TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka prezantuar sot para mediave platformën e tij për situatën në vend, për të cilën tha se përgjigjja që ka marrë nga maxhoranca ishte provokimi i rëndë i 17 majit.

Sa i përket Teatrit Kreu i Shtetit tha se nuk është shembja e një godine por rënie e shtetit ligjor që tashmë funksionon në paligjshmëri të plotë pasi nuk merr përgjegjësi për plotësimin e 15 kushteve. Ai tregoi edhe çfarë i ka kërkuar përfaqësuesve ditën e djeshme.

“Kam marrë dhe një përgjigje indirekte që do ishte mirë të bënim një mbledhje e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për integrimin.
Kam thënë që Këshilli i Sigurisë Kombëtare nuk mund të merret me çështjen e integrimit pasi merret me çështje të mbrojtës dhe sigurisë kombëtare dhe asnjëherë nuk ka diskutuar për integrimin në 30 vjet. Fokusi është në parlament. Në qoftë se parlamenti bën diçka të tillë unë për t’i dhënë rëndësi apo përkrahje këtij procesi jam gati të shkoj dhe si president. Megjithatë një përgjigje e mora unë, e morët ju e mori gjithë Europa me provokimin e rëndë të 17 majit. Nuk është shembja e një godine por rënie e shtetit ligjor që tashmë funksionon në paligjshmëri të plotë pasi nuk merr përgjegjësi për plotësimin e 15 kushteve.
Unë po punoja për një klimë që vendi ynë gjatë kësaj kohe të arrinte të jepte një besueshmëri për provimin e qershorit apo të tetorit, sepse çdo qershor e tetor kemi provimet për integrimin europian dhe nuk duhet që mali i kushteve të shtohet vazhdimisht. Më duhet të shpreh keqardhjen për këtë situatë por gjithë partnerët duhet ta dinë dhe e dinë që kjo situatë nuk është përgjegjësi e presidentit. Ka një thyerje të mëtejshme të besimit mes palëve. Dje jam takuar me përfaqësuesit e opozitës dhe iu kam kërkuar të mos bien pre e provokimeve por të vijojnë punën për reformën zgjedhore. Nga kjo polici e dhunshme si e vështirë është që të garantohet zbatimi i kodit që është një tjetër kusht i BE”, deklaroi Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb