Në vitin 2019, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për lidhjen e një kontrate qiraje me tarifën simbolike prej “1 euro” ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe shoqërisë “ALLIANCE RESOURCE” sh.p.k, në kuadër të nismës “Shqipëria 1 euro”.
Kjo kompani me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar në vitin 2017, ka dy pronarë që zotërojnë nga 50% të aksioneve secili, Mbarime Koroçi shtetase shqiptare dhe Wen Ming, lindur dhe banues në Guangxi të Kinës, ç’ka e bën këtë një shoqëri me kapital të përbashkët shqiptaro-kinez.
Përmes kësaj nisme, “ALLIANCE RESOURCE” ka përfituar të drejtën e shfrytëzimit për 20 vite të një pasurie publike me sipërfaqe totale prej 57,390 m2, me qëllimin për ngritjen e një linje prodhimi të oksideve të zinkut, hekur-nikelit dhe nikel-silikatit. Sipas detyrimit të shpallur nga Agjencia e Prokurimit Publik kompania ka ofruar një vlerë mujore qiraje prej afro 5.6 milionë lekësh.

Kjo pasuri është përfshirë edhe më herët në një procedurë prokurimi, sërish me të njëjtën kompani si ofertues, por është skualifikuar nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave. Por në vitin 2019, po ky komision i ka hapur rrugën nënshkrimit të kontratës pasi ka vlerësuar se kompania përmbushte të gjitha kriteret duke e vlerësuar me 100 pikë të plota.
Nga verifikimet e “Vetting” rezulton se kompania nuk i ka përmbushur plotësisht kriteret për të marrë pikët maksimale, për shkak të mungesës së transparencës në disa pika kyçe që lidhen me burimet financiare që do të çonin para projektin. Bazuar në marrëveshjen ndërmjet ortakëve të kompanisë, financimi i projektit do të bëhet përmes kapitalit të vetë shoqërisë dhe kontributeve nga aktivitetet e tjera të ortakëve.
Pala kineze, e përfaqësuar nga Wen Ming, do të mbulojë investimet për teknologjinë dhe pajisjet për prodhim, me një vlerë të deklaruar prej rreth 218 milionë lekësh, të cilat do të sigurohen nga aksionet që ai zotëron në një uzinë në Kinë. Ndërkohë që pala shqiptare, e përfaqësuar nga Mbarime Koroci, ka deklaruar një investim në vlerën e rreth 122 milionë lekëve, pjesërisht të ardhura nga aktiviteti i shoqërive familjare “Koroci Metal’s” dhe “Koroci”, të cilat janë në pronësi të bashkëshortit të saj, Ylmi Koroci.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, një nga problematikat kryesore ka qenë mungesa e dokumentacionit zyrtar që vërteton lidhjen e bashkëpunimit ndërmjet “ALLIANCE RESOURCE” dhe “Koroci Metal’s” sh.p.k, ku kjo e fundit, sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Biznesit, rezulton me status të pezulluar. Mbarime Koroci bashkëpronare dhe administratore e shoqërisë “ALLIANCE RESOURCE” është shprehur se kompania familjare do të angazhohej në kryerjen e punimeve për ngritjen e linjës së prodhimit, por nuk ka paraqitur ndonjë marrëveshje apo kontratë që përcakton vlerën e këtij angazhimi financiar.
Një tjetër shqetësim lidhet me mungesën e parashikimeve të qarta në planin e biznesit lidhur me përfitimet që do të ketë Buxheti i Shtetit pas realizimit të investimit. Konkretisht, mungojnë të dhënat mbi tatimin mbi fitimin, rritjen e punësimit në zonë, të ardhurat nga pagat, kontributet në sigurimet shoqërore si dhe tatimi mbi të ardhurat personale, kritere që argumenojnë favorizimet e këtyre shoqërive me kontratën simbolike “1 euro”.
Sipas ekspertit Gjokutaj, në këtë nismë ka dominuar biznesi vendas pasi ka qenë më i përshtatur, më efektiv për arsye të njohjes së rregullve të brendshme të cilat kanë brenda dhe ato problematika që ka në përgjithësi ekonomia e shoqëruar nga informaliteti, nga pjesa e korrupsionit dhe mungesa e konkurrueshmërisë.
(BalkanWeb)