Partizani ndalet pikërisht atëherë kur nuk e priste, teksa përballë Kastriotit nuk shkon më shumë se një barazim 0-0. Vetëm një pikë mban në krye Partizanin, por në kampin e kuq e dinë mirë se ky quhet një hap fals. Ndërsa krutanët marrin një pikë me vlerë në transfertë.

Minutat e para shohin një Partizan shumë kërkues, ku Skuka dhe Hoti në një mundësi të dyfishtë nuk arrijnë të zhbllokojnë sfidën. Më pas edhe krutanët futen në lojë dhe rrezikojnë me Hasanin dhe Karakaçin.

Pjesa e parë pati ritëm të mirë, me të kuqtë që kërkuan më shumë, madje në fund të këtij fraksioni goditën edhe shtyllën. Por edhe Kastrioti mund të kishte shënuar në kundërsulm. Ritmi nuk u ul edhe në pjesën e dytë, ku sërish është Partizani që kërkon golin me ngulm, dhe në një rast mund të kishte shënuar me Da Silvën.

Kastrioti mundohet të ul ritmin në fund, Hasani i dëmtuar lë fushën e lojës. Pavarësisht se jepen edhe 5 minuta shtesë, nuk ka gola. Për nga mënyra se si shkoi ndeshja, Partizani la dy pikë dhe Kastrioti mori një pikë që vlen përballë një pretendenti për titull në fushën e këtij të fundit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb