TIRANE- Çmimi i energjisë elektrike nuk do të ndryshojë në vitin 2016. Burime zyrtare nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike bëjnë të ditur, se është plotësuar detyrimi ligjor për rishikimin e tarifave në ERE, por nuk është kërkuar ndryshim çmimi për 2016- ën.

Sipas të njëjtave burime, mësohet se shpenzimet për vitin që vjen do të vijojnë të përballohen me rritjen e arkëtimeve nga faturimet dhe duke eliminuar humbjet në rrjet. OSHEE-ja njofton se në fund të muajit gusht humbjet u ulën në nivel rekord, ndërsa vazhdon ritmi pozitiv i arkëtimeve. Arkëtimet këtë muaj arritën në 5,12 miliardë lekë. Për efekt krahasimor, me të njëjtin muaj të vitit 2014, janë 1,69 miliardë lekë më shumë, ndërsa krahasuar me gushtin e vitit 2013 rezulton të jenë arkëtuar 1,81 miliardë lekë më shumë.

Në total, si 8-mujor, arkëtimet arritën në vlerën e 44,4 miliardë lekëve, thënë ndryshe, 14,6 miliardë më tepër se periudha janar-gusht 2014 (49% rritje), dhe 19 miliardë më shumë se 2013-ta (75% rritje). Nga ana tjetër, humbjet në rrjet vijojnë reduktimin në sajë të vendosmërisë së kompanisë për të rikthyer ligjshmërinë në konsumin e energjisë elektrike.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb