Priscilla Presley, ish-bashkëshortja e legjendës së rock’n’roll-it, Elvis Presley, ka paraqitur një kërkesë ligjore për të rrëzuar vlefshmërinë e testamentit të vajzës së tyre të ndjerë.

Lisa Marie Presley, fëmija i vetëm i çiftit, vdiq në moshën 54-vjeçare më 12 janar pas një arresti kardiak.
Peticioni i dorëzuar në gjykatë kundërshton një ndryshim të 2016-ës në testamentin e Lisa Marie, ku Priscilla Presleyt i hiqet e drejta si administruese e pasurisë së të bijës. BBC raporton se dokumenti shkruante gabim emrin e nënës së saj dhe kishte një nënshkrim që dukej i pazakontë, argumentojnë avokatët e zonjës Presley.

Në një paraqitje në Gjykatën e Lartë të Los Angelos avokatët e 77-vjeçares thanë se ajo u vu në dijeni për “amendamentin e ndryshuar të vitit 2016” vetëm pas vdekjes së Lisa Marie. Amendamenti në fjalë heq nënën dhe ish-menaxherin e saj të biznesit, Barry Siegel, si bashkë-besues dhe i zëvendëson me fëmijët e saj Riley, 33 vjeç dhe Benjamin Keough.

Benjamin Keough vdiq në vitin 2020 në moshën 27-vjeçare. Ndërkohë, Riley Keough është një aktore me tituj duke përfshirë filmin e vitit 2020 ‘The Devil All the Time’ dhe serialin ‘Amazon The Terminal List’. Sipas sfidës ligjore, zonja Presley argumenton se amendamenti nuk iu dorëzua kurrë gjatë kohës kur vajza e saj ishte në jetë, siç kërkohet në mënyrë specifike nga testamenti.

Avokatët e saj gjithashtu argumentojnë se ndryshimi nuk u dëshmua dhe as u noterizua. “Bazuar në sa më sipër, amendamenti i supozuar i vitit 2016 duhet të konsiderohet i pavlefshëm dhe Trusti, i ndryshuar dhe riformuluar plotësisht në vitin 2010 është dokumenti kontrollues dhe autoritar”, thuhet në peticion. Veprimi ligjor vjen më pak se një javë pasi familja e Lisa Marie Presley mori pjesë në një shërbim përkujtimor publik për të në pronën e familjes Graceland në Memphis. Gjatë kësaj ceremonie, Priscilla lexoi një poezi që ajo tha se ishte shkruar nga një nga tre vajzat e Lisa Marie. Të tre fëmijët, përfshirë Riley, ishin të pranishëm në shërbim.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb