Ka vijuar ditët e fundit në Belgjikë megaprocesi “SKY ECC” me 128 të pandehur, të akuzuar për trafik ndërkombëtar kokaine. Avokati i një të pandehure nga Shqipëria, të gjykuar në gjyqin “SKY ECC”, kërkoi të mërkurën ulje dënimi në gjykatën penale të Brukselit. Klientja e tij dyshohet se ka pastruar para për llogari të ish-bashkëshortit të saj, një prej krerëve të organizatës, vlonjarit Eridan Munoz Guerrero.

“Ajo tashmë ka humbur gjithçka”, thotë avokati i ish-bashkëshortes së Guerrero.

“Ata u takuan në Shqipëri, ishte dashuri me shikim të parë”, shpjegon avokati. “Në atë kohë ai punonte si investitor në ndërtim, nuk kishte të njëjtin profil si sot”. Çifti përfundoi në ndarje pas katër vitesh lidhje, por i pandehuri nuk mundi t’i shkëputte lidhjet, vijon avokati penal.

Më pas 30-vjeçarja qëndron në kontakt me drejtuesin e organizatës dhe i ofron rregullisht shërbime. Në veçanti, ajo pranon në disa raste kërkesat e tij për të kryer transferta cash nga kryeqyteti shqiptar.

“Marrëdhënia me cash-in nuk është e njëjtë në Shqipëri si në Belgjikë. Pagesat me kartë bankare janë shumë më pak të përhapura”, shpjegon avokati. “Klientja ime dyshonte se paratë kishin origjinë të paligjshme, por në atë moment ajo nuk i bëri vetes shumë pyetje. Ajo duhej t’ia jepte paratë një personi që e njihte mirë dhe paratë i mbetën në dorë vetëm për pak orë. Për më tepër, këto para nuk i sollën kurrë dobi” vijoi ai.

“Klientja ime humbi punën, të ardhurat dhe gjithçka që kishte ndërtuar në jetën e saj pas arrestimit. Tashmë i është prishur reputacioni”, përfundon avokati. Prandaj, avokati penale kërkoi uljen e dënimit të dhënë nga 5 në 1 vit, si dhe heqjen e gjobës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb