Në “Dola te Ola” këtë të diel ishte i ftuar këngëtari i mirënjohur i muzikës popullore Bujar Qamili.

Gjatë programit këngëtari foli edhe për rëndësinë që ka miqësia në jetën e tij. Një prej miqve të tij më të mirë është poeti Ramazan Çeka, i cili kishte dërguar një videomesazh surprizë për Bujarin, ku vinte në dukje edhe një herë vlerat e larta artistike të “Mjeshtrit të Madh”.

Bujar Qamili foli edhe për emocionet e koncertit recital që ai realizoi në Shkodër në kohën e pandemisë. “Kishte rënë një hije e zymtë, ndaj unë vendosa të bëja një koncert recital në shesh. Isha i bindur që njerëzit do të dilnin në dritare”, tha ai, duke shtuar se çdo gjë shkoi jashtëzakonisht bukur.
Ai rrëfeu se kjo ishte hera e parë që ai këndonte pa spektatorë, teksa tregoi emocionin e jashtëzakonshëm kur në dritaret e pallateve shiheshin duart e gjithë familjeve shkodrane.

Kujtojmë që disa muaj më parë në media qarkulloi lajmi se këngëtari Bujar Qamili ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, ku u aludua se ishte i prekur nga Covid-19. Në “Dola te Ola’ ai tregoi se ka patur probleme me krizat në veshka, dhe pavarësisht se Covidin mund ta ketë kaluar, gjendje e tij e përkeqësuar nuk kishte lidhje me të. Ai tregoi se u trajtua në një nga spitalet më të mira të Italisë, dhe për fatin e tij të mirë, por edhe të familjarëve dhe artdashësve të tij, çdo gjë kaloi.

Mbrëmja e kësaj të diele u mbyll me një nga baladat më të bukura shkodrane “Kaçurrelat”, e cila u interpretua në mënyrë të shkëlqyer nga i madhi Bujar Qamili.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb