Parlamenti i Japonisë sot kërkoi kthimin e qeverisjes civile në Mianmar, ku ushtria rrëzoi qeverinë në shkurt të këtij viti.

Dhoma e Ulët e Parlamentit, e njohur si Dieta, dënoi grushtin ushtarak nga Tatmadaw (ushtria në Mianmar), njoftoi Kyodo News me bazë në Tokio.

Në rezolutën e miratuar sot, ligjvënësit japonezë e përshkruan grushtin e shtetit ushtarak si një “akt për të shkelur përpjekjet dhe pritjet për demokratizimin”.

Ligjvënësit i kërkuan qeverisë japoneze të “përdorë plotësisht të gjitha burimet diplomatike dhe çdo përpjekje për të realizuar rivendosjen e demokracisë në Mianmar”.

“Junta ushtarake nuk mund të justifikohet aspak. Solidaritet me popullin e Mianmarit”, thuhet në rezolutë.

Sipas Shoqatës së Ndihmës për të Burgosurit Politikë, një grup lokal monitorimi, junta ushtarake e Mianmarit ka vrarë 857 njerëz gjatë demonstratave anti-grusht-shteti deri më tani, ndërsa 4.677 njerëz janë aktualisht nën paraburgim, me 110 prej tyre të dënuar.​​​​​​​//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb