Menjëherë pas qëndrimit të Harry Kane te Tottenham, Manchester City kthen sytë te një sulmues tjetër, Cristiano Ronaldo. Menaxheri i tij, Jorge Mendes, është duke bërë përpjekje ta dërgojë portugezin te kampioni i Premier League, por klubi duhet t’i plotësojë tri kushte për ta blerë atë.

Marrëveshja e Ronaldos me Juventusin mbaron në verën e vitit 2022, por 36-vjeçari po bën trysni të largohet tani, megjithëse klubi këmbëngul se ai asnjëherë nuk e ka kërkuar largimin.

Mediat italiane raportojnë se Manchester City është klubi i vetëm që ka shprehur interesim për ta blerë Ronaldon, por koha po ikën për gjigantin anglez për arritjen e një marrëveshjeje.

Afati kalimtar i verës mbyllet me 31 gusht, por kjo nuk është e vetmja gjë që e bën të vështirë marrëveshjen. Sky Sport Italia raporton se City nuk dëshiron ta paguajë Juventusin për Ronaldon, ndërsa gjiganti italian i kërkon rreth 30 milionë euro për ta liruar portugezin.

Si alternativë, Juventus është i hapur ta marrë Gabriel Jesusin në një marrëveshje shkëmbimi, por City nuk dëshiron ta largojë brazilianin. Skuadra e Pep Guardiolës duhet ta shesë ndonjë futbollist për ta marrë Ronaldon dhe, sipas mediave italiane, Sterling mund të largohet.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb