LAÇ – Drejtori i Spitalit të Laçit, Gazmir Dervishi, ka reaguar sot ndaj akuzave publike të familjes së 7-vjeçares Pamela Jahja, e cila humbi jetën nga pneumonia disa ditë më parë.

Sipas të atit të vogëlushes, i cili foli për “News 24”, Pamelës nuk i është dhënë ndihma e duhur në Spitalin e Laçit dhe për këtë edhe ka bërë denoncim në Prokurori. Por, sipas Drejtorit të këtij institucioni, Gazmir Dervishit, ka ndodhur e kundërta.

“Në radhë të parë, i jap ngushëllime kësaj familjeje nga ana ime, – tha Dervishi. – Ju falënderoj edhe ju për interesimin. Nga informacioni që kam marrë nga mjeku i rojes, rezulton që fëmija të ketë ardhur më 25 janar 2015; ka pasur një bronko-pneumoni shumë të thellë. Këtu në spital i janë dhënë të gjitha mjekimet ose ndihma e shpejtë. Duke parë se fëmijës i është përkeqësuar gjendja, ne i jemi drejtuar Lezhës; e kemi dërguar në Lezhë.”

I pyetur nga gazetari i “News 24” nëse pretendimi i z.Jahja se i është dhënë mjekim i gabuar, është i padrejtë, drejtori iu përgjigj:

“Absolutisht. Unë jam i hapur për çdo lloj hetimi kundrejt këtij pretendimi. Fëmijës është dhënë ndihma e parë këtu në spital.”

Pamela Jahja jetonte në një rulot të shktërruar në fshatin Shullaz të Kurbinit, vendosur në një fushë, sëbashku me prindërit e saj të papunë dhe motrën më të vogël, aty ku dhe u ftoh. “News 24” ishte dje në rulotin-barakë, ku familja Jahja tashmë ka mbetur vetëm me vajzën e vogël 3-vjeçare.

Babai i Pamelës fajësoi shtetin, që nuk i ofroi një banesë ku fëmijët të jetonin siç duhej dhe të mos sëmureshin nga mungesa e kushteve si dhe Spitalin e Laçit, që sipas tij nuk e kishte trajtuar si duhet, vajzën me pneunomi. Ai sërish kërkoi ndihmë nga shteti për një shtëpi, së paku për të mos humbur vajzën tjetër, e cila po njësoj si e motra, sëmuret shpesh nga kushtet e rënda të jetesës dhe varfëria.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb