Nga kqyrja teknike e bërë pas aksidentit tragjik rrugor të Tepelenës që ndodhi në fundjavë, rezultoi se mekanizmat e rripave të sigurisë në ndejtëset ku ishin ulur 4 viktimat dhe 2 të plagosurit rëndë, nuk ishin aktivizuar gjatë përplasjes fatale. Një indicie e fortë kjo se ata fatkeqë nuk e kishin mbërthyer rripin e sigurisë para se të përfshiheshin në atë aksident të rëndë.

Kuptohet që rezultatet fatale të atij aksidenti nuk përbëjnë një provë statistikore të nevojës për përdorimin e rripit të sigurisë, por e ilustrojnë tragjikisht atë.

Në fakt, nga një studim rigoroz që kam kryer për Pacific Institute for Research and Evaluation (ku kam analizuar miliona aksidente rrugore amerikane), më ka rezultuar se probabiliteti i vdekjes në një aksident të rëndë rrugor pothuaj përgjysmohet, kur përdoret rripi i sigurisë. Më tej, probabiliteti i plagosjes së rëndë, ulet me 28%.

Me fjalë të tjera, kur e ke mbërthyer rripin e sigurisë dhe përfshihesh në një aksident të rëndë rrugor, mund t’i shpëtosh vdekjes që do të priste po të mos e kishe mbërthyer atë. Ose mund t’i shpëtosh plagosjes së rëndë. Pra, në vend që të shkosh në morgun e spitalit, mund të shkosh në pavionin e spitalit. Ose në vend që të shkosh në spital, mund të shkosh vetëm në ambulancë.

Në dekadën e fundit, Policia Rrugore ka qenë shumë e rreptë në lidhje me përdorimin e rripit të sigurisë nga shoferët dhe pasagjerët e automjeteve. Dhe ndoshta nga frika e gjobave, është rritur ndjeshëm edhe përdorimi i rripit të sigurisë. Kështu më 2012, kur zhvillova një sondazh rreth kësaj çështje, më rezultoi se vetëm 24% e shqiptarëve e përdornin rregullisht rripin e sigurisë në automjete. Ndërsa parvjet, më rezultoi plot 75%.

Sidoqoftë, çdo shtetas duhet të ndërgjegjësohet se përdorimi i rripit të sigurisë në automjet nuk duhet bërë thjesht për të shpëtuar kuletën nga ndonjë gjobë e Policisë Rrugore – rripi i sigurisë ka gjasa të të shpëtojë edhe jetën, nëse ke fatin e keq të përfshihesh në një aksident të rëndë (ndoshta jo për fajin tënd).

Më mirë ta kesh të mbërthyer rripin e sigurisë dhe mos të të nevojitet, se sa të të nevojitet e mos ta kesh!!!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: