Tragjedia që po zhvillohet në Teksas nga përmbytjet e shpejta pas shirave të rrëmbyeshëm në Qarkun Kerr po merr përmasa të paimagjinueshme. Epiqendra është kampi i vajzave të krishtera Camp Mystic, i vendosur në brigjet e lumit Guadalupe, dhe ishte shtëpia e mbi 700 fëmijëve.

Sipas raportit të fundit nga rritja e ujërave me 8 metra në 45 minuta, 32 persona kanë humbur jetën, 18 të rritur dhe 14 fëmijë, ndërsa 27 janë vajzat e zhdukura vetëm nga kampi. Siç u njoftua pak para mesnatës së së shtunës nga sherifi i qarkut, trupat e pesë të rriturve dhe tre fëmijëve nuk janë identifikuar. Ai paralajmëroi se “këto shifra do të rriten”.

Sipas të njëjtit përditësim, 850 persona janë shpëtuar, me të paktën 160 operacione shpëtimi që janë kryer nga ajri.

Deri më tani, tre nga fëmijët që humbën jetën janë identifikuar: 8-vjeçarja Renee Smystrala, 9-vjeçarja Janey Hunt dhe Sarah Marsh, të cilat u mbytën në ujërat e rrëmbyeshme që përmbytën kampin.

Midis viktimave të konfirmuara ishte edhe babai 27-vjeçar Julian Ryan, i cili vdiq duke u përpjekur të shpëtonte familjen e tij.

27-vjeçari theu një dritare për të ndihmuar të fejuarën, fëmijët dhe nënën e tij të ngjiteshin në çatinë e shtëpisë së tyre. Megjithatë, goditja shkaktoi një këputje të arteries në krahun e tij. “Më vjen keq që nuk mund ta bëj këtë, ju dua të gjithëve”, ishin fjalët e tij të fundit.

Autoritetet kanë identifikuar gjithashtu drejtorin e një kampi tjetër, Jeff Ramsey, dhe Jane Ragsdale.

Meteorologët parashikojnë më shumë stuhi në zonë, duke e bërë të vështirë punën e ekipeve të shpëtimit në zonë.

Shumë rrugë janë mbyllur dhe linjat telefonike janë prishur, duke rezultuar në komunikim të kufizuar.

Operacioni i kërkim-shpëtimit, që përfshin helikopterë dhe anije, do të vazhdojë derisa të gjenden të gjithë të zhdukurit, thanë sot autoritetet lokale, ndërsa një gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në disa qarqe të Teksasit.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump foli për një “katastrofë të tmerrshme” dhe i përshkroi përmbytjet si “tronditëse”.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb