kokën e Partisë Socialiste.

Çdo të mërkurë kur mblidhej qeveria, Lakja dhe unë ishim rregullisht disa minuta para orarit në vendet përkatëse, e në pritje të fillimit të mbledhjes, si zakonisht me vonesë të konsiderueshme, këmbenim biseda nga më të ndryshmet. Ai ishte ministër i mbrojtjes në atë kohë dhe në atë karrige e zuri edhe lufta e Kosovës, të cilën e përjetoi me një ndjenjë përgjegjësie aq të madhe sa shpesh përhumbej fare, e i thosha me të qeshur, “Lërja Natos mor burrë t’i drejtojë bombardimet, mos i bëj të gjitha vetë!”…

Aq i mirë ishte Lakja me të gjithë, sa të gjithë e thërrisnim emrin e tij në bisedat që nuk ecnin kollaj për shkak të marrëdhënieve të acaruara, qoftë me Fatosin dikur e qoftë me Ilirin më pas, e automatikisht vinte buzëqeshja e nisnin historitë e të ngrënave heroike dhe batutave epike të Luan Hajdaragës. Nuk di ndonjë rast që Lakja t’ia ketë prishur dikujt a të jetë prishur me dikë, deri ditën që u nda nga jeta si sot një vit më parë. Edhe në largimin e tij nga rangjet e larta të partisë ai ishte si pakkush i pahatërmbetur, më shkruante hera – herës opinionet e tij, me dashamirësi të madhe e sens politik të qartë.

Nuk ia përtonte asnjëherë as intervistave e debateve televizive kur e ftonin të merrte pjesë dhe ashtu babaxhan, mbronte qëndrimet tona pa kërkuar kurrë në këmbim kurrgjësend. E takova në spital kur sëmundja kishte nisur ta vinte poshtë dhe ashtu i penguar në frymëmarrje, më tha mos ki merak, deri në fund me vete më ke! Nuk takoheshim shpesh, por kur më shkon mendja tek Luani edhe sot e gjithë ditën që ai s’është më, më vjen të buzëqesh nga mendimi se edhe në atë botë ai me siguri ia kalon mirë edhe me ëngjëjt, edhe me djajtë.
#TëPAHARRUESHËM?

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb