Një video e publikuar nga burgu Ghezel Hesar në Iran ka sjellë pamje tronditëse, ku disa të burgosur shihen duke i qepur buzët njëri-tjetrit në shenjë proteste ndaj valës së ekzekutimeve në vend.
Sipas raportimit të The Guardian, greva e urisë ka hyrë në ditën e saj të 16-të. Të burgosurit kanë ndërmarrë këtë akt ekstrem pasi gjashtë persona, të dënuar me vdekje për akuza të lidhura me drogën, u transferuan në izolim më 13 korrik, ndërsa autoritetet iraniane po përshpejtojnë zbatimin e dënimeve kapitale.
Sipas Organizatës për të Drejtat e Njeriut në Iran (IHRNGO), me seli në Oslo, deri më tani gjatë këtij viti janë ekzekutuar 424 persona, ndërsa rreth 1.500 të burgosur ndodhen aktualisht në pritje të dënimit me vdekje. Shumica e ekzekutimeve lidhen me çështje të trafikut të drogës.
Organizata thekson se shumë prej të dënuarve janë trafikantë të vegjël, të cilët janë përfshirë në këtë aktivitet për shkak të varfërisë.
Drejtori i IHRNGO-së, Mahmoud Amiri-Moghaddam, deklaroi se greva e urisë është një nga mënyrat e pakta që u ka mbetur të burgosurve për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare ndaj situatës.
🔴14th Day of Ghezel Hesar Prisoners' Strike: Demands to Reform Drug Offense Execution Laws
🔸On the 14th day of their hunger strike, a group of prisoners in Ghezel Hesar issued a new message, once again calling for an immediate halt to executions and the urgent approval of an… pic.twitter.com/hlXBqX7NA7
— Abdorrahman Boroumand Center (@IranRights_org) July 27, 2026
“Duke organizuar këtë protestë, të burgosurit në Ghezel Hesar po marrin një rrezik jashtëzakonisht të madh. Ata e dinë se autoritetet mund t’i ekzekutojnë në çdo moment, por kanë zgjedhur të ngrenë zërin me shpresën se komuniteti ndërkombëtar do të reagojë dhe do të rrisë koston politike të këtyre ekzekutimeve”, u shpreh ai.
Sipas të dhënave të organizatës, Irani ka ekzekutuar të paktën 26 persona të lidhur me protestat e muajit janar. Dy të dënuar të tjerë u ekzekutuan të martën, pasi u shpallën fajtorë për vrasjen e katër efektivëve të policisë gjatë protestave dhe për akuzën e “shpalljes së luftës kundër Zotit”.
Ndërkohë, Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka paralajmëruar se edhe tetë të rinj të tjerë ndodhen në rrezik të menjëhershëm ekzekutimi. Ekspertët e OKB-së kanë kërkuar vendosjen e një moratoriumi për dënimin me vdekje dhe garantimin e proceseve të rregullta gjyqësore, duke theksuar se ky dënim duhet të zbatohet vetëm për krimet më të rënda.
