Hendeku midis Princit William dhe vëllait të tij Harry nuk duket të jetë kaluar, të paktën tani për tani.

Harry, sipas raporteve të shtypit britanik, do të kishte dashur një ribashkim me William, por në vend të kësaj, ai kaloi natën e tij të parë në Mbretërinë e Bashkuar në një hotel.

Edhe pse nuk ka plane në axhendë që dy vëllezërit të takohen gjatë qëndrimit të Harryt në Britani, miku i tyre i përbashkët Mark Dyer – mund të veprojë si ndërmjetës për të bërë takimin mes tyre.

Besohet se William aktualisht është i fokusuar në kujdesin për gruan e tij Kate, e cila po rikuperohet nga operacioni i fundit në bark.

Duka i Sussex-it takoi babanë e tij Mbretin Charles për 45 minuta pasi mbërriti në shtëpi.

Harry, megjithatë, nuk e kaloi natën në asnjë rezidencë mbretërore, pasi u dëbua nga Frogmore Cottage vitin e kaluar. Sipas mediave britanike, ai ka qëndruar në një hotel luksoz.

Harry nuk pritet të qëndrojë gjatë në Londër dhe do të kthehet në shtëpi në Montecito, Kaliforni, ku e presin gruaja e tij Meghan Markle dhe dy fëmijët, Archie, katër vjeç dhe Lilybet, dy vjeç.

Takimi me Charles

Princi Harry pati takimin e tij të parë me Mbretin Charles që nga viti 2022 dje dhe sipas redaktorit mbretëror të Sun, Matt Wilkinson, ky ribashkim baba-bir “zgjati më pak se 45 minuta”.

Duka i Sussex-it u fotografua duke mbërritur në Clarence House rreth orës 15:15 (me orën lokal), pasi u çua atje me një shoqërim policie pas fluturimit të tij 11-orësh nga Los Angeles.

Është hera e parë që Harry e sheh babanë e tij që nga kurorëzimi i tij nëntë muaj më parë. Mbreti dhe mbretëresha u panë duke përshëndetur turmat teksa largoheshin nga rezidenca e tyre zyrtare.

Monarku 75-vjeçar u çua në një Bentley me Mbretëreshën Camilla nga Clarence House në Buckingham Palace.

Një helikopter u ngrit më pas nga pallati, me mbretin Charles që u ul në Sandringham, Norfolk, ku do të vendoset monarku i Britanisë gjatë trajtimit të tij mjekësor. Burimet e Pallatit thanë se mbreti tani do të kalonte pjesën më të madhe të kohës në rezidencën e tij në vend, duke u kthyer në Londër vetëm një herë në javë për biznes dhe trajtim të mëtejshëm.

Buckingham Palace tha se kanceri u zbulua gjatë trajtimit të tij të fundit për një prostatë të zmadhuar. Ishte një “çështje e veçantë” dhe jo kanceri i prostatës, vuri në dukje ai. Pallati tha se mbreti filloi “trajtimet e rregullta” të hënën.

Marrëdhënia e mbretit me djalin e tij më të vogël është tensionuar seriozisht që nga vendimi i Harry-t për t’u larguar nga detyrat mbretërore në vitin 2020 dhe shprehu ankesa të ndryshme kundër familjes mbretërore në një seri intervistash.

Kujtimet e diskutueshme Spare, shkruar nga Harry, i dëmtuan më tej lidhjet e tij me babanë dhe vëllain e tij, duke pretenduar se Uilliam e sulmoi fizikisht dhe se Mbreti i vuri interesat e tij mbi interesat e Harryt.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb