Meksika është tronditur brenda 24 orëve nga tre sulme, me një bilanc prej 24 personash të vrarë. Nga përplasjet e bandave me policinë, humbën jetën 13 policë dhe 2 zyrtarë. Në pritën e bandave ka rënë dhe një patrullë policie e komunës Cojuca de Benitez, në shtetin Guerrero (jugperëndim), ku viktima kanë mbetur 11 efektivë dhe 2 persona. Ndërsa një polic tjetër dhe 4 civilë janë vrarë gjatë një sulmi në qytetin Takabaro, në shtetin fqinj të Michoacán.

Këto dy shtete, pjesë e korridoreve strategjike të trafikut të drogës përgjatë bregut meksikan deri në Oqeanin Paqësor, shpesh kthehen në teatrin e veprimeve të përgjakshme që i atribuohen karteleve të fuqishme. Gjashtë persona të tjerë u vranë në një shkëmbim midis trafikantëve të dyshuar të drogës në komunën e San Miguel Canoa (shteti Puebla), rreth 120 kilometra larg kryeqytetit.

Në Cojuca de Benitez, patrulla që ra në pritë po shoqëronte një zyrtar lokal të sigurisë, tha Zëvendës Prokurori i Shtetit Alejandro Hernandez. Kryetari i bashkisë së qytetit Osiel Pacheco, nga ana e tij, konfirmoi se dy zyrtarë publikë lokalë humbën jetën, mes tyre edhe sekretari i sigurisë Alfredo Alonso Lopez. Zyrtari kishte marrë detyrat e tij në dhjetor 2022, pas dorëheqjes së paraardhësit të tij, i cili kishte pësuar një sulm të armatosur. “Ne nuk ishim në dijeni të ndonjë kërcënimi ” ndaj tij, tha nga ana e tij zëvendësprokurori Hernandez.

Më shumë se 420,000 vrasje janë regjistruar zyrtarisht në Meksikë që kur filloi e ashtuquajtura “lufta kundër drogës” në vitin 2006, me vendosjen e forcave të armatosura brenda vendit për të goditur kartelet. Që atëherë, shkalla e vrasjeve në vend është trefishuar, duke arritur në 25 për 100,000 banorë. Janë regjistruar gjithashtu mbi 110,000 zhdukje me forcë, shumica që nga viti 2006. Si vrasjet, ashtu edhe zhdukjet me forcë, autoritetet i atribuohen bandave të krimit të organizuar.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: