Cristiano Ronaldo u largua nga Evropiani, por ai la shenjë me 5 gola dhe ende asnjë tjetër nuk ka realizuar sa ai. Gjithashtu Ronaldo barazoi një rekord historik me 109 gola me kombëtaren, pa harruar se është golashënuesi më i mirë me 21 gola në Evropiane dhe Botërore.

Portugalia është e varur ende nga Cristiano. Kur ai nuk shënon, ekipi vuan shumë. Statistikat janë të forta në këtë rast. Sa herë që Portugalia është eliminuar nga Evropiani apo Botërori, duke nisur nga viti 2004 ku Ronaldo ka qenë pjesëmarrës, sulmuesi nuk ka shënuar asnjëherë dhe çfarë është më keq, nuk ka dhënë asnjë asist.

Në finalen e Evropianit të 2004 ndodhi kështu ndaj Greqisë, në Botërorin 2006 Portugalia u eliminua nga Franca dhe Cristiano nuk la asnjë shenjë. Për të vijuar në Euro 2008 ishte Gjermania që e eliminon, Spanja dy herë, në 2010-n dhe 2012-n.

Në Brazil 2014 eliminohet që në grupe. Ronaldo nuk shënoi dhe nuk dha asist as kur eliminua nga Kupa e konfederatave në vitin 2017 nga Kili. E njëjta gjë ndodhi edhe në vitin 2018 në Rusi, ku Uruguaji e nxorri jashtë. Për ta mbyllur me Belgjikën në Euro 2020. Tre tentativa që nuk rezultuan efikase. Cristiano nuk dorëzohet, këtë e thotë edhe në mesazhin e fundit, një ditë pas eliminimit:

“Nuk ishte e mundur të arrinim atje ku të gjithë donim, por mirënjohja jonë për tifozët është e sinqertë dhe e thellë. Do të kthehemi më të fortë. Forca Portugalia!” – shkruan Ronaldo. Misioni i fundit i tij me Portugalinë do të jetë Katar 2022, gjithnjë nëse kualifikohet.

(BalkaWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb