Në fillim të luftës me Iranin, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë shqyrtuar jo vetëm goditjen e objektivave ushtarake iraniane, por edhe një plan shumë më ambicioz për ndryshimin e regjimit në Teheran dhe rikthimin në skenë të ish-presidentit iranian, Mahmoud Ahmadinejad. Sipas një raporti të publikuar nga The New York Times, Ahmadinejad shihej si figura që mund të drejtonte një strukturë kalimtare të pushtetit në rast se udhëheqja aktuale iraniane dobësohej pas sulmeve të koordinuara amerikano-izraelite. Raporti thekson se plani mbështetej në idenë se Ahmadinejad, pavarësisht retorikës së tij të ashpër anti-izraelite dhe anti-perëndimore gjatë kohës në pushtet, vitet e fundit ishte kthyer në kritik të sistemit aktual iranian. Pas largimit nga presidenca në vitin 2013, ai tentoi disa herë të rikthehej në politikë, por kandidaturat e tij u refuzuan nga Këshilli i Gardës.
Sipas NYT, rrethi i tij i afërt e konsideronte Ahmadinejadin si një figurë me eksperiencë politike, lidhje të forta dhe aftësi për të menaxhuar vendin në një periudhë krize.
Bastisja në Narmak dhe dështimi i planit
Sipas raportit, pjesa praktike e planit dështoi pothuajse menjëherë. Një bastisje izraelite në lagjen Narmak të Teheranit, ku ndodhej banesa e Ahmadinejadit, synonte të krijonte kushtet për lirimin e tij nga izolimi de facto. Objektivi kryesor i sulmit, sipas artikullit, ishin forcat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) që ruanin ish-presidentin iranian.
Megjithatë, Ahmadinejad mbeti i plagosur lehtë dhe më pas refuzoi të merrte pjesë në skenarin e propozuar, duke u zhdukur nga vëmendja publike. Më herët, media ndërkombëtare kishin raportuar për sulmin në zonën e Narmakut. Al Jazeera kishte raportuar se Ahmadinejad mund të ishte shënjestra e sulmit, ndërsa The Jerusalem Post kishte publikuar teori mbi fatin e tij, duke cituar burime iraniane.
Plani për ndryshimin e regjimit
Sipas raportit të NYT, Uashingtoni dhe Jeruzalemi kishin analizuar mundësinë e goditjeve direkte ndaj udhëheqjes iraniane. Pas vdekjes së Udhëheqësit Suprem, Ali Khamenei, dhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë, aleatët po kërkonin një figurë brenda Iranit që mund të merrte kontrollin e vendit. Presidenti amerikan Donald Trump kishte deklaruar publikisht se zgjidhja më e mirë do të ishte që ndryshimi i pushtetit të vinte “nga brenda” Iranit. Sipas planit izraelit, operacioni do të zhvillohej në tre faza: fillimisht sulme masive amerikano-izraelite ndaj objektivave ushtarake dhe udhëheqjes iraniane; më pas përdorimi i presionit ushtarak dhe informativ për të krijuar perceptimin se regjimi kishte humbur kontrollin; dhe në fund formimi i një qeverie alternative ku Ahmadinejad do të kishte rol qendror.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi të martën se metodat e vjetra të qeverisjes nuk janë më të mjaftueshme për të përballuar sfidat aktuale të vendit. “Ose gjejmë një mënyrë ose krijojmë një të re”, tha ai gjatë një takimi me guvernatorët provincialë. Ndërkohë, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi paralajmëroi se Irani është gati të rrëzojë më shumë avionë amerikanë nëse konflikti ushtarak rinis. Në të njëjtën kohë, një rezolutë për t’i dhënë fund luftës me Iranin ka kaluar në një votim procedural në Senatin amerikan. Dokumenti do ta detyronte administratën Trump që ose të ndalonte operacionet ushtarake kundër Iranit, ose të kërkonte autorizim formal nga Kongresi për përdorimin e forcës ushtarake. Sipas mediave perëndimore, 50 senatorë votuan pro avancimit të rezolutës, ndërsa 47 votuan kundër.
Megjithatë, miratimi përfundimtar i dokumentit konsiderohet i vështirë, pasi tre senatorë republikanë munguan për shkak të fushatave zgjedhore. Rezoluta ishte bllokuar më parë disa herë nga republikanët, si në Senat ashtu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve, që prej nisjes së operacionit ushtarak SHBA-Izrael kundër Iranit në mars. Sipas Aktit të Pushteteve të Luftës të vitit 1973, presidenti amerikan mund të zhvillojë operacione ushtarake pa miratimin e Kongresit vetëm për 60 ditë. Pas këtij afati, administrata duhet ose të ndalojë operacionin, ose të marrë autorizim të posaçëm nga Kongresi.
