Trajneri i mirënjohur shqiptar Shpëtim Duro, bëri një analizë të hollësishme në emisionin “Sport News” të drejtuar nga Enxhi Biba në News 24, teksa vetëm dy afrime të Dinamos i cilësoi me vlera.

Ish-tekniku i shumë skuadrave në vendin tonë, por edhe në Maqedoninë Veriut ku shkëlqeu me Shkëndijën e Tetovës, i qëndroi edhe njëherë tjetër faktit se në merkaton e dimrit është e vështirë të gjesh lojtarë të mirë nga tregu i huaj, ndërsa është kundër huazimeve disa mujore.

Gjithashtu, Duro analizoi edhe gjysmën e kampionatit, teksa sheh një Tiranë të konsoliduar në krye. Sa i takon Partizanit, nëse nuk avancon më tej në Kupën e Shqipërisë, sezoni për të kuqtë mbyllet që në shkurt.

Pretendentët – “Janë skuadra që kanë dalë nga pretendimet e viteve të kaluara, Partizani e Teuta që pritej shumë prej tyre. Është Tirana që me meritë kryeson. Laçi dihej që do ishte se edhe vjet ishte pretendent dhe në verë ishte skuadër shumë e fortë. Vetëm fillimi i kampionatit bëri që të ishte në këtë situatë pas Tiranës.

Pritej më shumë prej Vllaznisë duke pasur parasysh kontingjentin e sezonit të kaluar e përforcimet, nuk është aty ku duhet. Edhe Kukësi. Janë katër skuadra të konfiguruara në pjesën e sipërme të klasifikimit, të shohim kush do të jetë ajo që do të ndjekë më afër Tiranën.

Tirana – Shehi është serioz dhe me këmbë në tokë dhe deklarata në opinion i takon të flasë kështu, por kampionati fillon që në shtator, fillimi i mirë është gjysma e punës. Laçi po ta niste mirë, do të ishte me afër. Tirana e meriton vendin e parë, por ka edhe gjysmën e kampionatit, kështu që do të jetë jashtëzakonisht e përqendruar në vazhdimësi, duke menduar të shmanget ndonjë gabim, ose të njëpasnjëshëm që do të jetë shumë e vështirë të jetë njëlloj me atë që bëri Vllaznia vjet. Tirana është skuadër në gjendje të mirë, skuadër e ekuilibruar, fanella ka të bëjë me personalitetin e skuadrës.

Merkato – Kur kam drejtuar, nuk kam qenë për ndryshime të shumta, por me çfarë kam parë në distancë, nuk ka ndryshime të shumta. Po ato skuadra do të jenë, me çfarë shoh. Janë munduar disa ekipe të plotësojnë boshllëqet, por them nuk do të jenë lojtarë bazë.

Për shembull Tirana nuk ka lëvizje, është po ajo skuadër, De Silva është një afrim i rëndësishëm, është parë cilësia e tij, por ndryshon niveli i ekipeve, duket që nuk ka gjendjen e duhur dhe një ardhje pas dëmtimit të Ngo është mëse normale. Nuk quhet lëvizje e shumtë, se Tirana ka bazë atë formacion që kishte në pjesën e parë të edicionit.

Lushkja – Tani Laçi e fillon pa Lushkjen, por ka pasur bazën e verës, është formacioni tip, nuk ka asnjë presje më shumë. Ka alternativa, por largimi i Lushkjes ndikon se është lojtar me 5-6 vite kontribut te Laçi dhe në mënyrë të lojës ishte ingranuar mirë me të tjerët, është largim shumë i rëndësishëm.

Por ekipi ka alternativa se është i kompletuar në të gjitha aspektet. Vllaznia nuk ka ndryshime, është ajo skuadër e gjysmës së parë, bilës ajo që vlen është se duhej të ishte në vendin e parë. Vllaznia që ka pasur të njëjtën skuadër me edicionin e kaluar, ka katër prurjet që janë lojtarët më të mirë: Dianje, Hakaj, Latifi e Aralica. Nuk kanë pasur nevojë të ambientohen se ishin më të mirët, ndaj rezultatet duhej të ishin më të larta. Por ta shohim si do të reagojnë në vijim.

Kukësi – Te Kukësi jemi te kuadri do shohim, dihen vlerat e Shkurtajt, por jam në dyshim për arsye sepse koha e gjatë që nuk është aktivizuar, ndonjë dëmtim mund ta penalizojë. Nëse ai vjen në formën e tij, është lojtar patjetër me shumë vlera, Gligorov është me përvojë, ka qenë të Vllaznia, por them që Kukësi kishte shumë alternativa në krahun e djathtë. Unë nuk jam që të heqësh lojtarët e tu si Dragoshi e Peposhi, kur ke alternativa që janë pronë e klubit, duhet t’i japësh dorë.

Pëllumbi është paraqitur mirë te Skënderbeu, nuk ka luajtur në Kroaci dhe është regres kthimi mbrapa. Unë nuk jam për huazime të shumta. Mund të marrësh ndonjë lojtar që bën diferencën”, tha Duro.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb