Nga: OLA MITRE*
TIRANE – Problemi i pallateve apo ndërtimeve pa hipotekë në Tiranë do të gjejë zgjidhje brenda 300 ditëve”. Gjithçka bëhet me dije nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku, i cili thekson se tashmë është ngritur një grup pune, i cili po merret me kategorizimin e problemeve të këtyre ndërtimeve. Përmes kësaj interviste, dhënë për “Gazeta Shqiptare”, Mazniku shpjegon se hipotekimi do të bëhet sipas specifikës së problemit, duke siguruar se asnjë ndërtesë nuk do të mbetet jashtë këtij procesi. Po ashtu, nënkryetari bën me dije edhe projektet që ka Bashkia e Tiranës në lidhje me shtimin e parqeve, lirimin e hapësirave publike, ndërtimin e çerdheve, kopshteve e shkollave të reja, transformimin e disa prej projekteve të trashëguara nga administrata e mëparshme, hapjes së vendeve të reja të punës, taksave, parkimeve e terminalit.

Z. Mazniku, ashtu sikurse është bërë e ditur në ditët e para të marrjes së mandatit nga kryebashkiaku, Erion Veliaj, Bashkia e Tiranës ka trashëguar një borxh prej 30 mln dollarësh. Cili është plani për rikuperimin e situatës ekonomike?
Nga analiza paraprake rezulton se Bashkia e Tiranës ka një borxh prej 30 milionë dollarësh detyrime të pashlyera ndaj palëve të treta, ku rezulton se kompanitë e pastrimit kanë që nga muaji janar pa u paguar. Jemi duke vlerësuar strukturën e këtij borxhi për të bërë më pas një vlerësim se si mund ta shtrijmë në kohë dhe ta rikuperojmë, por në thelb ky është një borxh i marrë nga investimet që bashkia mund të bëjë në të ardhmen si dhe nga keqmenaxhimi strukturor i të ardhurave të bashkisë. Nëse shohim buxhetet e 4 viteve të fundit, në secilin prej tyre ka pasur një parashikim buxhetor në nivelin 80-84 milionë dollarë dhe një realizim prej 50-54 milionë, pra pothuajse së secilin prej viteve bashkisë i kanë munguar 30 milionë USD të ardhura, që i kishte planifikuar vetë. Ndaj ne mendojmë që nëpërmjet një plani ambicioz dhe bashkëpunimi me qeverinë qendrore të kemi mundësinë që në një periudhë të shkurtër të gjejmë një mekanizëm për ta rikuperuar këtë borxh.
Do të jenë mbledhja e suksesshme e taksave apo rritja e tyre disa prej mundësive për të rikuperuar borxhin?
Ne besojmë që në këtë moment është e rëndësishme të fokusohemi te mbledhja e taksave, të cilat performojnë shumë keq. Tarifa e parkimit është një ndër to, që del me 2-3% e parashikimit të mbledhjes. Taksa mbi pasurinë është gjithashtu në nivele shumë të ulëta të mbledhjes, me 0.5% e parashikimit. Kjo do të thotë se s’është e nevojshme vendosja e taksave të reja apo rritja e tyre, por thjesht do të duhet të mblidhen në mënyrë të suksesshme.
Keni ndonjë plan se si do të bëhet kjo?
Jemi duke punuar për një plan dhe në buxhetin e ri, i cili do të kalojë në fund të këtij viti, do të kemi mundësi të kemi përcaktuar edhe funksionimin e kësaj pjese.
Një problem i madh për kryeqytetin janë edhe pallatet apo ndërtimet pa hipoteka. Çfarë do të ndodhë me këto pallate?
Që nga dita e dytë në detyrë, kryetari i bashkisë ka ngritur një grup të posaçëm, i cili është duke punuar për çështjen e hipotekave dhe pallateve apo ndërtesave që nuk janë hipotekuar. Janë ndarë në kategori sipas problematikës dhe është duke u gjetur zgjidhje për secilin prej tyre, që variojnë që nga ndërhyrjet ligjore, ndërhyrjet e vlerësimit të strukturës apo ndërhyrje me ndryshime të akteve nënligjore. Do të bëhet një paketë e plotë, që do të propozohet për ato nivele që kanë nevojë për ndërhyrje ndryshimesh të akteve nënligjore të qeverisë, ndërsa në ato vende ku mjafton një Vendim i Këshillit Bashkiak, do të ketë një të tillë, në mënyrë që këtë çështje ta mbyllim me një shpejtësi maksimale e me shumë gjasa brenda 300 ditëve të para të kësaj administrate.
Do të jepen në formën e lejeve të përdorimit, ashtu sikurse u ndoq praktika gjatë këtyre viteve, apo do të ketë një formë të re, certifikata pronësie të mirëfillta për shembull?
Unë nuk mund të them në detaje teknike se si do të jetë zgjidhja në këtë moment. Duhet të kemi parasysh që jemi më pak se 15 ditë në detyrë, por mund t’ju them që grupi është në rrugën e duhur për të gjetur një zgjidhje, e cila do t’u japë të gjithë qytetarëve që banojnë në banesa pa hipotekë, brenda 300 ditëve të para të kenë një pallat me hipotekë.
Po për shtesat e ndërtuara pa leje?
Është pjesë e ndarjes në kategori. Siç thashë më parë, janë ndarë në kategori problematikat: shtesa pa leje, ndërtime ku kompania e ndërtimit është shkrirë e nuk ekziston më, në kategori ku nuk është marrë leja e shfrytëzimit, devijim nga leja e ndërtimit etj.. Pra ka disa nënkategori të arsyeve pse nuk është dhënë leja dhe për secilën prej tyre zgjidhja do të jetë specifike.
Pra në 300 ditë, të gjitha ndërtimet pa leje do të hipotekohen?
Ne besojmë që mund t’ia dalim brenda 300 ditëve.
Cila është e vërteta e projekteve të trashëguara nga administrata e mëparshme: a keni gjetur në tavolinë 110 projekte?
Ideja që “kemi punuar 4 vjet për të bërë projekte” është një aspiratë shumë e ulët për qytetarët shqiptarë. Qytetarët nuk kanë zgjedhur një administratë për të bërë projekte, por për t’i zbatuar ato, bazuar në projektet e prezantuara në fushatë. Pra në thelb ne kemi si aspiratë jo projektet, por zbatimin e tyre, dhe duam që pas 4 vitesh qytetarët të na vlerësojnë jo mbi bazën e projekte që do të lëmë në sirtar, por mbi bazën e projekteve që do të zbatohen. S’dua të hyj në detaje, por mjafton një rast për të ilustruar, ku ne negociuam në këto 15 ditë dhe na ka ardhur tashmë nga kompania “Grimshow” një rishikim i planit të zgjatimit të bulevardit, i cili tashmë quhet “Parku Qendror i Tiranës”, i cili në thelb synon të krijojë një zonë të re zhvillimi për qytetin dhe një park të madh qendror për qytetin. Ndryshimi i filozofive është thelbësor: kemi një koncept, i cili i shton qytetit një park dhe rreth këtij parku zhvillon qytetin, nga një ide që ishte: “T’i zgjerojmë qytetit asfaltin dhe asfaltit më shumë beton”. Pra, ne duam të arrijmë një qytet që është më i jetueshëm, ku qytetarët jetojnë më mirë, ku ata kanë kënaqësi që jo vetëm të rrinë brenda mureve, por të kenë hapësira publike ku mund të jetojnë. Po ashtu, gjetëm çerdhet në një situatë të dëshpëruar, ndërkohë që ato duhet të rifillojnë nga puna në datën 1 shtator, dhe sigurisht me një borxh shumë të madh. Ndërkohë që kryetari u angazhua personalisht për të gjetur një mënyrë se si të ftonim individë që mund të ndihmonin, dhe unë mund të them sot se pjesa më e madhe e çerdheve tashmë janë duke u riparuar, dhe në datën 31 gusht do të jenë gati, me një standard tjetër.
Përtej numrit të çerdheve që po rikonstruktohen, ka një mungesë të madhe të numrit të çerdheve dhe kopshteve, duke detyruar prindërit t’i çojnë fëmijët e tyre në institucione private. Çfarë do të bëhet në këtë drejtim?
Në vetëm këto pak ditë që jemi në detyrë, kemi bërë një analizë të detajuar të nevojës që ka qyteti për çerdhe të reja, dhe realisht kemi një situatë shumë larg aspiratës sonë për çerdhe dhe kopshte dhe shumë larg nevojës për këto institucione. Tashmë jemi duke punuar për krijimin e një plani makro, për mënyrën se si në një periudhë afatmesme të kemi mundësi t’i sigurojmë qytetit, çerdhet, kopshtet, shkollat, gjimnazet që qyteti meriton të ketë. Kemi të bëjmë me një mungesë shumë të madhe, që do të thotë se financat që do të duheshin janë shumë të madha dhe në terma specifikë është përtej kapaciteteve që bashkia mund të ketë apo që do të ketë edhe me një administrim shumë të mirë afatshkurtër. Por, është angazhimi ynë që së pari të nxjerrim një vlerësim të nevojës financiare për investim dhe më pas të gjejmë një zgjidhje funksionale për shtimin e tyre.
Meqenëse përmendët projektin e studios “Grimshow”, a keni një afat se kur do të rifillojnë punimet sipas projektit të rishikuar?
Rishikimi nuk ka mbaruar. Pra, kjo studio është duke punuar e më pas projekti duhet të kalojë në një nivel aprovimi, do të shihet nëse do të ketë ndikim në bulevard e më pas do të fillojnë menjëherë punimet. Por, punimet për lumin e Tiranës, në aksin horizontal me bulevardin do të fillojnë shumë shpejt, pasi në këtë pjesë nuk ka lëvizje nga projekti, dhe pas sqarimeve dhe zgjidhjeve të problematikave që ka pasur funksionimi i aparatit të bashkisë, do të fillojmë shumë shpejt.
Çfarë do të ndodhë me shtimin e parqeve?
Kryetari i bashkisë ka një plan ambicioz për krijimin e një agjencie të posaçme, e cila do të merret me menaxhimin e të gjitha parqeve në qytetin e Tiranës. Tirana e re, e zgjeruar me 25 herë, ka një pasuri shumë të madhe me parqe, të cilat mund t’i japin një rritje të re cilësisë së jetës së qytetarëve të Tiranës. Tashmë kemi gati projektin e Parkut të Kasharit, që shumë shpejt do të fillojë implementimi. Kemi një projekt për Parkun e Vaqarit, i cili do të kthehet në i vizitueshëm dhe i aksesueshëm nga qytetarët. Kemi një plan tashmë të aprovuar, që do të fillojë nga zbatimi në fund të muajit shtator për riorganizimin e Parkut të Liqenit, që do t’i shtojë shumë funksionalitete parkut, i cili ka ngelur për më shumë se 4 vjet në gjendje statike. Do të ketë një pistë të re vrapi, një pistë të gjatë dhe të shkëputur nga rrugët e ecjes dhe pistës së vrapimit për biçikletat, do të krijojmë një riparim strukturor të digës së liqenit, do të krijojmë shumë hapësira sportive, në mënyrë që qytetarët, gjatë kohës që bëjnë ecje, të kenë mundësi edhe të ushtrojnë sporte të fitnesit.
Ky projekt, ka lidhje me projektin e ndërtimit të hyrjes së Parkut të Liqenit?
Jo, ky është një projekt, që ka të bëjë vetëm me pjesët e brendshme të parkut, në mënyrë që, nga një park në formën e një pylli të shpërndarë, të kthehet në një park ku qytetarët të ushtrojnë funksione të ndryshme dhe ta jetojnë në mënyrë më organike parkun.
Folët për parqe si Kashari apo Vaqari, që kanë ekzistuar tashmë si hapësira të gjelbra. Çfarë do të bëhet me shtimin apo krijimin e hapësirave të reja?
Gjëja që kemi bërë në kaq pak ditë është ndërhyrja në hapësirat mes pallateve, duke i çliruar nga zaptimet apo uzurpimet abuzive, dhe do të fillojmë më pas me një plan të dytë, që ka të bëjë me rikualifikimin e këtyre hapësirave urbane. Gjithashtu, kemi edhe planin e “Parkut Qendror të Tiranës”, që përmenda më sipër, i cili praktikisht i shton Tiranës një park në mes të qytetit, i cili është 6 herë më i madh se Parku Rinia dhe është një hapësirë, e cila është e krahasueshme me parqet më të mëdha të qendrave më të mëdha evropiane.
Parkimet janë një tjetër problem shumë i madh që ka Tirana. A keni një projekt për zgjidhjen e situatës?
Jemi duke punuar intensivisht për të filluar zbatimin e një projekti për një zgjidhje strukturore e sistematike të çështjes së parkingjeve, që fillon që nga parkimet në akset kryesore të kryeqytetit, deri te parkimet në zonat periurbane, pra në zonat ku mblidhet trafiku që vjen nga jashtë qytetit me atë të qytetit. Do të fillojmë implementimin e tij që në muajt në vijim, në mënyrë që brenda një periudhe shumë të shkurtër të kemi një zgjidhje, e cila do të lehtësojë jetën e qytetarëve që duan të parkojnë mjetet e tyre, të atyre që nuk duan t’i parkojnë apo dhe të atyre që duan të përdorin transportin publik. Jemi duke punuar me konsulentët më të mirë të mundshëm, që të gjejmë zgjidhjen sistematike të këtij problemi.
Parkime nëntokësore si ai që ishte projektuar te sheshi “Italia”, do të ketë?
Pa dyshim që pjesë e një skeme për zgjidhjen e problematikës janë edhe parkimet nëntokësore.
Çfarë do të ndodhë me terminalin multimodal, duke qenë se Tirana si një kryeqytet evropian ende nuk ka një stacion të mirëfilltë ku të nisen autobusët apo furgonët?
Siç është angazhuar në programin e tij kryetari i bashkisë, ne do të kemi një model alternativ, nga ai i propozuar më parë për një stacion multimodal, në një model që do të ketë disa terminale në pikat hyrëse- dalëse të kryeqytetit: në daljen lindore drejt Elbasanit, ashtu edhe në daljet ku lidhen pjesa veriore dhe jugore e Shqipërisë. Në secilën prej këtyre pikave po planifikojmë që të kemi terminale për transportin urban dhe interurban. Këto plane do të marrin pjesë shumë shpejt, por në një mënyrë të arsyeshme për kryeqytetin. Duhet të kemi parasysh se terminali multimodal ishte një plan që edhe për hartuesit e tij ishte jorealist, do të kushtonte mbi 60 milionë euro e që do të transportonte qytetarët hipotetikë të tramit. Plani ynë do të shkurtojë distancat dhe kostot, duke eliminuar hyrjet apo daljet e panevojshme nëpër qytet. Qytetarët e Tiranës do t’i kenë shumë shpejt këto terminale.
Çfarë do të ndodhë me programet e strehimit?
Hapi i parë që ne ndërmorëm është alokimi i 245 banesave sociale të ndërtuara në kryeqytet, ndërkohë që ka dhe një numër tjetër banesash që do të alokohen në mbledhjet e ardhshme të Këshillit Bashkiak. Bashkë me këtë ne do të krijojmë një program sistematik dhe të arsyeshëm për çështjen e banimit. Ky plan përfshin pjesërisht konceptin e kredive të buta, por edhe idenë e përdorimit të aseteve të tjera të bashkisë apo dhe mundësisë që bashkia ka si planifikuese e zhvillimit të qytetit, në mënyrë që në këtë proces bashkia të ketë mundësi t’u ofrojë qytetarëve me pak mundësi, banim të mirë, cilësor dhe të aksesueshëm prej tyre.
Përmendët kreditë e buta, për të cilat administrata e mëparshme e bashkisë ka pretenduar se ka një bllokim nga ana e qeverisë. Kur do të rinisë dhënia e kredive të buta?
Programi i kredive të buta është mbështetur edhe nga fonde të qeverisë qendrore, ndaj dhe një skemë e re e ngjashme do të duhet të bashkërendohet me qeverinë dhe të shihet mundësia e një plani tjetër për të funksionuar.
Çfarë do të bëhet në drejtim të hapjes së vendeve të reja të punës?
Qyteti, pa dyshim që ka nevojë për gjetjen e mekanizmave për krijimin e vendeve të reja të punës, dhe këto vende krijohen nëpërmjet krijimit të oportuniteteve për vende të reja pune. Ne kemi disa programe ambicioze, që synojnë jo vetëm të përmirësojnë në mënyrë të ndjeshme cilësinë e jetës së qytetarëve, por të krijojnë edhe hapësira për vende të reja pune. Një prej tyre është “Shkolla si qendër komunitare”, ku shkollat të kenë mundësi të funksionojnë si qendra komunitare pas mësimit. Është një projekt, i cili të jep realisht mundësinë e punësimit të shumë të rinjve dhe të rejave si mentorë të fëmijëve, përgatitjes së detyrave për ditën e nesërme apo si organizues të kurseve në fusha të caktuara: pikturë, muzikë, art apo edhe në fushën e sporteve si trajnerë të fëmijëve. Gjithashtu, po punojmë në mënyrë intensive për një program për zgjidhjen e problemit të bashkëpronësisë në qytet, që u krijon probleme shumë qytetarëve në lagjet ku ata jetojnë. Teksa ky është një problem që rrit cilësinë e jetës, është edhe një oportunitet i mirë për të krijuar vende të reja pune. Ne besojmë se nëpërmjet investimeve të bashkisë, fokusimit drejt të pasurit të një qyteti që funksionon nga ana e pastërtisë, e transportit publik dhe infrastrukturës, rriten mundësitë që investitorët lokalë apo të huaj ta gjykojnë si një vend i mirë për të investuar e krijuar vende të reja pune. Po ashtu, edhe nëpërmjet disa iniciativave që bashkia mund të marrë, pa dyshim që fokus i punës sonë do të jetë edhe se sa vende pune shton ky angazhim që do të merret.
Folëm për shumë projekte ambicioze, por problemi qëndron te paratë, që ashtu sikurse u tha në fillim, janë një problem për Bashkinë e Tiranës. Ku do të gjenden paratë për financimin e tyre?
Të gjithë duhet të kuptojmë se bashkia në vetvete nuk gjeneron para. Funksionon brenda atij buxheti që qytetarët i besojnë për të administruar bashkisë. Përgjegjësia jonë është që me ato sasi parash që qytetarët na kanë besuar për t’i administruar në mënyrë efiçente, të bëjmë maksimumin apo më shumë se ç’mund të bëhet (rasti i çerdheve).
Megjithatë, mbledhja e taksave është një mënyrë për të gjeneruar para…
Pa dyshim! E para është që të mbledhim ato para që duhen mbledhur e më pas t’i shpenzojmë në mënyrë efiçente. Më pas të kemi diskutim të hapur me qytetarët, që të kuptojmë që me një sasi pagese mund të arrihen një sasi punësh e më pas të arrihet ritmi, të cilin duam që ne të ndryshojmë.
Pati një apel nga kryetari i bashkisë për intensifikimin e punimeve në kopshte dhe çerdhe për t’u bërë gati në datën 1 shtator. Po për punët publike që janë duke u kryer aktualisht, por që ndiqen praktika shumë të ngadalësuara nga ana e firmave e që më së shumti e vuajnë banorët (për shembull rruga e Dajtit), çfarë do të bëhet? A do të ketë një apel për këto kompani?
Një ndër problemet shumë të mëdha që kemi trashëguar është fakti se bashkia e mëparshme ka nisur punë publike dhe ka dhënë kontrata duke parashikuar në buxhetin e atij viti vetëm 2-5% të buxhetit total të një projekti. Kjo do të thotë se, disa punë publike niseshin duke menduar që paratë për to do të duhej të alokoheshin në tre vjet. Për rrjedhojë, edhe kompanitë e merrnin punën me shumë “terezi”, sepse e dinin që nuk do të kishte para. Kjo është një praktikë që do të marrë fund dhe është më mirë që të bëjmë aq punë sa kemi të ardhura, por t’i bëjmë në mënyrë efiçente dhe pa ua “nxirë jetën njerëzve” më shumë sesa t’ua rregullojmë. Kjo praktikë do të marrë fund sapo të kemi mundësi që projektet që janë nisur tashmë të mbyllen. Pjesë e problemit të dytë që kemi janë jo vetëm 30 mln dollarët borxh, por edhe projektet që janë nisur e është financuar vetëm një fraksion i tyre. Kjo do të thotë që, vitin e ardhshëm do të duhet të financojmë disa projekte që janë nisur jo detyrimisht me qëllimin më të mirë të mundshëm nga ana e bashkisë së mëparshme.
Si do të vijohet me aksionin për lirimin e hapësirave publike?
Aksioni do të vijojë në mënyrë intensive në të gjithë qytetin, për të vendosur rregull në të gjitha hapësirat dhe rrugët publike. Kjo do të thotë se, vendosje hekurash, tabelash, shtyllash apo betonesh për të zaptuar një hapësirë publike nuk kanë për të ndodhur më. Paralelisht me këtë duhet të kujdesemi që të krijojmë një balancë mes përdorimit të hapësirave nga bizneset. Ne jemi të lumtur që bizneset të përdorin hapësirat për t’u shërbyer qytetarëve, qofshin këto kafe apo bare, por kjo duhet bërë kundrejt rregullave të qytetit, që do të thotë, duke mos zaptuar hapësirën ku qytetarët janë të detyruar të kalojnë dhe duke paguar ato tarifa që janë të vendosura për zënien e hapësirave publike. Në këtë balancë do të vendoset një rregull e ne si qytetarë të mos jemi të detyruar të zbresim në rrugë sepse dikush ka zënë trotuaret me tavolina, por të krijohet një sistem ku të gjithë të jetojnë sipas rregullave. Në këtë mënyrë do të kemi mundësi që të fillojmë punën për sistemimin e hapësirave mes pallateve dhe ta bëjmë qytetin të jetueshëm.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: