Shkarkimi i Gledis Nanos nga posti i drejtorit të përgjithshëm të policisë Shtetit nga ministri i brendshëm Çuçi, nxori në pah aleancat e mëparshme të fshehta midis tyre, në dëm të Policisë së Shtetit, të rendit e sigurisë së qytetarëve. U kuptua qartë që shkarkimi i Nanos erdhi pas një “lufte” të hapur të Nanos me Çuçin dhe Ramën, por një “luftë” e zhvilluar fshehtas dhe larg syve të qytetarëve. “Lufta” kishte në fokus interesat e tyre personale dhe aspak rritjen e parametrave të rendit dhe të sigurisë në vend, në këtë betejë as që llogaritej fare siguria e qytetarëve.

Çdo gjë ishte vetëm se për interesat personale dhe më pas situata agravoi deri aty sa të tregonin se kush ishte më i “forti” dhe secili me mekanizmat e tyre nisi të mbledhë prova dhe fakte kundër njëri-tjetrit. Nano u shkarkua, por beteja vijon…Provat dhe faktet do të dalin në vijim edhe pse përfundoi “lufta” e ftohtë, por do të nisë lufta e vërtetë. Surpriza të pakëndshme dhe të shumta na presin, surpriza që do të tregojnë se Policisë së Shtetit dhe qeverisë as që i kërcet fare për qytetarët, por interesat luhen në grupe të vogla interesi për të “ngrënë” kokat e njëri-tjetrit, në kohën kur dalin nga rruga që më parë kishin ecur bashkë dhe “për dore” madje.
Interesi vetjak kaloi çdo limit dhe “përplasja” dëmtoi rëndë Policinë e Shtetit.

Pse nuk patën përplasje ministri dhe drejtori i Policisë për çështje që rrisin efikasitetin e Policisë së Shtetit, siç është p.sh. të bëhet një rritje e konsiderueshme e pagave te punonjësve të policisë që të ndihen të vlerësuar për punën që bëjnë, që nesër të mos shiten te krimi për para. Duhet të ishte fokusi kryesor se si të gjendej një mënyrë që policia të mos inkriminohet, por as që u diskutua ndonjëherë dhe as u bë ndonjë hap konkret.

Nuk bëhet kjo Polici aktuale e Shtetit nga një ministër që nuk bën reforma se si policia të forcohet, por mendon vetëm për pjesën politike dhe e sheh Policinë si instrument për ta përdorur kur ka zgjedhje. Nuk bëhet Policia e Shtetit as edhe nga një drejtor që nuk bëri asnjë reformë, ndoshta nuk i kishte edhe mundësitë, por drejtor të suksesshëm nuk të bën vetëm mbështetja e ambasadave, pse nuk e përdori këtë mbështetje, për të realizuar detyrat dhe reformat që nuk e lejonin lart që t’i bënte, por priti momentin deri sa e shkarkuan? Kjo, u kuptua edhe nga letra e tij e “lamtumirës”.

E kam vlerësuar dhe mbështetur Nanon që në fillim, pasi kisha shumë besim se përgatitja e tij dhe bashkëpunimi me agjencitë e huaja ligjzbatuese do të sillte një frymë të re në Policinë e Shtetit dhe do t’i jepte asaj identitetin e një institucioni ku qytetarët do gjenin mbrojtje dhe siguri. Por jo, sot policia nuk mbron qytetarët e saj të thjeshtë, por mbron krimin, atë që duhet ta luftojë. Policia të “vret” kur pushon, të gjobit pa arsye sepse duhet të gjobisë. Por, pse ndodh kjo? Si Nano po ashtu dhe Çuçi janë fajtorë. Të gjithë drejtuesit e strukturave të policisë janë vendosur në poste disa nga Nano dhe shumica nga Çuçi.

Zinxhiri drejtues në Policinë e Shtetit dhe bashkëpunimi midis tyre është në pikën më të dobët, shumica prej tyre nuk kanë komunikim me njëri-tjetrin dhe “kënaqen” me dështimet e kolegëve. Drejtues policie që kanë komunikime me element të botës së krimit, drejtues policie që i përgjigjen në moment personave me pozitë edhe pse mund të kenë probleme me ligjin, drejtues policie që nuk i përgjigjen dhe as nuk shohin fare mesazhet e qytetarëve të thjeshtë që kanë probleme me sigurinë dhe që element të krimit mund t’i kenë cenuar jetën dhe grabitur pronën. Kjo është policia sot, institucioni ku qytetari ka frikë të adresohet, pasi nuk merr zgjidhje.

Gledis Nano dhe Çuçi nuk i dinin këto probleme në polici? Është e pabesueshme të thuash jo, i dinin aq mirë sa me themel madje, pasi policia e lidhur me krimin ishte “pjellë” e zgjedhjeve të tyre, i njihnin shumë mirë cilat persona kishin vendosur në postet e strukturave të policisë. Sot jemi në situatën që në vendin tonë nuk ka një qytetar që mendon së Policia e Shtetit të ofron siguri, asnjë nuk beson më te ky institucion. Ngjarjet kriminale të tre muajve të fundit, përplasja ministër i brendshëm-drejtor policie e “varrosën” Policinë e Shtetit dhe e hodhën në greminën, aty ku krimi e ka të lehtë ta mbulojë dhe ta përdorë si të dojë, kur i nevojitet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb