Emisioni ‘Fitstation’ me Çenkuela Hasën këtë të shtunë u stacionua në qytetin e Shkodrës.

Gjatë vizitës në këtë qytet moderatorja vizitoi një familje të vjetër shkodrane. Familja Mlloja hapi dyert e shtëpisë dhe gatoi tavën e Krapit.

Më poshtë po ju zbulojmë recetën.

Përbërësit për 6-7 persona:
Krap i freskët 4-5 kg, mira është që të jetë mashkull
Qepë 1.5 kg
Hudhra 400 gr
Domate 1 kg të pjekura mirë ose salcë, të cilës populli i Shkodrës i thotë Nerden (kjo sipas nevojës)
Uthull 12 litri
Pistil dhe kumbulla të thata (sipas shijes)
Gjethe lari (Dafinë)
Vaj 400 gr
Piper, kripë, majdanoz

Si fillim duhet pastruar shumë mirë peshku. Hiqni lupsat dhe pastroni mirë kokën e krapit. Nuk duhet të ketë gjak dhe ujë.

Ndajeni peshkun në disa pjesë dhe i jepni një të skuqur të lehtë. Kështu peshku do të mblidhet ndërsa vajin që mbetet mos e hidhni pasi me të do të përgatitet lëngu i tavës.
Skuqni në të qepën e grirë imët. Shtoni hudhrat dhe më pas domatet e qëruara Trazojini vazhdimisht. Tani shtoni pak uthull, kripë, piper dhe gjethet e dafinës.

E lini të ziejë masën për pak minuta. Pasi salca të jetë gati shtoni fetat e krapit. Tani e fusni tavën në furrë me temperaturë 150 gradë celsius. Pas 25 minutash tava e krapit do të jetë gati dhe tani është koha për t’i shtuar majdanozin. Ju bëftë mirë!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb