Ministria e Shëndetësisë së Kosovës njofton se nga sot (15 prill), ora 06:00, me qëllim të mbrojtjes së jetës së banorëve në komunat e Republikës së Kosovës hyjnë në fuqi masat e reja të qarkullimit.

Masat e reja të qarkullimit në vend kanë për qëllim parandalimin, luftimin dhe eliminimin e pandemisë COVID-19.
Ministria e Shëndetësisë duke respektuar dispozitat ligjore dhe frymën e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike merr masat e paralajmëruara me vendime të veçanta për secilën komunë.

Sipas vendimeve lejohet qarkullimi i nënshtetasve mbi moshën 16 vjeç, vetëm për 1 orë e gjysmë në ditë, sipas orarit të përcaktuar javor në bazë të shifrës së parafundit të numrit të tyre personal. Ndërsa, për shtetasit e huaj i njëjti vendim vlen me numrin e fundit të pasaportës.

Pas çdo intervali kohor, operatorët ekonomik janë të detyruar që gjatë 30 minutëshit që nuk ka lëvizje të qytetarëve të bëjnë dezinfektimin e hapësirës afariste, raporton Telegrafi.

Për të kryer nevojat e operatorëve ekonomikë apo institucioneve përkatëse, mundësohet qarkullimi i lirë për operatorët ekonomikë dhe institucionet e parashikuara, transporti i lirë i mallrave dhe shërbimeve për të siguruar funksionimin e zinxhirit të furnizimit — si proces që përfshin veprimet nga lënda e parë në prodhim, përpunim e shërbim gjer te transporti i produkteve, shpërndarja dhe shitja te konsumatori i fundit, qarkullimi i lirë për institucionet vetëm për të kryer detyrat zyrtare në listën e bashkëngjitur në Aneksin 2 dhe 3 të këtyre vendimeve. Për të qarkulluar sipas kushteve të parapara në vendimet, duhet deklarim-konfirmimi nga ATK sistemi EDI.

“Në vendime citohen edhe mundësitë e lëvizjes lidhur me të sëmurët, personat me aftësi të kufizuara, viktimat e dhunës familjare dhe rastet e vdekjeve. Në vendime parashihen edhe sanksionet financiare për kundërvajtje administrative për personat fizikë dhe personat juridikë”, thuhet në njoftim.

Këto masa vlejnë deri më 4 maj, 2020. Në varësi të rezultateve, vendimet do të rishqyrtohet jo më vonë se më 30 prill, 2020, në konsultim me IKSHPK-në.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb