Pse pranimi automatik i të dhënave Sky ECC në proceset penale shqiptare cënon nenin 32/2 të Kushtetutës dhe standardet evropiane. Në të drejtën penale referuar “provës” ekziston një koncept që, edhe pse rrallëherë artikulohet shprehimisht në vendimmarrjen e gjykatave shqiptare, aplikohet gjithnjë e më shumë në praktikë: parimi i “provës në pjatë të argjendtë” (silver platter doctrine). Ky parim përshkruan situatën kur organi hetimor pranues merr dhe përdor prova të mbledhura nga një autoritet tjetër — sot në mënyrë tipike, i huaj, dhe i përdor ato në procesin e vet pa bërë një verifikim autonom të ligjshmërisë së mënyrës së mbledhjes. Prova paraqitet e gatshme dhe gjykata pranuese e pranon dhe e vlerëson në formën në të cilën i është vënë në dispozicion, pa një rishqyrtim substancial të origjinës së saj. Në jurisprudencën amerikane kjo doktrinë u braktis me rastin “Elkins v. United States” vendimi i vitit 1960, pikërisht sepse krijonte një hapësirë ku garancitë kushtetuese anashkaloheshin përmes një “dredhije” territoriale.

Sot, në hapësirën evropiane, një logjikë dhe praktikë e ngjshme po rishfaqet në mënyrë të heshtur në çështjet e platformave të enkriptuara EncroChat dhe Sky ECC. Braktisja e kësaj doktrine në SHBA nuk ishte rastësore, ajo u konsiderua si një mekanizëm që zhvendoste pikën reale të kontrollit jashtë juridiksionit ku individi gjykohej. Në këtë kontekst, më 30 dhjetor 2024, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë rrëzoi unanimisht kërkesën e Z. Pëllumb Gjoka (dosja “Metamorfoza”), duke ia deleguar gjykatave të juridiksionit të zakonshëm vlerësimin konkret të vlefshmërisë dhe përdorshmërisë së përgjimeve Sky ECC. Ky delegim, në vetvete legjitim në planin institucional, mbart një rrezik real, nëse gjykatat e juridiksionit të zakonshëm nuk ushtrojnë një kontroll të mirëfilltë autonom, prova e ardhur nga Sky ECC hyn në procesin penal “e servirur” në pjatë të argjendtë.

Parimi kushtetues që i kundërvihet këtij automatizmi është i qartë. Neni 32/2 i Kushtetutës është kategorik: “Askush nuk mund të deklarohet fajtor mbi bazën e të dhënave të mbledhura në mënyrë të paligjshme”. Norma nuk e kushtëzon paligjshmërinë me origjinën territoriale: Kushtetuta nuk parashikon se bëhet fjalë vetëm për të dhëna “të mbledhura në mënyrë të paligjshme në Shqipëri”. Rrjedhimisht, standardi kushtetues shqiptar duhet të zbatohet edhe ndaj provës së ardhur me letërporosi apo urdhër evropian hetimi. Parimi i besimit reciprok mes autoriteteve nuk mund ta përjashtojë gjyqtarin shqiptar nga detyrimi kushtetues i verifikimit autonom.
Dhe Sky ECC-ja në vetvete nuk përbën një provë të zakonshme si të tjerat. Operacioni i përbashkët franko-belgo-holandez i marsit 2021 që çmontoi platformën, ngre të paktën katër probleme strukturore: (i) mbikqyrje masive mbi mbi 170.000 përdorues pa dyshim të individualizuar; (ii) shkelje të territorialitetit — çelësat kriptografikë u nxorën nga pajisje të vendosura jashtë Francës, pa njoftim të shteteve ku ndodheshin; (iii) mungesë transparence teknike, në këtë rast mbrojtja nuk ka akses te të dhënat e papërpunuara dhe hash-et kriptografikë; (iv) pamundësi kundërshtimi në origjinë — gjykatat franceze në mënyrë të përsëritur i kanë shpallur të papranueshme ankesat e të pandehurve të huaj.

Evropa po reagon, dhe jo në favor të parimit të “provës në pjatë të argjendtë”. Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Europian (GJDBE), në vendimin e Dhomës së Madhe M.N. (EncroChat), C-670/22 (30.04.2024), konfirmoi se prova e marrë në shkelje të së drejtës së procesit të rregullt ligjor duhet të përjashtohet nga procedimi — pra gjyqtari i shtetit pranues ka detyrimin e vlerësimit autonom. Kjo linjë jurisprudenciale është përforcuar më tej me zhvillimet e fundit. Më 17 qershor 2025, Gjykata e Kasacionit Francez vendosi se Franca duhet të njoftojë shtetet e tjera kur ndërhyn në pajisje brenda territorit të tyre, përndryshe prova nuk pranohet dhe nuk përdoret. Më 16 shtator 2025 i njëjti gjykim i referoi GJDBE-së pyetje paragjykimore mbi efektivitetin e mjeteve të ankimit në raste të tilla. Në të njëjtën frymë, gjykatat kombëtare kanë filluar të adoptojnë një qasje më restriktive. Më 15 gusht 2025, Obergericht i Zurich përjashtoi tërësisht provat e Sky ECC për shkak të shkeljes së parimit të territorialitetit. Në vjeshtën e vitit 2025 Audiencia Provincial de València vendosi lirimin e 14 të pandehurve mbi të njëjtën bazë. Në dhjetor 2025 Gjykata Kantonale e Tuzllës rrëzoi provat e Sky ECC sepse mungesa e mundësisë për verifikim nga mbrojtja përbënte shkelje të nenit 6 të KEDNJ-s.

Nga këtu buron një detyrim konkret për gjyqtarin shqiptar. Para se një mesazh i përftuar nga platforma Sky ECC të shërbejë si bazë për caktimin e një mase sigurimi apo eventualisht një vendim dënimi, duhet bërë një verifikim i trefishtë: (1) Ligjshmëria në burim — a ekzistojnë në dosje urdhrat gjyqësorë dhe autorizimet e autoriteteve të huaja? Mbledhja ishte e orientuar mbi dyshim të individualizuar apo mbikqyrje masive? (2) Integriteti teknik — a ka hash që provojnë se dataseti nuk është modifikuar? A ka akses mbrojtja te raw data-t për kundërekspertim? (3) Përputhshmëria me nenin 32/2 të Kushtetutës— mënyra e mbledhjes cënon paprekshmërinë e korrespondencës (neni 36 i Kushtetutës) apo të drejtën e mbrojtjes (neni 31 i Kushtetutës)? Nëse po, prova duhet përjashtuar, pavarësisht dobisë për akuzën.

Lufta kundër krimit të organizuar është e domosdoshme, por nuk mund të zhvillohet duke hequr “filtrin” kushtetues që dallon shtetin e së drejtës nga një regjim efektiviteti. Doktrina e “pjatës së argjendtë” është tërheqëse sepse e thjeshton punën e autoritetit gjyqësor përdorues, por është një “hile kushtetuese”, një delegim i pakontrolluar i ligjshmërisë, që e lë të pandehurin pa mbrojtje efektive, pikërisht atje ku ka më shumë nevojë për të. Pranimi i të dhënave Sky ECC në proceset penale shqiptare duhet t’i nënshtrohet një kontrolli dhe vlerësimi autonom, substancial e të dokumentuar të ligjshmërisë, jo një verifikimi formal të bazuar në parimin e besimit reciprok ndaj autoriteteve të huaja siç është në këtë rast Parisi, Brukseli apo Haga.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb