TIRANE – Gazetari Artan Hoxha ka dhënë detaje lidhur me përplasjen e armatosur që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Laç, ku u përfshi edhe deputeti i PS-së Armando Prenga. Sipas Hoxhës, në vendngjarje janë përdorur dy armë dhe asnjë nga gëzhojat e gjetura nuk i përket armës tip pistoletë që deputeti Prenga e disponon me leje dhe ia ka dorëzuar grupit hetimor. Hoxha thekson se grupi hetimor nuk i ka në dorë armët pa leje që kanë plagosur vëllezërit Cali.
“Në këqyrjen që është bërë në vendin e ngjarjes janë gjetur 4 gëzhoja model 56 dhe 5 gëzhoja fishekësh model 54. Sot ka dalë avokati i deputetit dhe ka paraqitur, megjithëse është arrestuar në kushtet e flagrancës për akuzën e armëmbajtjes pa leje, kanosjes për jetën dhe përdorimi i armëve të zjarrit, ka paraqitur një leje arme. Sipas kësaj leje, deputeti Armando Prenga është pajisur me këtë leje në 26 janar të vitit 2015, pra të këtij viti. Dhe bëhet fjalë për armën pistoletë tip Beretë, e kalibrit 9 mm dhe kjo armë i është vënë në dispozicion grupit të hetimit. Por kjo armë që është me leje, por rezulton që asnjë gëzhojë e qytur nga kjo armë nuk është gjetur në vendin e ngjarjes. Kjo do të thotë që në vendngjarje janë përdorur dy armë pa leje, të cilat duhet të jenë armët që kanë plagosur vëllezërit Cali. Grupi i hetimit nuk i ka armët e vërteta të përdorura”- deklaroi Hoxha në studion e “News24”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: