Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se propozimi i presidentit amerikan Donald Trump që SHBA të marrë kontrollin e Rripit të Gazës është një “ide e jashtëzakonshme” që duhet “të ndiqet”, “shqyrtohet” dhe “zbatohet”.
“Unë mendoj se do të krijojë një të ardhme të ndryshme për të gjithë. Kjo është ideja e më e mirë që kam dëgjuar”, theksoi Netanyahu duke shtuar se Izraeli është ende i përkushtuar për të shkatërruar aftësitë ushtarake dhe politike të Hamasit, në mënyrë që të mos përbëjë më kurrë një kërcënim për shtetin hebre.
Sipas presidentit republikan palestinezët “do të ishin të lumtur” të largoheshin nga Rripi i Gazës nëse do të kishin opsione.
“Ata nuk kanë mundësi të tjera tani dhe janë të detyruar të kthehen në Gaza, e cila tani është një grumbull rrënojash”, por të jetosh aty është “shumë e rrezikshme”, tha Trump
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Netanyahun, i cili po viziton Uashingtonin, ai njoftoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të marrin kontrollin e territorit palestinez dhe do të promovojnë “zhvillim ekonomik” të paprecedentë.
“Shtetet e Bashkuara do të marrin kontrollin e Rripit të Gazës dhe do të jemi përgjegjës për çmontimin e të gjitha bombave të rrezikshme të pashpërthyera dhe armëve të tjera në vend.” shtoi presidenti republikan.
(BalkanWeb)