Kanceri i gjirit është më i përhapuri në gratë në të gjithë botën. Ka disa zakone që rrisin rrezikun e zhvillimit të kancerit të gjirit. Duke i ditur këto zakone, mund të ndërmerrni masa për uljen e rrezikut. Instituti Amerikan për Hulumtimin e Kancerit ka zbuluar faktorët që mund të rrisin rrezikun e zhvillimit të kancerit të gjirit. Edhe pse ka disa gjëra që gratë nuk mund t’i kontrollojnë, zgjedhje të caktuara të stilit të jetesës mund të kenë një impakt të madh në rrezikun e zhvillimit të kancerit, shkruan “shëndeti”.

Bëni aktivitet fizik

Ushtrimi rregullisht është një mënyrë e mirë për të ulur rrezikun e zhvillimit të kancerit të gjirit. Studimet kanë zbuluar se rreziku i zhvillimit të kancerit të gjirit është më i ulët për femrat që janë aktive, krahasuar me ato që janë pasive. Një temë e tillë vazhdon të studiohet akoma nga shkencëtarët.

Mbani një peshë normale

Sipas Institutit Kombëtar të Kancerit, obeziteti lidhet me një rrezik më të lartë për zhvillimin e kancerit të gjirit, si dhe atij të pankreasit, ezofagut, zorrës dhe tiroides. Duke mbajtur një peshë të shëndetshme nëpërmjet dietës dhe stërvitjes, mund të jetë një mënyrë e mirë për të mbajtur larg rrezikun për zhvillimin e kancerit.

Ushqeni fëmijën me gji

Ushqyerja me gji lidhet me një rrezik më të ulët për zhvillimin e kancerit të gjirit tek nënat. Një studim afatgjatë në vitin 2002, i kryer tek gati 150 mijë gra, zbuloi se sa më shumë të ushqejnë fëmijën me gji, aq më të mbrojtura janë nënat nga kanceri i gjirit. Por çdo 12 muaj që një nënë ushqen fëmijën me gji, rreziku për zhvillimin e kancerit të gjirit ulet me rreth 4%. Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që nënat t’i ushqejnë foshnjat me gji të paktën 6 muajt e parë.

Kufizoni alkoolin

Vazhdojnë të shtohen të dhënat që tregojnë për lidhjen mes alkoolit dhe rrezikut të madh për zhvillimin e kancerit. Hulumtuesit shkencorë e kanë lidhur atë me një rrezik më të madh për zhvillimin e kancerit të qafës, fytit, mëlçisë, gjirit dhe kancerit të zorrës.

Ndiqni një dietë të pasur në perime (sidomos karota)
Duke ngrënë perime jo me bazë niseshteje, ushqime me karotenoide, si karotat dhe domatet, si dhe ushqime që janë të larta në kalcium, mund të ulni rrezikun e zhvillimit të kancerit të gjirit. Ndjekja e një diete të pasur me këto lloje ushqimesh, sidomos perimet, ndihmon jo vetëm për parandalimin e kancerit të gjirit, por për gjithë shëndetin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: