NGA GAQO APOSTOLI*

Gruaja është universale në tërë dimensionin e qenies së saj. Ajo përbën dimensionin më madhor
në dashurinë njerëzore dhe në jetën familjare. Ky është një fakt tepër evident, i njohur e provuar botërisht. Është vajza–grua, ajo që beson e para te dashuria dhe që nxit, frymëzon e realizon krijimin e qelizës së shëndetshme të shoqërisë njerëzore, familjen. Është gruaja–nënë, ajo që ngroh me më shumë dashuri prindërore fëmijët, krijesat e dashurisë, që mbajnë gjallë dhe zhvillojnë një familje të vërtetë, që mbron jetën e saj dhe të komunitetit përreth dhe frymëzon një paqe të qëndrueshme. Në këtë kontekst, gruas, bukurisë dhe dashurisë së saj, veprës së saj në paqe dhe në luftë, i kanë kënduar e thurur himn, poetët, muzikantët, piktorët, artistët e mëdhenj të çdo kohe… Udhëheqës të famshëm dhe luftëtarë të mëdhenj në kohëra, para ose pas betejave të përgjakshme, kanë gjëmuar nga dhimbja: “O nënë!”. Politikanë të dëgjuar dhe Poetë të brishtë nëpër përballjet mynxyrë të kohës, kanë ulëritur nga dashuria: “O grua!”. Nëna dhe gruaja, një sinonim i plotë i tejskajshëm, nëna është grua dhe gruaja është nënë – në themel të qenies së tyre qëndron dimensioni madhor, dashuria, fëmijët, familja.
Evident është gjithashtu edhe fakti që gruaja po luan gjithmonë e më tepër një rol kryesor, sidomos në arsim, shëndetësi, art e kulturë, në veprimtarinë akademike dhe shkencore, ku, pavarësisht nga fiktiviteti i shifrave, niveli i saj arsimor e kulturor, është përherë në rritje.

Sfida më e madhe e gruas shqiptare në zhvillim, është pjesëmarrja efektive e saj në administratë dhe sidomos në institucionet e larta politike dhe parlamentare. Pavarësisht rritjes numerike të pjesëmarrjes së saj në këto institucione të rëndësishme vendimmarrëse, efektiviteti i veprimtarisë së saj fatkeqësisht sfumohet nga rënia deri në degradim e nivelit të arsimimit dhe edukimit real të parlamentarëve shqiptarë (sidomos burrave), si dhe niveli i rritur i kriminalizimit të këtyre institucioneve. Shpeshherë, nga niveli i lartë i agresivitetit verbal, apo ndoshta edhe fizik, kandidate gra të veçanta janë tërhequr nga lista e kandidimit, duke lejuar që parlamenti të pushtohet nga burra të inkriminuar. Gjuha agresive e imponuar nga burrat e zhburrëruar të parlamentit, qofshin këta liderë politikë apo edhe shtetarë, ka tërhequr në vorbullën e çmendurisë dhe papërgjegjshmërisë së tyre edhe gra parlamentare, të cilat nuk kanë mundur të rezistojnë me bukuri, maturi dhe feminitet ndaj shtysës partiake që stimulon degradimin e institucionit më të lartë të vendit.

Gruaja në veprimtarinë politike, sot duhet të përballohet me vetveten, për të ruajtur integritetin e saj njerëzor, social dhe politik. Ajo duhet ta ruajë të pastër veten nga një politike mashtruese, që kërkon ta përdorë, duke e joshur në poste të gatshme për qëllime fitimi, duke i ofruar në mënyrë të menjëhershme poste administrative, si në Dogana, në Tatime, në poste të larta ministrore etj., duke i futur ato në kurthin dhe atmosferën e rrezikshme të korrupsionit, pa pasur përvojën e duhur profesionale dhe politike, pa pasur përvojën e nevojshme në përballjen e Së Mirës me Të Keqen, aq të nevojshme për veprimtarinë dhe karrierën politike. Mbrojtja e vetvetes në përballje me politikën e mashtrimit do të jetë një fitore e madhe e gruas shqiptare në zhvillim.

O NËNË…

O Nënë,
Mbështes kokën mbi prehrin tënd
Dhe si dikur të qaj dua,
Paçka se jam burrëruar.

Jo,
Nuk jam rrëzuar,
Nuk kam në sy njolla dhe hije,
Më ndrit fort një diell,
Më hapet në shpirt një qiell pafajësie.

Nuk e dija
Se kaq përjetësisht
Do të hynte ky çast në jetën time.
Mbi ne konstelacionet shkundnin yje,
Koha fletë dafine.

Nuk e dija
Se, kur të prekja flokët e saj,
Si kjo mbrëmje e praruar,
Jetën e thinjave të tua
Do të ndieja në duar.

O Nënë,
Nuk jam rrëzuar,
Më lart të ngrihem dua.

1978

O GRUA…

Ç’po më ndodh kështu?
Mendimet më përplasen pa mëshirë,
Herë mbi akullin e politikës,
Herë mbi zjarrin e dashurisë.

Një çast,
Ndërsa shkruaja gremisjen e një kohe
Që tërë jetën patëm adhuruar,
Ndjeva qenien time të ulërinte nga dhimbja:

O Grua!

* Fjala e mbajtur në aktivitetin e organizuar nga Forumi i Grave Ambasadore për Paqen me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: