Para pak ditësh, u largua nga jeta Pirro Dollani, një nga njerëzit më të veçantë që kam pasur fatin të kem njohur ndonjëherë, shqiptari i mirë, burri fisnik dhe intelektuali i mirëfilltë, për të cilin e ndjej si detyrë të ndaj këto pak rreshta me bashkatdhetarët e mi…

418519958 769939681841223 374815647316759289 N
418519958 769939681841223 374815647316759289 N

Pirro Dollanin e kam njohur në vitin 2008, në Universitetin e Las Vegas-it ku ai punonte dhe ku unë ndodhesha me një bursë nje vjeçare. U desh vetëm një javë, që ai dhe familja e tij të ktheheshin në miqtë e mi më të mirë, ata lloj miqsh që gjithkush do të donte t’i kishte afër, në ditë të mira dhe sidomos në ditë të vështira. Dhe sigurisht unë nuk jam e vetmja; reagimet plot dhimbje për të kanë qenë të panumërta ditët e fundit, përfshirë edhe botën e artit. “Nuk njoh njeri që të ketë lindur më 15 shkurt, në ditën e Vetmisë, dhe të ketë më shumë shokë e miq se sa ka Pirro Dollani. “- shprehet miku i tij Gezim Kabashi. Kjo vjen falë natyrës së tij fisnike, dhe asaj force karakteri që e shoqëroi gjatë gjithë jetës, të krijuar jo krejt rastësisht: ai vjen nga nje familje e njohur beratase. Babai i tij, Duda, një burrë i arsimuar dhe njohës i mirë i gjuhës angleze u burgos nga regjimi komunist vetem sepse kishte shërbyer si përkthyes i UNRRA-s pas lufte, pasojat e të cilës i vuajti për dekada me radhë ai vetë por edhe fëmijët e tij. Pirro vetë, me një talent të spikatur në violinë, u përjashtua nga Liceu Artistik, dhe shumë vonë iu dha e drejta të diplomohej duke punuar si mësues. Në vitet ‘90, Pirro u përfshi në lëvizjet demokratike dhe më pas punoi si drejtor i Kulturës në Bashkinë e Durrësit dhe drejtor i Bibliotekës së qytetit. Në vitin 1994, ai bashkë më familjen, emigroi për në Shtetet e Bashkuar, ku me një vullnet të jashtëzakonshëm filloi gjithçka nga e para dhe përmbushi ëndrrat e tij diku u diplomuar për herë të dytë, dhe duke fituar një vend të denjë në Universitetin e Las Vegas-it ku edhe gëzonte gjithë admirimin dhe respektin e kolegeve dhe studentëve të tij. Ky ishte Pirro Dollani, nuk dorëzohej kurrë. Një nga mësimet që kam marrë prej tij është se “pavarësisht se si te vjen jeta, trim është ai që u shkon gjërave deri në fund!”. Por aq sa ishte i prerë dhe i vendosur nga njëra anë, aq ishte edhe modest, i butë, i ndjeshëm, bujar nga ana tjetër–cilësi qe e bënin një mbështetje të fortë edhe për shumë familje shqiptare që përballen me vështirësitë e emigrimit. I donte dhe i pranonte njerëzit ashtu siç janë; jepte, pa kërkuar asgjë në shkëmbim. Ky ishte Pirro Dollani!

Të gjithë ne që e kemi njohur nga afër, kemi shumë kujtime që do të na shoqërojnë gjithë jetën: situata, biseda, muzike, libra…Por ata që e kanë njohur pak ose nuk e kanë njohur fare, le të lexojnë përkthimet e tij në gjuhën shqipe, për të kuptuar njohjen dhe shijet e tij letrare, dhe se me çfarë sqime, elegance e trajton ai gjuhën, për të kuptuar artin e tij të komunikimit. Dhe janë jo pak veprat e përkthyera prej tij nga gjuha angleze; “Beti-tregime të zgjedhura” (2018), “Kokoro” nga Natsume Soseki (2017), “Ura e Mbretit Shën Luigj” nga Thornton Wilder (2016); “Piktorja që sfidoi kohën” nga Robert Baird Shuman (2015), dhe më parë “Hoteli i bardhë” nga D. M. Thomas (2014), “Bel canto” nga Anne Patchet; “Jehona e kujtesës” nga Richard Power; “Lamtumirë fjalë” nga Hart Wegner; “Virgjëresha shqiptare” nga Alice Munro; “Pragu i ferrit” nga Michel Hugo; “Duke lexuar Turgenievin” nga William Trevor; “E vërteta dhe trillimi në librin Kodi da Vinçi”, janë disa prej tyre…Letërsia, gjuha, ishte një nga urat që ai ndërtoi me Shqipërinë duke qenë larg, Shqipërinë që e donte gjithsesi.

Falë vullnetit të tij, ai ia doli edhe të përballej me vdekjen per mese nje dekadë madje dhe të fitonte mbi të edhe atje ku shkenca e quante të pamundur. Ai i mbijetoi të gjithave dhe me nder, duke u shndërruar në model për të tjerët, e duke e lënë botën një vend pak më të mirë se c’e gjeti.

Ngushëllime familjes së tij te mrekullueshme Fridës, Arbës, Gjergjit dhe Teutës, që e kishte si një motër! Ngushëllime edhe miqve të tij te shumtë, ndër të cilët kam nderin të jem edhe unë! Dhe u preftë në paqe!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb