Në një sondazh rigoroz që drejtova kohët e fundit, zhvilluar me rreth 1100 anketime të drejtpërdrejta në terren nga Konispoli në Vermosh, të anketuarit e moshave mbi 18 vjeç e sipër u pyetën edhe për punësimin e tyre. Ja çfarë panorame statistikore të punësimit në Shqipëri na dha ky sondazh rigoroz.

Rreth 66.2% e banorëve të rritur janë aktualisht të punësuar/vetpunësuar në Shqipëri. Me ekstrapolim të përafërt, kjo përqindje përkthehet në rreth 1 milion e 323 mijë banorë të rritur të punësuar/vetpunësuar. Rreth 3.9% e banorëve të rritur (ose rreth 77 mijë) janë në kërkim të një vendi pune, ndërsa rreth 30% (ose rreth 600 mijë) të tjerë as janë në punë e as kërkojnë punë (shihni tabelën e mëposhtme). Tek ky grupi i fundit përfshihen pensionistët e pleqërisë apo invaliditetit, shtëpiaket, si dhe studentët që nuk shkojnë në punë pasdite.

Banorë 18 vjeç e sipër % Ekstrapolim i përafërt i banorëve të rritur
Të punësuar/vetpunësuar 66.2% 1,323,000
Në kërkim të punës 3.9% 77,000
As në punë e as në kërkim të saj 30.0% 600,000
Total 100.0% 2,000,000

Dy grupet e para në tabelën e mësipërme formojnë atë që në literaturën ekonomike quhet forca aktive e punës, e cila aktualisht ka në përbërje rreth 1.4 milionë banorë të rritur të Shqipërisë (ka në përbërje plus edhe disa mijëra adoleshentë që punojnë, por ata nuk janë përfshirë në sondazhin e sipërcituar). Nga 1.4 milionët e mësipërm, vetëm 77 mijë janë në kërkim të një pune që ende s’e kanë gjetur – ata përbëjnë 5.5% të forcës së rritur aktive të punës.

Bazuar në literaturën ekonomike, niveli i papunësisë në popullsinë e rritur (18 vjeç e sipër, e jo 15-64 vjeç, sa ç’është zakonisht grupmosha e referencës për punësimin) aktualisht regjistrohet pikërisht në nivelin e mësipërm 5.5%.

SHËNIM: Nga 1.323 milionë të punësuarit/vetpunësuarit ndër banorët e rritur, rreth 30% rezultuan të vetpunësuar. Ndërkohë, rreth 32 mijë banorë të Shqipërisë rezultojnë që vazhdojnë të punojnë edhe pasi e kanë festuar datlindjen e 65-të.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb