Deputeti dhe anëtari i kryesisë së PD-së Luçiano Boçi paralajmëron rinisjen e protestave në mbarë vendin kundër qeverisë “Rama”. Z.Boçi tregon për “Gazeta Shqiptare” se betejat politike nuk do jenë thjeshtë e vetëm deklarative e denoncuese.
Sipas tij synimi i tyre në formë dhe përmbajtje, përfshirë dhe protestat masive, do jetë i fokusuar në arritjen e qëllimit që sot e kërkon pjesa dërmuese e shqiptarëve, të largimit të Ramës nga drejtimi i vendit. Luçiano Boçi teksa akuzon Edi Ramën për deformimin e drejtësisë garanton se opozita nuk do të lejojë ligjërimin e krimit të organizuar qeveritar e atë të rrugës, dhe as skena mbi të cilën hidhet vallja e vdekjes së demokracisë.
Zyrtari i lartë demokrat flet dhe për amendimin e ligjit anti-mafia: “Propozimet e deklamuara nga z.Basha janë një detajim i kuadrit ligjor dhe zgjerimin i profileve të krimit të organizuar, përfshi PPP-të korruptive si dhe fushëveprimin e ligjit antimafia që do të prekte jo vetëm ministrin e Brendshëm, por dhe një radhë të gjatë pushtetarësh, përfshirë pse jo dhe Ramën, pasuria e të cilit sipas OSBE kalon 200 milionë eurot. Parashikohet të ketë rezistencë nga mazhoranca, sepse këta i tremben asaj që vjen më pas dhe për më tepër e dinë mirë se çfarë kanë gatuar”.
Boçi, cili do të jetë skenari i opozitës kundër qeverisë “Rama”, i paralajmëruar për në muajin shtator?
Aksionet politike nuk janë scoop-e televizivë, për të ngacmuar shijet e befasitë e publikut. Ato janë organizim, pjesëmarrje, idealitet, synim e kontribut qytetar për këdo që aspiron për familjen, vendin e progresin e shoqërisë. Sikurse janë domosdoshmëri që vetë situata politike i kërkon. Aksioni politik real opozitar ka pasur në vazhdimësi zgjatimet dhe e format e tij dhe përgjatë këtyre ditëve vere. Intensiteti i tij do jetë më thellë me fillimin e shtatorit e më tej, me një alternim të gjithë potencialeve dhe mjeteve që një opozitë i disponon. Betejat politike nuk do jenë thjesht e vetëm deklarative e denoncuese. Synimi i tyre në formë dhe përmbajtje, përfshirë dhe protestat masive, do jetë i fokusuar në arritjen e qëllimit që sot e kërkon pjesa dërmuese e shqiptarëve, të largimit të Ramës nga drejtimi i vendit. Situata social-ekonomike ka degraduar në atë pikë, sa vetëm një zgjidhje e re politike do krijonte mundësinë e ndaljes së rrënimit, braktisjes progresive të vendit dhe kthimit në një normalitet social tërësor. Shqipëria nuk duhet dhe nuk mund te shndërrohet në një vend-kufomë, pa rini, pa shpirt, pa qytetari, pa revoltë.
A është e gatshme opozita të dialogojë me mazhorancën për miratimin e reformave integruese? Një ftesë e hapur për dialog, mazhoranca e la të hapur për opozitën sesionin që shkoi, por si i shihni thirrjet e PS-së për bashkëpunim?
Opozita e ka deklaruar dhe demonstruar tashmë gatishmërinë e saj për një dialog konstruktive real, i cili funksionon e ngrihet mbi parime e norma kushtetuese e ligjore të sanksionuara. Po asesi opozita nuk mund të jetë skena mbi kurrizin e së cilës, të luhen skenarë quasi-reformë ose më saktë antireformë dhe që synojnë kapjen politike të shtetit e që ligjërojnë krimin e organizuar qeveritar e atë të rrugës. Dhe as skena mbi të cilën hidhet vallja e vdekjes së demokracisë. Ftesat për bashkëpunim nuk mund të jenë si letrat emocionale të keqbërësit, i cili shtrin dorën e tij vetëm e vetëm, për të bërë krimin e radhës, siç bën Rama.
Dialogu i vërtetë nis kur keqbërësi merr dënimin e merituar dhe ulet në tavolinë me statusin e “pentitos” ndaj opinionit publik e politik. Ne këtë kontekst ftesa e mazhorancës nuk ka as sinqeritet dhe as reflektim. Është thjesht një modus për të vazhduar e justifikuar katrahurën, braktisjen e fermerit, të rinisë, të arsimit, trafikimin shumëllojesh, bashkëpunimin në nivelet më të larta me krimin, pastrimin e parave të pista e pisllëkun e bërë mal brenda saj. Është kjo mazhorancë që ka pushkatuar reformën në drejtësi dhe që ka vrarë çdo shpresë e përpjekje për të ardhmen në këtë vend. Që ka kriminalizuar çdo sektor e çdo skutë të saj dhe që prodhon e fabrikon pandërprerë vrer, urrejtje, e maskarallëk ndaj opozitës dhe çdo qëndrimi qytetar opozitar. Është kjo mazhorancë që është sulur me “kazmë” në dorë historisë e vlerave shpirtërore e njerëzore në emër të përfitimeve monetare marramendëse me të cilat do t’u marrë mendjen njerëzve në ditë zgjedhjesh. Kësisoj dialogu me Ramën është pa sens, pasi jemi para një kryeministri keqbërës sociopat e serial. I vetmi dialog që Rama duhet të dëgjojë e t’i përgjigjet, është kërkesa e detyrimi për largimin e tij.
Parlamenti dështoi në votimin për disa ndryshime në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilat synojnë t’i hapin rrugë pranimeve të reja në Shkollën e Magjistraturës dhe emërimeve të magjistratëve të rinj të diplomuar tanimë. Shkak është bërë opozita. Konkretisht si mund të zgjidhet ngërçi me Shkollën e Magjistraturës? A do japë opozita konsesus për miratimin në Kuvend?
Nuk ka dështuar parlamenti në këtë rast, pasi ky parlament nuk ka qenë e nuk është, me atë formë si është përftuar e si drejtohet. Ka dështuar mazhoranca. Dhe nuk bëhet fjalë për ndryshimin e ligjit për statusin e gjyqtarëve e prokurorëve që është pjesë integrale e reformës në drejtësi, por bëhet fjalë për ndryshime në ligjin për Shkollën e Magjistraturës. Për kujtesë, ky ligj u ndryshua nga kjo mazhorancë me shumicë të thjeshtë në 2014, me synimin kapjen e plotë politike të saj, gjë që u realizua më së miri. Tashmë dihet se si ajo komandohet nga drejtuesi e bordi politik. Theksimi absurd i rolit të saj emërues e përzgjedhës, çon ujin e drejtësisë tek mulliri i PS.
Në thelb, ndryshimet e kërkuara devijojnë institucionet kushtetuese të reformës në drejtësi, si KLP e KLGJ dhe i zgjasin jetën institucioneve atavike që kjo mazhorancë vetë i ka sulmuar, siç është KLD-ja, duke i dhënë kompetenca që ndryshimet kushtetuese ja kanë hequr në emërimin i gjyqtarëve. Ndërkohë kërkon t’i zgjasë përkohshmërinë një kryeprokurori antikushtetues e antiligjor, të zgjedhur me 69 vota dhe t’i japë atij kompetenca që nuk i takojnë në rol për emërimin e prokurorëve të rinj. Zgjidhja që insiston në këtë rast opozita, është ngritja e KLP e KLGJ e në vazhdimësi e institucioneve të tjera të drejtësisë si SPAK e BKH. Aq më tepër, emërimet që vijnë nga magjistratët e rinj nuk janë zgjidhja, pasi ata janë fare pak në numër dhe minimalisht duhet të kalojnë në një stazh 10-15 vjeçar që të arrijnë stadin për të plotësuar vendet vakant në sistemin e lartë të drejtësisë.
Çdo ndërhyrje e këtillë, do të devijonte qëllimin e reformës dhe do theksonte akoma më shumë kapjen politike, tashmë evidente, që po i bëhet sistemit, nëpërmjet zbatimit të standardit të dyfishtë që po ndjek KPK në krasitjen që po realizon, ku kriteri politik dukshëm është themelori në vetingun e shumëreklamuar.
Miratimi i këtyre ndryshimeve a do të zhbllokonte dot situatën e krijuar nga mungesa e institucioneve të reja të parashikuara nga reforma në drejtësi, pasi kërkon 84 vota, të cilat shumica socialiste, e vetme, nuk i ka?
Këto ndryshime janë thjeshtë një truk ligjoro-politik dhe jo zgjidhje ligjore e aq me keq aspak të parashikuara në hapat e një reforme të miratuar unanimisht më 22 korrik. Për me tepër, dukshëm këto ndryshime të propozuara nuk zgjidhin ngërçin e krijuar nga keqmenaxhimi politik i vetingut, por shtojnë frikshëm emërimet e përzgjedhjet politike brenda sistemit, përpos që shmangin ngritjen e institucioneve që do progresonin reformën, siç janë KLP e KLGJ. Ka dy faktorë që i bëjnë jo funksionalë këto ndryshime. Faktori i parë, koha e përgatitjes së magjistratëve e rinj, se paku fillimisht 3 vjeçare dhe koha e arritjes së karrierës së tyre për të qenë të mundshëm të jenë pjesë e rritjes në karrierë. Shto këtu marrjen e kompetencave të padëgjuara në asnjë paragraf kushtetues, të kësaj shkolle në përzgjedhje e emërime.
Faktori i dytë, është riaktivizimi i institucioneve të vjetra që reforma i nulifikon si KLD dhe zgjatja pa sens e qëndrimit në detyrë dhe dhënia e kompetencave antikushtetuese, një kryeprokurori që duhej tashmë të ishte larguar dhe të ishte zëvendësuar me një kryeprokuror konsensual, siç e parashikon Kushtetuta. Si të tilla këto propozime çojnë në deformime me pasoja të renda për drejtësinë e tronditur.
Si e shikoni apelin e ndërkombëtarëve drejtuar opozitës për miratimin e këtyre ndryshimeve?
Apelet më të forta të ndërkombëtarëve përgjatë kësaj kohe, i përkasin nevojës për ngritjen me urgjencë të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Ata e dinë shumë mirë që ndryshimet e insistuara nga Rama vetëm se pengojnë dhe e shtyjnë reformën drejt kalendave greke, duke ndërtuar një barrikadë penguese për institucionet e reja të drejtësisë që duhet të ishin ngritur me kohë. Çdo gjë tjetër përtej këtyre parashtrimeve, është diplomaci normale ndërkombëtarësh. Muzikë e dëgjuar dhe e lodhur.
Pse sot Shqipëria është pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë? Kam parasysh këtu që Gjykata Kushtetuese është aktualisht jashtë loje. Drejt të njëjtit fat rrezikon të shkojë dhe Gjykata e Lartë, e cila tashmë funksionon me numër të kufizuar të anëtarëve të saj, ndërsa mungesa e Këshillit të lartë të Prokurorisë po mban pezull dhe Byronë Kombëtare të Hetimit dhe SPAK-un ose njësinë speciale antikorrupsion. Vonesat në procedimin e hapave të reformës nga ana e mazhorancës dhe nxitimi për ta mbërthyer atë politikisht me keqpërdorimin e vetingut, kanë sjellë këtë kolaps të rëndë institucional.
Më e keqja është se e gjitha kjo situatë kaotike interpretohet si rastësore madje dhe si sukses, kur qartazi dëshmohet se mungesa e këtyre institucioneve, i shkon për shtat harbutërisë ligjore që ndjek si normë sjellje kjo mazhorancë. Mjafton të përmendim ligjin special për teatrin, lehtësisht i atakueshëm në Kushtetuese, por që nuk mund të ndodhë për shkakun e vetëm të mungesës së kësaj gjykate.
Po kështu pengimi i SPAK dhe i BKH, nëpërmjet devijimit të KLP e KLGJ, krijon klimën e kushtet e përshtatshme që qeveritarët të grabisin qetësisht, pa u trembur nga ndëshkimet, pasuritë kombëtare e të shesin interesat kombëtare. Sirenat e alarmit janë ndezur kudo në gjykatat e të gjitha niveleve, ku pesha e dosjeve të mbetura peng për këtë shkak, po zë poshtë drejtësinë e cunguar, por veshët për t’i dëgjuar kanë kohë që janë mbyllur.
Ish-drejtori i Policisë së Shtetit Ahmet Prençi ka paralajmëruar se situata kriminale në Shqipëri është shumë delikate dhe e frikshme. Sipas tij është si një “bombë që i është hequr siguresa dhe pritet të shpërthejë”. Ndërkohë Kreu i PD-së Lulzim Basha ka deklaruar se me fillimin e shtatorit do prezantohet projekti i amendimit të ligjit antimafia që do të bëjë të mundur që çdo klient i qeverisë i përfshirë në skema korruptive PPP-sh do t’i nënshtrohet formatit dhe, le të themi, kontrolleve të ligjit antimafia.
Konkretisht si mund të priten lidhjet e krimit me pushtetin?
Krimi në Shqipëri ka sot pushtetin absolut të kontrollit të politikës dhe nëpërmjet tij të jetës ekonomike e sociale në vend. Lidhjet dhe marrëveshjet e paktet e hapura dhe të heshtura që Rama e enturazhi i tij ka me organizatat kriminale, janë jetike për pushtetin e tij dhe shkëputja e tyre nuk mund të arrihet nëpërmjet kësaj qeverisje. Kjo gjë hyn në rendin e gjërave të pamundura.
Faktet e ditëve të fundit sikurse ato të denoncuara nga PD-ja, për ministra e drejtues të lartë të implikuar direkt në trafikimin ndërkombëtar drogash e aktivitete kriminale, dëshmojnë sa e thellë është simbioza krim-politikë e majtë. Vetë qeverisja funksionon mbi norma e parimet mafioze të një organizate të pastër e mirëorganizuar kriminale, misioni i së cilës mbetet prodhimi i parave nëpërmjet pushtetit dhe pjellja e pushtetit përmes këtyre parave. Propozimet e deklamuara nga z.Basha janë një detajim i kuadrit ligjor dhe zgjerimin i profileve të krimit të organizuar, përfshi PPP-të korruptive si dhe fushëveprimin e ligjit antimafia që do të prekte jo vetëm ministrin e brendshëm, por dhe një radhë të gjatë pushtetarësh, përfshirë pse jo dhe Ramën, pasuria e të cilit sipas OSBE kalon 200 milionë eurot. Parashikohet të ketë rezistencë nga mazhoranca, sepse këta i tremben asaj që vjen më pas dhe për më tepër e dinë mirë se çfarë kanë gatuar. Propozimet dëshmojnë prioritet tona për ndëshkim ekzemplar të krimit dhe për një vend e rend të pastër nga krimi, një vend qytetarët e të cilit nuk duhet e nuk mund të ndërtojnë jetët e tyre nën diktatin e krimit, pavarësisht formës politike që ai ka sot.
PD gjatë këtyre muajve ka vijuar me denoncimin e aferave korruptive përfshi dhe koncesionet ku sipas demokratëve PPP janë akt i pastër korruptiv në Shqipëri”. Realisht në ç’mënyrë po grabiten shqiptarët?
PPP-të po thithin e grabisin kontributet e pasuritë jetike të qytetarëve, duke i devijuar paratë e shumë viteve të ardhme të tyre, në duart e klientëve specifikë të Ramës, për projekte që duken të domosdoshme, por që nuk ndjekin një progresion normal prioritar.
Të gjitha PPP- të me kostot e tyre po varen si zinxhirë në qafën e brezave të tërë dhe po ngijnë orekset makute të politikanëve të bërë njësh me biznese fiktive dhe oligarke që pasurohen brenda natës me një firmë kryeministrore. Për më tepër kostoja e tyre është marramendëse dhe zhdukin jo vetëm paratë e shumë brezave por dhe konkurrencën e ndershme dhe tregun e lirë. Këto do sjellin në vazhdimësi me pak para në arsim, në kulturë, në art, në shëndetësi, duke goditur rëndë mirëqenien e normalitetin tërësor të njerëzve dhe duke penguar prosperitetin normal ekonomik të vendit.
Mijëra demonstrues kanë mbushur rrugët e Bukureshtit për të kërkuar dorëheqjen e qeverisë rumune të socialdemokratëve, por, a presim një skenar rumun edhe ne Shqipëri?!
Nuk është rasti i parë kur rumunët kanë qenë një hap para nesh, por njëkohësisht dhe një ogur i mirë për atë çka vjen tek ne. Kjo ka dhe ironinë pozitive brenda, sepse ne kemi shkaqe shumë më të mëdha se rumunët, por dhe “revoltën” e vogël për vonesën, në kohën e duhur, reaguese qytetare tek ne. E rëndësishme është që kjo frymë revolte është ngritur dhe pret të shpërthejë. Shqiptarëve u ka ardhur në majë te hundës më shumë se rumunëve. Groshët e vrimës së miut për Ramën po rriten me kalimin e ditëve.
Paralelisht me aksionin opozitar demokratët po përgatiten për zgjedhjet në parti, të cilët u shtynë për në vjeshtë për shkak të zhvillimeve politike. Kë do të prekin ndryshimet e reja në PD dhe çfarë synon PD përmes zgjedhjeve të reja?
Ndryshimet e reja do të prekin të gjithë hierarkinë drejtuese të partisë në përputhje me kërkesat e reja statutore. Kjo nënkupton një organizim qelizor që nis me seksionet dhe grupseksionet e vazhdon më tej në katet e larta të drejtimit. Organizimi i ri synon dhënien zë dhe rol vendimmarrës anëtarit më të thjeshtë dhe strukturave bazike të PD. Ndërtimin e një kontributi kapilar dhe sigurimin e një demokracie të bre ndeshmë e funksionale ku është e garantuar si vlerësimi ashtu dhe karriera politike e gjithsecilit sipas parametrave të matshëm më së miri. Në këtë mënyrë synohet një organizatë funksionale, reale, fleksible e rezultative e aftë dhe e gatshme të marrë në dorë drejtimin e vendit. /Gsh.al